Skrapar – Kryenin gjueti në mënyrë të paligjshme dhe aksidentalisht plagoset njëri prej tyre, arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. K., 66 vjeç, banues në Vërzhezhë, Skrapar, E. Ç., 36 vjeç dhe J. Ç., 26 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat. Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë natës kanë qenë duke gjuajtur në mënyrë të paligjshme, në fshatin Vërzhezhë, Skrapar dhe dyshohet se gjatë gjuetisë është plagosur në dorë shtetasi J. Ç Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. M., 52 vjeç, banues në Skrapar, administrator i një firme në fshatin Prishtë. Procedimi ndaj tij filloi pasi në firmën që administron është dëmtuar duke punuar shtetasi F. B., 39 vjeç, banues në Korçë, i cili rezultoi i pasiguruar dhe në shkelje të rregullave të sigurimit në punë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Punësim i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Interpol Tirana – Vijon bashkëpunimi i suksesshëm me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Falë këtij bashkëpunimi janë kapur dhe ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar, dy shtetas shqiptarë të dënuar për vepra të rënda kundër personit. Paraditen e sotme, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, drejt vendit tonë, i shtetasve shqiptarë Hektor Mahmutaj, 45 vjeç, lindur në Fier dhe Ronaldo Kolndreu, 21 vjeç, lindur në Tiranë. Shtetasi Hektor Mahmutaj ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e ka dënuar me 25 vjet burgim, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në vitin 1997, Hektor Mahmutaj, pranë rrugës automobilistike të fshatit Bejar, Mallakastër, ka vrarë me armë zjarri shtetasin G. J. Shtetasi Ronaldo Kolndreu ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 15 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë. Në vitin 2018, në ambientet e fabrikës së këpucëve, shtetasi Ronaldo Kolndreu ka plagosur me thikë shtetasin S. B. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Mançester, Mbretëria e Bashkuar, u bë i mundur arrestimi i tyre në Londër dhe ekstradimi drejt vendit tonë.
Vlorë, Sarandë – Policia ka ndëshkuar me 1 milion lekë gjobë një administrator lokali dhe me 3 milionë një tjetër, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet me muzikë në kundërshtim me Aktin Normativ. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar një lokal në Vlorë dhe një në Sarandë që vazhdonin të ushtronin aktivitet me muzikë pas orës 20:00, në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar kufizimin e përcaktuar nga Policia e Shtetit. Subjekti në Vlorë me administrator shtetasin A. A. është gjobitur me masë administrative 1.000.000 lekë. Subjekti në Sarandë me administrator F. M. është gjobitur me masë administrative 3.000.000 lekë, pasi është shkelës përsëritës. Policia e Vlorës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Në vijim të këtij operacioni goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Kapet duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin drejt vendeve të BE-së. Si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. L., 24 vjeç, banues në Elbasan, i cili u kap nga shërbimet e policisë në afërsi të fshatit Memlisht, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Toyota”, në drejtim të Tiranës, 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.
Korçë/Informacion paraprak – Më datë 02.08.2020, rreth orës 21:00, në aksin rrugor Korçë-Ersekë, rreth 1 km në dalje të qytetit, është gjetur në rrugë një shtetas i huaj (dyshohet emigrant i paligjshëm), me dëmtime trupore, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Bulqizë – Vijojnë operacionet policore të njëpasnjëshme për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjorica”. Operacioni nga DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë. Qarkullonte me arme zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, vihet ne pranga 38-vjeçari. Specialistët e Hetimit të Krimit në DVP Dibër, në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim apo të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Gjorica”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: L. M., 38 vjeç, banues në Gjoricë, Bulqizë. Ky shtetas u kap duke qarkulluar me automjetin e tij “Opel”, me armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes dhe qarkullimit me armë zjarri me vete. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vite burg.
Tiranë – Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë kapur dhe ndaluar shtetasin S. K., 43 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 29 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëjetueses. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. A., 57 vjeç, pasi ka kërcënuar dhe ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj kunatës, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Specialistët për Qarkullimin Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. Z., 26 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Pjetër Budi”, ka aksidentuar biçiklistin e mitur me iniciale A. L., 14 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.; Z. L., 56 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.60 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Informacion paraprak – Më datë 03.08.2020, rreth orës 08:30 të mëngjesit është njoftuar Salla Operative Tiranë se gjatë natës, në vendin e quajtur “Kashar Kodër”, dyshohet se persona të paidentifikuar kanë vjedhur kasafortën e një firme me administrator shtetasin F. S., ku kanë marrë rreth 200.000 lekë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 196 shtetas, nga këta: 50 janë të arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 140 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 36 raste, konkretisht: 12 raste të “Kanosja”, 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 18 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja”, 1 rast me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 rast për të cilin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 21 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 29 raste, 11 raste me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 18 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 5 raste të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të armëmbajtjes pa leje, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të “Vepra të turpshme”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 20 raste të “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 18 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 10 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 16 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 17 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 14 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.