Tiranë – Goditet një tjetër rast i organizmit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet penalisht pronari i lokalit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal në bulevardin “Ramush Haradinaj” zhvillohej veprimtari kriminale në fushën e lojërave të fatit, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në ambientet e lokalit. Si rezultat i kontrollit u kap dhe u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasi B. J., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin e palejuar të lojërave të fatit. Gjithashtu u procedua penalisht edhe pronari i lokalit, shtetasi O. D. (R)., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara dhe “Mbajtja pa leje e municionit “, pasi ky shtetas kishte vënë në dispozicion lokalin e tij për organizimin e lotarive të palejuara, si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi municioni luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Ndalohet një shtetas, për veprën penale “Vjedhja”. Në pranga edhe 3 drejtues mjetesh. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë ndalimin të shtetasit D. T., 41 vjeç, pasi në rrugën “Emiljo Grandi”, u kap me një biçikletë e cila dyshohet të jetë e vjedhur. Në vijim të veprimeve të kryera, bazuar dhe në pamjet filmike, dyshohet se ky shtetas, më datë 10.07.2020, në rrugën “Ibrahim Rugova”, ka vjedhur shumën e parave 75 mijë lekë dhe dy telefona në mjetet e shtetasve F. M. dhe E. Ll. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. K., 51 vjeç, pasi u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; S. I., 57 vjeç, pasi në autostradën Tiranë-Durrës, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse dhe në gjendje të dehur, në masën 0.51 mg/l; E. J., 28 vjeç, pasi në rrugën “Don Bosko”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.53 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Informacione paraprake – Më datë 21.09.2020, rreth orës 12:00, në lagjen “Ali Demi”, mjeti me drejtues shtetasin K. H., 19 vjeç ka aksidentuar një mjet motor me drejtues shtetasin D. S., 43 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Më datë 21.09.2020, rreth orës 12:20, tek “Brryli”, një mjet ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një tabelë dhe për pasojë tabela është shkëputur dhe ka dëmtuar një kalimtare, e cila u dërgua menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohet në flagrancë një 33-vjeçar, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Bien në prangat e Policisë 2 drejtues mjetesh dhe procedohet penalisht një shtetas tjetër. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin R. A., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër-mbrojte, si dhe ka kanosur me thikë babanë e tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit G. M., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 20.09.2020, në rrugën “Martin Camaj”, ka aksidentuar biçiklistin me iniciale Xh. M., 70 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë; R. T., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 15, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Skoda” në gjendje të dehur, është përplasur me një tjetër mjet dhe për pasojë janë shkaktuar dëme materiale. Gjithashtu u referuan materialet për shtetasin E. T., për veprën penale “Kallëzim i rremë”, pasi ka dhënë deklaratë të rreme në lidhje me drejtimin e mjetit duke u shprehur se ka qenë ai drejtuesi i mjetit tip “Skoda”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër – Më datë 20.09.2020 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, pasi shtetasja P. Q., 75 vjeçe, banuese në fshatin Paleokastër, Gjirokastër, në datën 18.09.2020, në banesën e saj, është goditur me grushte në fytyrë dhe në pjesë të trupit nga një person i paidentifikuar, duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Shetasja P. Q. ndodhet e shtruar në Spitalin Rajonal “Omer Nishani”, Gjirokastër, jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Dibër/Bulqizë/Mat – Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Evidentohen dhe goditen nga Policia, 11 raste të krimeve mjedisore, dhe procedohen penalisht 11 shtetas. Sekuestrohen rreth 25 metër kub lëndë drusore dhe 5 automjete që shërbenin për transportim. Strukturat e DVP Dibër, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, gjatë 20 ditëve të para të muajit shtator, kanë evidentuar dhe goditur 11 raste, ku janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit: V. C., B. S., B. G., N. C., K. M., banues në Dibër, dhe F. M., banues në Mat, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar objekte, pa lejen e organeve përkatëse. Gjithashtu ka filluar procedimi penal për shtetasit: B. XH., G. N., banues në Bulqizë; L. L., XH. F., SH. B., banues në Dibër, pasi janë kapur nga Policia duke transportuar lëndë drusore, pa dokumentacionet përkatëse. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë Dibër dhe Mat, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”. Policia e Dibrës do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 248 shtetas, nga këta: 84 janë të arrestuar, 20 janë ndaluar dhe 144 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 17 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 26 raste, në të gjithë territorin, me 10 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 16 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 24 raste, konkretisht: 10 raste të “Kanosja”, 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje dhe 2 raste të “Vrasja”, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 15 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 38 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 25 raste, 3 raste me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 12 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta dhe autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrim prone”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 11 raste aksidentesh, me 5 viktimë dhe 26 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 15 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 39 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.