Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Berat – Policia e Beratit ka ndëshkuar me 1.000.000 lekë gjobë, pronarin e një restoranti, pasi u konstatua duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në rrugën Berat-Urë Vajgurore, një restorant në të cilin po organizohej ceremoni martesore, duke mos respektuar protokollet e sigurisë. Shërbimet e Policisë i kanë vendosur pronarit të restorantit, shtetasit K. B., masën administrative 1.000.000 lekë. Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

DVP Durrës – Organizoi dasmë në kundërshtim me Aktin Normativ, ndëshkohet me 1 milion lekë gjobë administratori i një lokali në Fushë Krujë. Arrestohet në flagrancë një 59-vjeçar, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Vihen në pranga dhe 2 drejtues mjetesh. Shërbimet e Policisë në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Fushë Krujë, një lokal që kishte organizuar dasmë në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar distancën e sigurisë midis personave. Për këtë subjekt me administrator shtetasin I. T., shërbimet e Policisë kanë vendosur masën administrative 1.000.000 lekë. Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin B. A., 59 vjeç, sepse pas një konflikti familjar kanë shkuar në banesën e tij dhe gjatë kontrollit të ushtruar kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 84 gr. doza me lëndë narkotike të dyshuar canabis sativa. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit F. Ç., 30 vjeç dhe A. G., 57 vjeç, banues në Durrës, pasi shtetasi F. Ç., duke drejtuar motoçikletën tip “Piaggio” pa targa dhe në gjendje të dehur është përplasur me motoçikletën tip “Papaq” pa targa dhe pa leje drejtimi, me drejtues shtetasin A. G. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.

Durrës  – Më datë 09.08.2020, në orën 17:30, në fshatin Hasan, shtetasi A. T., 36 vjeç, duke drejtuar mjetin motoçikletë tip “Yaxing” pa targa dhe pa leje drejtimi, është goditur nga një mjet me drejtues ende të paidentifikuar. Shtetasi A. T. është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore.

Fier – Policia e Fierit ka ndëshkuar me nga 1.000.000 lekë gjobë, administratorët e katër restoranteve, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar katër restorante në të cilët ishin organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë. Shërbimet e Policisë i kanë vendosur administratorëve të këtyre subjekteve, shtetasve R. N., A. T., V. P. dhe K. K., masën administrative 1.000.000 lekë secilit. Policia e Fierit apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Përmet – Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Bie në pranga 38-vjeçari që posedonte dhe shpërndante lëndën narkotike. Sekuestrohen 15 doza me lëndë narkotike kokainë. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas dispononte lëndë narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Përmet, arrestuan në flagrancë shtetasin L. Th., 38 vjeç, banues në Përmet. Gjatë kontrollit të ushtruar në një nga dhomat e hotelit që ky shtetas e kishte marrë me qira, Policia gjeti 15 qese të vogla transparente me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia ”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3. Sekuestrohen 1 kg e 75 gr. lëndë narkotike heroinë. Vihet në pranga 31-vjeçari që posedonte dhe shpërndante lëndën narkotike. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Porosia ”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë. Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, janë siguruar informacione në rrugë operative se në një banesë në rrugën “Asdreni”, kishte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit heroinë dhe peronat që e dispononin ua shisnin shpërndarësve sipas porosive që bënin. Mbi bazën e këtyre informacioneve, nga ana e punonjësve të Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, në rrugën “Asdreni”, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit E. Z., ku Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 kg e 75 gr. lëndë narkotike të dyshuar heroinë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, 1 aparat celular dhe një automjet. Vazhdon puna intensive për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale, identifikimin dhe kapjen e  personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, ku në rrugën “Gjon Kastrioti”, në Laprakë, është gjetur pa shenja jete, në banesë, shtetasja V. R., 67 vjeçe, ju bëjmë me dije se nga tërësia e veprimeve hetimore dhe nga ekspertimi mjeko-ligjor ka rezultuar se në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve që janë përfituar nga veprimtaritë kriminale. Konfiskohen katër apartamente dhe 1 automjet me vlerë tregu 200 mijë euro, që janë përfituar nga veprimtaria kriminale e tre shtetasve, në fushën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie. Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për vendosjen e konfiskimit të katër apartamenteve dhe 1 automjeti, konkretisht një apartament në lagjen nr. 13, Durrës, në pronësi të shtetasit Ç. A., 37 vjeç, banues në Kraps, Fier; dy apartamente në lagjen nr. 13, Durrës, në pronësi të shtetasit K. L., 32 vjeç, banues në Banaj, Fier; një apartament në lagjen nr. 13, Durrës dhe automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të shtetasit M. H., 29 vjeç, banues në Frakull, Fier. Konfiskimi u krye për llogari të procedimit pasuror të filluar për këta shtetas, pasi janë subjekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Apartamentet e konfiskuara dyshohet se janë përftuar nga shtetasit e mësipërm nëpërmjet veprimtarisë kriminale në shtetin grek, ku këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në datën 02.05.2011, kanë rrëmbyer një shtetas grek, pronar i një shoqërie tregtare private, me qëllim përfitimi dhe u kanë marrë familjarëve të tij shumën 1 milion e 300 mijë euro. Vijojnë hetimet intensive për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtyre shtetasve, familjarëve apo dhe të personave të tjerë të lidhur me ta.

