Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me një video të postuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqen 2 shtetas që shoqërohen nga shërbimet e Policisë, ju informojmë se:

Shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Durrës, duke patrulluar në qytetin e Shijakut, më datë 24.11.2023, kanë konstatuar një automjet, drejtuesi i të cilit kreu lëvizje të dyshimta sapo pa shërbimet e Policisë. Pas ndalimit nga Policia, ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, shtetasi T. H. ishte i mitur dhe i papajisur me leje drejtimi.

Në zbatim të procedurave standarde, shtetasi T. H. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shtetasit L. H. dhe E. H., të afërm të shtetasit T. H. (të shoqëruar nga Policia), janë konfliktuar me njëri – tjetrin, në afërsi të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, para se të paraqiteshin për të marrë informacion për të afërmin e tyre.

Menjëherë, janë afruar shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilat kanë ndërhyrë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe kanë shoqëruar shtetasin E. H. dhe shtetasin L. H., i cili ishte në gjendje të dehur. Pas kryerjes së veprimeve procedurale, të dy shtetasit janë lënë të lirë.

Ndërsa për shtetasin e mitur T. H. janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Gjithashtu, për pronarin e automjetit që drejtonte shtetasi i mitur, shtetasin E. B. është vendosur masë administrative 25 000 lekë dhe masë plotësuese pezullim i lejes së drejtimit për 1 vit, sipas Kodit Rrugor.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë, konform ligjit dhe me paanshmëri.