Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.

Interpol Tirana – Vijon bashkëpunimi mes Interpol Tirana dhe homologëve për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ekstradohet nga Greqia një shtetas shqiptar i dënuar me 18 vjet burg për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Nga specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Greqia drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Kudret Shametaj, 55 vjeç. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 18 vjet burg për veprat penale “Vrasja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. M. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athina, u bë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i tij nga Greqia drejt vendit tonë.

Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Dentisti”. Në hetimin për pastrim parash startuar 18 muaj më parë finalizohet operacioni për identifikimin, gjetjen dhe sekuestrimin, me qellim konfiskimin dhe rikuperimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale. Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në hetimin për pastrim parash, identifikuan, gjurmuan dhe sekuestruan pasuri, te cilat dyshohen se rrjedhin nga veprimtaria kriminale, vlera e të cilave përllogaritet në 750 000 euro. Pasuritë dyshohet se jane përfitur nga aktiviteti kriminal i shtetasit italian F. M., 56 vjeç, i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe porositës i një vrasjeje. Në vijim të punës për gjurmimin, gjetjen, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtari kriminale, strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe seksioni i posaçëm në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në informacione nga agjencitë e zbatimit të ligjit nisën hetimet që në muajin prill të vitit 2018, në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Nga puna gjurmuese policore dhe hetimet proaktive prej afro 18 muajsh, në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorinë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të operacionit policor “Dentisti”, strukturat hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Durrësit, gjatë operacionit policor “Dentisti”, arritën identifikimin, gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të përllogaritur paraprakisht 750 000 euro. Pasuritë janë të shtetasit Italian F. M., 56 vjeç, i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe si porositës i një vrasjeje. Në këtë hetim, krahas bashkëpunimit ndërinstitucional ka patur bashkëpunim me partnerët italianë, si dhe ndërmjet Prokurorisë së Durrësit dhe të Napolit. Prokuroria e Napolit, në përgjigje të kërkesës për asistencë ligjore të Prokurorisë Durrës, konfirmoi se shtetasi Italian F. M., 56 vjeç, lindur në Itali dhe banues në lagjen nr. 13, në Plazh Durrës, me shtetësi dhe kombësi Italiane është i dënuar nga autoritetet e drejtësisë italiane, si pjesë e klaneve kamorriste në zonën e Napolit, Itali. Shtetasi italian F. M. ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe ushtronte aktivitetin tregtar si vijon: në vitin 2012 ka regjistruar shoqërinë sh.p.k, me objekt prodhimi dhe tregtimi i medikamenteve dhe pajisjeve dentare, në Tiranë, me 50 % të aksioneve në pronësi të tij. Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt prodhimi dhe tregtimi i pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku 45 % të kuotave i posedon F.M. Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt laboratore dentare, ku F. M. ka 30 % të kuotave. Më datë 29 tetor 2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës miratoi kërkesën e prokurorit të Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të shtetasit Italian F. M., vlera e të cilave paraprakisht përllogaritet 750 000 euro. Këto pasuri përfshijnë: 5 apartamente banimi, me sipërfaqe 413.8 m2, në Durrës; 13 garazhe me sipërfaqe 622.7 m2, në Durrës; 1 automjet me vlerë 40 000 Euro dhe afro 10 000 euro llogari bankare. Strukturat e Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare në Durrës kryen veprimet procedurale për sekuestrimin preventiv të pasurive të mësipërme. Aktualisht, strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar po punojnë në bashkëpunim me administratorët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara, për t’i kaluar në administrim të tyre, në bazë të ligjit “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara”.