Kakavijë – Policia Kufitare e Kakavijës parandaloi dhe goditi dy raste të tentativës për transfertë të paligjshme të parave, 1 rast të trafikimit të mjeteve motorike dhe 1 rast për shkelje të ligjit për Kontrollin Kufitar. Procedohen penalisht 4 shtetas (dy shtetas grekë, një shtetas italian dhe një shtetas shqiptar). Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 30600 euro dhe 1 automjet i markës “Nissan”. Në kuadër të masave parandaluese të marra për goditjen pa kompromis të krimeve ndërkufitare, nga shërbimet e Policisë Kufitare në Stacionin e Policisë Kufitare Kakavijë dhe shërbimet doganore janë evidentuar dhe goditur 2 raste të mosdeklarimit të të hollave dhe 1 rast i trafikimit të mjeteve motorike. Konkretisht: Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është ndaluar për kontroll një automjet i markës “Nissan”, me drejtues shtetasin italian A. B., 37 vjeç, banues në Napoli, Itali. Ky automjet ka rezultuar i vjedhur në Itali dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.  Gjatë kontrollit të sendeve personale dhe bagazheve, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shtetasit grek A. D., 46 vjeç, banues në Argos, Greqi, i janë gjetur të fshehura dhe i janë sekuestruar 20200 euro, të cilat nuk i deklaroi pranë autoriteteve doganore. Po në dalje të Republikës së Shqipërisë është përzgjedhur për kontroll të detajuar shtetasi grek A. D., 30 vjeç, banues në Argos, Greqi, të cilit gjatë kontrollit në sendet personale i janë gjetur të fshehura 10400 euro, të cilat nuk i deklaroi pranë autoriteteve doganore. Po kështu, krahas këtyre rasteve, është proceduar penalisht dhe është ndëshkuar administrativisht për shkelje të ligjit për Kontrollin Kufitar, shtetasi J. T., 33 vjeç, banues në Lezhë, i cili, për motive të dobëta, ka goditur me grushte dhe është konfliktuar me drejtuesin e një autobuzi. Veprimet e para hetimore dhe procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve u kryen nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme  për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe një shtetas italian për trafikim të automjeteve.

