Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kapshticë – Policia Kufitare godet një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.  Sekuestrohet një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Vihet në pranga poseduesi i lëndës. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Kapshticë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, në dalje të Republikës së Shqipërisë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Xh., 21 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq. Gjatë kontrollit fizik që shërbimet e policisë, kanë ushtruar ndaj këtij shtetasi, në xhup, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Bulqizë – Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë u arrestua në flagrancë shtetasi D. K., 34 vjeç, banues në Bulqizë, për veprën penale “Shkelje e rrrgullave të mbrojtjes në punë”, me detyrë teknik miniere në një subjekt minerar, si dhe filloi procedimi penal për shtetasit L. A., 54 vjeç; V. Rr., 51 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë brigadier në një subjekt minerar. Arrestimi i shtetasit D. K. dhe procedimi penal i dy shtetasve të tjerë u bë pasi  nuk kanë bërë kontrollin teknik të frontit të punës dhe për pasojë gjatë punës në galeri është shembur një masiv shkëmborë, ku për pasojë humbi jetën shtetasi E. A., 35 vjeç. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme.

Korçë – U konfliktua me klientët e lokalit dhe qëlloi me armë zjarri në ajër, duke prishur qetësinë publike, vihet në pranga 39-vjeçari me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër shëndetit, rendit e sigurisë publike. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. H., 39 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për plagosje dhe armëmbajtje pa leje). Ky shtetas, mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti të çastit me disa klientë në lokalin e shtetasit A. B., në lagjen nr. 7, Korçë, dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri tip pistoletë, pa shkaktuar dëme në njerëz. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Fier – Plagosi me mjet prerës një shtetas, kapet dhe arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i ngjarjes. Pas marrjes së njoftimit se në lagjen “1 Maj”, Levan, Fier, ishte plagosur me mjet prerës shtetasi N. O., menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë, të cilat falë reagimit në kohë bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, shtetasin A. R., i cili mbrëmjen e djeshme, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin N. O., 24 vjeç, banues në Levan.  24-vjeçari ndodhet në spitalin e Fierit, nën kujdesin e mjekëve. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, shtetasin A. R., 25 vjeç, banues në Levan, Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Durrës – Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës pas një pune hetimore disa ditore kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e  shtetasit M. A., 37 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur një shtetas, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Konkretisht, më datë 23.05.2021, në lagjen Nr. 13, Plazh, Durrës dyshohet se për motive të dobëta ka goditur shtetasin Z. K., 53 vjeç, banues në Durrës, i cili është rrëzuar në tokë duke i shkaktuar dëmtime, ku pas mjekimit të marrë në Spitalin Rajonal Durrës është transferuar për mjekim të specializuar në Spitalin e  Traumës Tiranë ku më datë 27.05.2021 ka ndërruar jetë. Policia e Durrësit menjëherë sapo ka marrë dijeni për ngjarjen, ka kryer të gjitha veprimet procedurale sipas dispozitave ligjore, duke pyetur edhe familjarët e personit të dëmtuar, të cilët nuk kanë pasur asnjë  pretendim. Grupi hetimor vijoi hetime më të thelluara duke bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin ditën e djeshme të autorit të dyshuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Qarkullonte me armë zjarri me vete, lokalizohet dhe arrestohet nga Policia. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete, si rezultat i kontrolleve të befasishme të zhvilluara nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi F. G., 34 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodër. Gjatë patrullimit në lagjen “Liria”, Shkodër, shërbimet e Policisë pasi kanë konstatuar një automjet që kryente lëvizje të dyshimta, janë vënë në ndjekje dhe kanë bërë të mundur ndalimin e drejtuesit dhe bllokimin e automjetit. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Sekuestrohet një armë zjarri automatik dhe sende të ndryshme që përdoren për të kryer vjedhjet. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operazive bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. R., 67 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesës e tij, sherbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. N., 32 vjeç, L. N., 41 vjeç (vëllezër) dhe V. G., 37 vjeç, të tre me precedent të mëparshëm penale për veprën penale “Vjedhja”. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi janë kapur në flagrancë duke tentuar të vjedhin çantën e një shtetasi. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të disa vjedhjeve të tjera konkretisht: Më datë 03.04.2021, kanë vjedhur telefonin e shtetases M. V; me datë 14.03.2021, i kanë vjedhur varesen shtetases A. A; me datë 01.03.2021, kanë vjedhur një shumë parash në mjetin e shtetasit O. G; me datë 21.02.2021, kanë vjedhur portofolat e shtetasve M. P dhe E. Xh; dhe me datë 21.02.2021, kanë vjedhur dy çanta dore në mjetin e shtetasit S. Sh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet që këta shtetas përdornin për të kryer vjedhjet. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Sh. L., 52 vjeç dhe B. S., 29 vjeç pasi janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur; B. Sh., 19 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. J., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin qarkullonte, shërbimet e Komisariatin e Policisë Nr. 4 gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. F., 24 vjeç, pasi në rrugën “Gramoz Pashko”, ka vjedhur motorin në pronësi të shtetasit A. A. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. M., 54 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestruan dy armë të ftohta. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. A., 36 vjeç, T. J., 25 vjeç dhe E. V., 63 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur; E. L., 19 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. K., 30 vjeç, pasi në rrugën “Lord Bajron”, ka kundërshtuar dhe kanosur për shkak të detyrës punonjësin e policisë Bashkiake. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u  ekzekutua urdhri i prokurorit për shtetasin Kujtim Imeri, 46 vjeç,pasi Gjykata e  Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”. Më datë 28.05.2021, në rrugën “Loni Ligori”, gjatë një konflikti, një shtetas i mitur 15-vjeçar, ka dëmtuar me mjete prerës një bashkëmoshatar të tij, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e 15-vjeçarit dhe po punohet për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave.  Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vijon puna e pandërprerë për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Goditen dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kokainë , peshore elektronike, aparate celular dhe sende të tjera të kundërligjshme. Vihen në pranga poseduesit dhe shpërndarësit e lëndës narkotike. Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për kontrollin e të gjithë territorit, me qëllim evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me lëndë narkotike, merren me shpërndarjen e tyre në të gjithë qarkun e Tiranës apo që i mbajnë në banesë, janë goditur 2 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në vende të ndryshme, dhe janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, konkretisht: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: R. D., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi dozash me lëndë narkotike kokainë, 2 aparate celular, dhe 87 qese farmaceutike që përdoreshin për paketimin e lëndës narkotike; Rr. M., 30 vjeç, pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte dhe në banesën e tij, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lëndë narkotike kokainë dhe një peshore elektronike që përdorej për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të këtyre shtetasve, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 218 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 72 janë arrestuar në flagrancë dhe 138 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 23 raste, me 21 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 20 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 25 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 11  raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 rast “Vrasja”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 30 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 17 raste: 3 raste me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 14 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 21 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 2 autorë që procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5  raste të “Mashtrimi”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të armëmbajtjes pa leje, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të “Pushtim toke”, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përndjekja” dhe 1 tjetër për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 17 aksidente, me 1 viktimë dhe 20 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.