Delvinë – Policia vë në pranga autorin e plagosjes së ditës së djeshme. Sekuestrohet 1 armë gjahu. Më datë 26.06.2020, në malin e Cerasë, Delvinë, si pasojë e një konlikti për motive të dobëta mbeti i plagosur me armë gjahu 21-vjeçari L. K., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet policore u vunë në ndjekje të autorit dhe falë veprimeve të shpejta hetimore u bë e mundur kapja në qytetin e Delvinës dhe arrestimi i shtetasit E. M., 22 vjeç, banues në Delvinë, si dhe sekuestrimi i armës së gjahut. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Pogradec – Finalizohet operacioni “Topleci”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Sekuestrohet 1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin e koduar “Topleci”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: F. SH., 26 vjeç, banues në Pogradec (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”) dhe S. B., 39 vjeç, banues në Pogradec Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike në qytet, bënë lokalizimin dhe ndalimin e tyre në lagjen nr. 4. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. Sh. iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, ndërsa nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit S. B. u gjet dhe u sekuestrua 1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Korçë – Qarkullonte me armë të ftohtë, arrestohet në flagrancë një 26-vjeçar. Sekuestrohet një thikë. Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit P. M., 26 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit trupor të ushtruar këtij shtetasi në fshatin Bulgarec, iu gjet edhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një thikë. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Tropojë – Finalizohet me sukses operacioni antikanabis i koduar “Porosia”. Vihen në prangat e Policisë 4 shtetas. Sekuestrohet lëndë narkotike. Strukturat e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tropojë, finalizuan me sukses operacionin antikanabis të koduar “Porosia”. Si rezultat i operacionit, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. B., 45 vjeç, banues në Shoshan, Tropojë; E. H., 32 vjeç, banues në Bajram Curri, Tropojë; P. M., 52 vjeç, banues në Shoshan, Tropojë; F. M., 19 vjeç, banues në Shoshan, Tropojë. Arrestimi i tyre u bë pasi nga tërësia e veprimeve hetimore u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në drejtim të tentativës për kultivim dhe shitje të kanabisit. Këta shtetas u kapën në flagrancë nga Policia në momentin e këmbimit të 518 gr. lëndë narkotike. Nga veprimet hetimore këta shtetas dyshohen si autorë të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Shoshan.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim. Gjithashtu, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit punonjësit e Policisë, në fshatin Bradoshnicë, Tropojë, zonë e pyllëzuar, gjetën disa fidanë narkotikë, në tentativë për t’i kultivuar. Janë shpallur në kërkim 3 shtetas, S. P., A. P. dhe S. S., banues në Tropojë, si autorë të dyshuar të tentativës për kultivimit të bimëve narkotike. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit T. A., kryetari i fshatit Bradoshnicë dhe shtetasi B. L., rojë mjedisore, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Kontrolli i territorit do të vijojë pa ndërprerë duke kontrolluar çdo cep të territorit dhe në zonat më të largëta, falë përdorimit të flotës së dronëve apo helikopterëve.
Fier – Vijojnë goditjet ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet një tjetër operacion antidrogë, i koduar “Bridge”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier. Sekuestrohen 8 kg cannabis sativa. Vihen në pranga 2 shtetas. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe pas informacioneve të marra në rrugë operative, Policia e Fierit zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Bridge”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. D., 49 vjeç, banues në Roskovec dhe E. V., 45 vjeç, banues në Kuçovë. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Kallm i Madh, Fier, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford”, me drejtues shtetasin G. D. dhe pasagjer shtetasin E. V., në bagazhin e automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi prej 8 kg lëndë narkotike e dyshuar canabis sativa. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale lënda narkotike, automjeti dhe pesë aparate celularë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.