Pogradec – Ndalohet njëri nga autorët e dyshuar të ngjarjeve të ndodhura më datë 01.08.2020 dhe më datë 08.08.2020, pranë një hoteli në fshatin Tushemisht. Shpallen në kërkim edhe 3 bashkëpunëtorët e dyshuar të tij. Sekuestrohen 1 mjet motor, 2 skafandra të përdorura nga autorët, municion luftarak, pamje filmike dhe prova balistike. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e dy ngjarjeve të ndodhura më datë 01.08.2020, si edhe mëngjesin e djeshëm, pranë një hoteli në fshatin Tushemisht, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit M. T., 34 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec (i dënuar më parë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”).  Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit: I. B., 52 vjeç, banues në Tiranë, M. B., 34 vjeç, banues në Pogradec dhe B. S., 28 vjeç, banues në Pogradec. Nga tërësia e veprimeve intensive hetimore të kryera, dyshohet se këta shtetas pas një konflikti të mëparshëm me pronarin e hotelit dhe djalin e tij, në bashkëpunim midis tyre, më datë 01.08.2020, kanë kanosur me armë zjarri përpara hotelit, shtetasin J. M., 20 vjeç, si edhe më datë 08.08.2020, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit në pronësi të shtetasit J. M., 47 vjeç, ku u shkaktuan dëme materiale tek godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 mjet motor tip “Suzuki”, pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë. Vijon puna për sqarimin e mëtejshëm dhe kapjen e tre personave të tjerë të shpallur në kërkim, të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, “Prishja e qetësisë publike”, “Armëmbajtja pa leje”.

Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Shkumbini”. Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 29.07.2020, ku mbeti i vrarë shtetasi R. R. Vihen në pranga 2 autorët e dyshuar. Autorët e dyshuar, të përshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Elbasanit. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, pas një pune intensive hetimore 10-ditore, zbuluan dhe dokumentuan me prova ligjore ngjarjen e ndodhur në datën 29 korrik 2020, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë shtetasi R. R. Si rezultat, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me FNSH dhe RENEA-n, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkumbini”, bënë të mundur kapjen dhe prangosjen e dy shtetasve, si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht Xh. H., 29 vjeç dhe E. H., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan. Nga veprimet hetimore dhe profesionale të kryera ka rezultuar se viktima R. R., mbrëmjen e ngjarjes ka qenë në shoqërinë e dy autorëve të dyshuar dhe pasi kanë konsumuar lëndë narkotike, në një park në afërsi të varrezave të qytetit, janë drejtuar për në qytetin e Elbasanit. Në afërsi të varrezave, shtetasi E. H. e ka goditur shtetasin R. R., një herë me thikë nga mbrapa shpinës dhe më pas e ka goditur edhe 26 herë të tjera duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Gjatë periudhës hetimore, nga grupi hetimor janë gjetur dhe sekuestruar prova shkencore që provojnë autorësinë e kësaj ngjarjeje. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një motomjet, në të cilin u gjetën njolla gjaku, të cilat pas ekzaminimit në laboratorin shkencor rezultuan se i përkasin viktimës, si dhe një shumë eurosh dhe prova të tjera ligjore. Nga hetimet intensive ka rezultuar se këta dy shtetas janë të përfshirë edhe në vrasjen e shtetasit E. R., ndodhur më datë 20 korrik 2020 në qytetin e Elbasanit, pasi nga provat e grumbulluara rezulton se të dy këta shtetas kanë ndjekur dhe kontrolluar lëvizjet e viktimës. Po nga hetimet rezulton se këta shtetas, këto ngjarje i kanë kryer kundrejt pagesës nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna intensive për dokumentimin me prova ligjore, kapjen dhe arrestimin e tyre. Vijon puna intensive, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sqarimin e mëtejshëm, si dhe për kapjen e arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në të gjithë territorin e qarkut. Me grupe hetimore të dedikuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po punon për zbardhjen edhe të ngjarjeve të tjera të ndodhura. Policia e Shtetit fton qytetarët që të informojnë në numrin 1122 dhe Komisariatin Dixhital për çdo paligjshmëri dhe informacion në lidhje me autorët e përfshirë në ngjarje kriminale, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 174 shtetas, nga këta: 50 janë të arrestuar, 13 janë ndaluar dhe 111 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 13 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 20 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”, 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 11 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 14 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 25 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 25 raste, 6 raste me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 18 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 autor të arrestuar në flgrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”,  me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të “Falsifikimi i dokumenteve” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Fshehja e të ardhurave” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë .

Janë evidentuar 6 raste të “Shkatërrim prone”, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 15 raste të “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 13 raste aksidentesh, me 4 viktima dhe 14 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.