Kurbin – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar për veprat penale “Vjedhja”, “Kanosja”, “Shkatërrim prone” dhe “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Shërbimet e Policisë në Komisariatin e Kurbinit kanë bërë ndalimin e shtetasit në kërkim S. R., banues në Laç, Kurbin, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, e vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me vendim në korrik 2019, por gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet policore nuk është gjendur në vendin e qëndrimit të caktuar nga Gjykata. Për këtë shtetas, më datë 28.07.2019, ka bërë kallëzim shtetasi L. Q. se i ka vjedhur një telefon celular. Më datë 10.09.2019 ka kanosur me fjalë shtetasin N.L. Më datë 03.10.2019, i ka vjedhur telefonin cellular shtetases D. R. dhe më datë 01.11.2019 ka dëmtuar me gurë banesën e shtetasit Gj. Gj. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë së Kurbinit, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit H. L., 60 vjeç, banues në Kurbin. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendim në shkurt 2017, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar me 8 muaj burg, për vepren penale “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Malësi e Madhe – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim. Finalizohet operacioni koduar “IVANAJ”. Kapet dhe ndalohet një person i shpallur në kërkim. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, pas një pune të mirëorganizuar dhe në bazë të informacionit të marrë në rrugë operative u bë finalizimi i operacionit të koduar “Ivanaj”, si rezultat i të cilit u bë kapja e personit të shpallur në kërkim Alfred Ripaj, 29 vjeç, banues në fshatin Ivanaj, Malësi e Madhe. Kapja e tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin nr. 243 datë 21.06.2019, e ka denuar me 4 vite e 8 muaj burg, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të metejshme.

Fier – Finalizohet megaperacioni i koduar “Furtuna”, për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të përfituara nga veprimtaria kriminale. Megaoperacioni nga strukturat hetimore të Drejtorisë Për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Sekuestrohen pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të përllogaritur 12 milionë euro. Pasuritë të përfituara nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta. Në kuadër të luftës së pandërprerë për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, strukturat hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, finalizuan me sukses megaoperacionin policor “Furtuna”, në kuadër të të cilit u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit A. Sh., banues në Fier, të cilat kapin vlerën 12 milionë euro. Ky shtetas më datë 20 qershor 2017 u arrestua në flagrancë së bashku me shtetasin grek Th. K., pasi u kapën në Greqi me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 800 000 euro. Ata merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine. Menjëherë pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, Policia e Shtetit me iniciativë nisi hetimet proaktive ndaj shtetasit A. Sh., për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Pas investigimeve për pastrim parash dhe gjurmimit të pasurive të shtetasit A. Sh. dhe personave të lidhur me të, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier e referoi rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, e cila regjistroi procedimin penal nr. 1371/2017. Si rezultat i koordinimit, bashkërendimit dhe bashkëveprimit mes strukturave hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier dhe Agjencisë së Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, koordinuar nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 20.10.2019, vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme të shtetasit A. Sh dhe personave të tjerë familjarë të tij. Këto pasuri përfshijnë: 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj; 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur; 2 vila trekatëshe; 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2; 3 apartamente banimi; 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës; 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier; 20 000 euro në llogaritë bankare dhe një automjet me vlerë 40 000 euro. Strukturat përkatëse të Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare në Fier, në bashkëpunim me administratorët e AAPSK-së kryen veprimet procedurale për kalimin e pasurive në administrim të AAPSK-së. Theksojmë se aktiviteti kriminal i ushtruar nga ky shtetas në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Turqia në Shqipëri gjurmohej nga Policia prej vitesh. Në vitin 2014, në kuadër të procedimit penal të regjistruar më parë, shtetasi A. Sh. u arrestua në flagrancë nga Policia, për veprën penale armëmbajtja pa leje, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri dhe një sasi fishkesh, që i mbante pa leje. Më datë 18.07.2016 shtetasi A. Sh. u shpall në kërkim pasi dyshohej se në bashkëpunim me shtetasin S.K., në vendin e quajtur “Ishull Lezhë”, kishte kanosur dhe goditur shtetasin A. Gj. duke konsumuar veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Kanosja”. Policia e Shtetit vijon me vendosmëri e profesionalizëm punën për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë për të ndihmuar në evidentimin e pasurive të paligjshme të vendosura nga persona me aktivitet kriminal duke denoncuar në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112 çdo rast të tillë e çdo paligjshmëri në cilëndo fushë që ajo shfaqet. Policia e Shtetit ju garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm, profesional e të paanshëm.

 

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 212 shtetas, nga këta: 54 janë të arrestuar, 12 janë ndalur dhe 146 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 20 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 8 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 10 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 28 raste, 8 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 20 raste, për të cilat po punohet për identfikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste në fushën e shkatërrimit të pronës, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Gjatë 72 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 22 raste aksidentesh, me 34 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 15 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar dhe proceduar 22 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.