Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Vlorë – Vijojnë kontrollet e befasishme, për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë apo qarkullojnë armë zjarri dhe lëndë narkotike. Si rezultat i kontrolleve u evidentuan dhe u goditën dy raste të armëmbajtjes pa leje. Vihen në pranga dy shtetas, poseduesit e armëve të zjarrit. Sekuestrohen dy armë zjarri pistoletë. Strukturat e DVP Vlorë në bashkëpunim me FNSH-në, në zbatim te planit të masave me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim, personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe atyre që tentojnë të trafikojnë apo shperndajnë lendë narkotike, kanë vijuar me kontrollet e befasishme në ambiente të ndryshme, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative. Si rezultat i kontrolleve në fshatin Peshkëpi, Vlorë, u arrestua në flagrancë shtetasi S. S., 34 vjeç, banues në fshatin Armen, Vlorë, person me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes. Arrestimi i ktij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Po gjatë mesditës së djeshme si rezultat i këtyre kontrolleve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. A., 26 vjeç, banues në Vlorë, i cili pasi pa shërbimet e policisë hodhi armën e zjarrit dhe tentoi të largohej me vrap por u kap dhe u prangos gjatë ndjekjes nga Policia. Materialet në ngarkim të tyre, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Cërrik – Goditet një rast i tentativës për kultivim të lëndëve narkotike dhe i shpërndarjes së drogave në doza të vogla. Bie në pranga 26-vjeçari që posedonte dhe shpërndante lëndën narkotike. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kanabis, fara bimore kanabis dhe 49 fishekë. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave në doza të vogla, si dhe të tentativës për kultivim të lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. S., 26 vjeç, banues në fshatin Shushicë, Cërrik, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 774 gramë kanabis e ndarë në doza të vogla, 261 fara bimore kanabis dhe 49 fishekë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri 13”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga 1 shtetas. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 28 vjeç, banues në Gramsh.  Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Bilisht-Korçë, pranë fshatit Cangonj, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjatë ndjekjes, 28-vjeçari nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet, por u kap dhe neutralizua. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Korçë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit K. L., 16 vjeç, H. H., 17 vjeç, R. B., 15 vjeç dhe H. H., 17 vjeç, banues në Korçë, pasi këta shtetas, në bashkëpunim mes tyre, dyshohet se kanë dëmtuar disa stola në stadiumin “Skënderbeu”, Korçë. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, kryer në bashkëpunim.

Gjirokastër – Vijon operacioni “Mezhgorani”, vihet në pranga një person i shpallur në kërkim.  Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Mezhgorani”, i finalizuar në muajin shkurt të vitit 2020, u ndalua një prej personave të shpallur në kërkim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumentave”. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër u kap dhe u ndalua shtetasi A. A., 52 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumentave”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Lezhë – Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë për shtetasin A. Gj., 56 vjeç, banues në Ishull Lezhë, për vepren penale “Falsifikimi i dokumenteve “. Ky person dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës si përgjegjës i Sektorit të Arkivit dhe Protokollit në Njësinë Administrative Shëngjin ka falsifikuar dokumentet, duke tjetërsuar sipërfaqe toke në bregdetin e Shëngjinit, nga lloji i pasurisë rërë në arë. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien para përgjegjësisë ligjore personave të tjerë te implikuar.

Shkodër – Goditet një grup kriminal që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrjeta”. Operacioni nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Vihen në pranga 4 pjesëtarë të grupit kriminal. Sekuestrohet një sasi e konsiderueshme vaji hashashi, kanabis i përpunuar në formë çokollate, armë gjahu, një sasi parash e sende të tjera.  Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, pas një pune të mirorganizuar, bazuar në informacionet e grumbulluara gjatë periudhës hetimore dymujore, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Rrjeta”. Në kuadër të tij u godit një grup kriminal që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe si rezultat u bë i mundur arrestimi i shtetasve H. U., 30 vjeç, banues në Shkodër, M. U. 26 vjeç, A. U., 36 vjeç dhe M. U., 72 vjeç të tre banues ne fshatin Mes, Shkodër. Këta shtetas janë kapur gjatë operacionit, në Postribë, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike. Gjatë operacionit forcat policore gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 14 litra vaj hashashi; 65.6 gramë lëndë narkotike në formë çokollate; një armë gjahu, një sasi fishekësh, një sasi parash, 6 aparate celulare dhe 1 automjet. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Interpol Tirana – Vijon bashkëpunimi i Interpol Tiranës me homologët dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për evidentimin, lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim. Nga Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Kroacia drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Xhino Aliço, 28 vjeç, lindur në Lushnjë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me vendimin e datës 10.03.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 13 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, vendim i cili u la në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin e datës 29.05.2020. Përmbledhja e ngjarjes së ndodhur: më datë 11.06.2016, në lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, shtetasi Xhino Aliço, në bashkëpunim me babain e tij, shtetasin A. A., kanë plagosur me thikë dhe sende të forta, shtetasin J. S., duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda në trup dhe në kokë.

Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Krasta 2021”. Operacioni i zhvilluar nga RENEA, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Gjatë operacionit është vënë në pranga një person me precedent të theksuar kriminal, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012. Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov.  Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në bazë të informacioneve të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, mëngjesin e sotëm, gjatë operacionit policor të koduar “Krasta 2021”, u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasin Ardian Çopja alias Çapja, 53 vjeç, banues në Elbasan. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Florenc Çapja, 40 vjeç, banues në Elbasan. Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Këta shtetas, në vitin 2012, dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).  Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov. Vijon puna nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve.

Lushnjë – Janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lushnjë, pasi shtetasja R. P. ka bërë kallëzim se dyshon që kur bashkëshorti i saj është transportuar për ndihmë mjekësore, atij i ka humbur xhupi dhe një sasi parash.

Qafë Thanë, Pogradec – Arrestohen 3 shtetas iranianë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, konkretisht atë të kalimit të kufirit me dokumente të falsifikuara, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. T., 24 vjeç, M. N., 25 vjeç dhe A. N., 25 vjeç, banues në Stamboll, Turqi.  Këta shtetas janë paraqitur në hyrje të Republikës së Shqipërisë, me dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 167 shtetas, nga këta: 39 janë arrestuar, 13 janë ndaluar dhe 115 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 22 raste, konkretisht: 13 raste të “Kanosja”; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 29 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 26 raste: 8 raste me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 18 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 14 raste të ndërtimit pa leje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 raste i “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i ‘Prishja e qetësisë publike”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Është ndaluar 1 shtetas, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.

Janë proceduar 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 26 raste aksidentesh, me 1 viktimë  dhe 29 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.