Policia e Shtetit – Vijon puna hetimore intensive dhe e pandërprerë për dokunentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më 30 maj 2020, në autostradën Mamurras-Lezhë, në fshatin Gjormë, Kurbin, ku mbeten të vrarë me armë zjarri dy shtetas dhe u plagos një tjetër. Në vijim të veprimeve të kryera, në rrugën “Pjetër Budi”, në një pusetë pas klinikës ku mjekohej ilegalisht autori i dyshuar i vrasjes, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta që dyshohet se janë përdorur në ngjarjen kriminale. Më parë, falë informacioneve policore u bë i mundur lokalizimi i autorit, kapja e prangosja e tij, si dhe prangosja e dy mjekëve që mjekonin ilegalisht autorin e dyshuar. Vijojnë veprimet nga Komisariati i Policisë Kurbin, DVP Lezhë, në bashkëpunim me DVP Tiranë në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Kurbin – Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndjekja”. Kapet dhe vihet në pranga autori i dytë i dyshuar i vrasjes së dyfishtë, ngjarje e ndodhur më 30 maj 2020 në Fushë-Gjormë, Kurbin, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gjithashtu, ky shtetas është me masë sigurie “Arrest në burg”, për plagosjen me armë zjarri të shtetasit Z. M., ngjarje e ndodhur në Laç, më datë 15.05.2020. Operacioni për kapjen e këtij shtetasi u zhvillua në Tiranë, falë bashkëpunimit mes Policisë së Tiranës, Kurbinit dhe Lezhës dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Nga Komisariati i Policisë Kurbin dhe DVP Lezhë, në bashkëpunim me DVP Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për kapjen e autorëve dhe bashkëpunëtorëve të ngjarjes së datës 30 maj në fshatin Gjormë dhe të ngjarjes së ndodhur më 15 maj në Laç, kanë vijuar puna intensive dhe e pandërprerë, duke ushtruar kontrolle në banesa dhe ambiente të ndryshme në Laç, Lezhë, Kamzë e Tiranë. Mbi bazën e informacioneve të siguruara gjatë hetimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura gjatë muajit maj 2020, Policia e Kurbinit ka arritur të lokalizojnë vendndodhjen e 33-vjeçarit të shpallur në kërkim, ku pas disa ditë ndjekjeje në bashkëpunim me DVP Tiranë, është finalizuar operacioni policor “Ndjekja”, duke bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit I. Xh. (L.), 33 vjeç, banues në Laç, Kurbin, i dyshuar si autor i dytë i vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 30 maj 2020, në Fushë Gjormë, Kurbin. Gjithashtu, për këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin kishte dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me dashje mbetur në tentative” dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi në 15 maj 2020, në lagjen nr. 4, Laç, Kurbin, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Z. M. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale në ngarkim të tij “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim “, “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Korçë – Plan masash mes Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Si rezultat i bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve mes DVP Korçë dhe Policisë Kufitare, gjatë 24 orëve të fundit parandalohen dhe goditen edhe tre raste të tjera të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit. Gjatë operacionit policor të koduar “Perimetri”, të zhvilluar nga DVP Korçë dhe Policia Kufitare, u vunë në pranga 5 persona, 1 u shpall në kërkim dhe 1 tjetër u procedua në gjendje të lirë. Bllokohen gjatë operacionit, 17 shtetas nga vendet e treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek dhe po transportoheshin kundrejt fitimit në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me qëllim destinacionin final një nga vendet e BE-së. Rasti i parë është evidentuar dhe goditur në Devoll, ku shërbimet e policisë vunë në pranga shtetasit E. K., 40 vjeç, banues në Tiranë dhe R. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Përparimaj, Devoll, si edhe u shpall në kërkim I. T., 28 vjeç, banues në fshatin Vishoticë, Devoll. Nga hetimet e kryera rezulton se tre shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre, i kishin premtuar kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në drejtim të Greqisë kundrejt shpërblimit prej 300 euro, një 32-vjeçari, i cili u kap nga shërbimet e policisë kufitare dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë. Rasti i dytë është evidentuar dhe goditur në aksin rrugor Pogradec-Tiranë, ku shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. T., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi tek vendi i quajtur “Enkelana” në Pogradec, ky shtetas, u kap nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht, duke transportuar me mjetin tip furgon 13 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm. Ndërsa gjatë orëve të natës në Maliq, janë kapur dhe arrestuar në flagrancë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” shtetasit E. L., 30 vjeç, banues në Rrëshen dhe K. K., 20 vjeç, banues në Fushë- Krujë, pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë duke transportuar me automjet katër shtetas palestinezë, kundrejt fitimit. Këta shtetas në momentin e ndërhyrjes së policisë, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kanë tentuar të largohen, por janë vënë pranga. Po gjatë javës së fundit, është goditur edhe një tjetër rast ku në Pogradec është vënë në pranga shtetasi I. B., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap duke transportuar 11 shtetas nga vendet e treta. Kontrolli masiv i territorit do vijojë me qëllim evidentimin parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Mallakastër – Tjetër operacion antikanabis nga Komisariati i Policisë Mallakastër. Gjatë kontrollit të territorit evidentohen dhe goditen dy raste të kultivimit të bimëve narkotike. Në pranga 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacione të marra në rrugë policore dhe organizimit të shërbimeve për kontrollin e territorit, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Kuta”. Si rezultat i këtij operacioni, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, arrestuan shtetasin A. Z., 50 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu u ndalua shtetasi J. Sh., 25 vjeç, banues në Klos, Mallakastër. Nga tërësia e veprimeve hetimore e proceduriale, rezulton se shtetasi A. Z është autor i kultivimit të disa bimëve narkotike në një zonë të pyllëzuar të fshatit Kutë, dhe shtetasi J. Sh është autori i dyshuar i kultivimit të disa bimëve narkotike në fshatin Poçem, në afërsi të pronës së tij. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Dibër – Plan masash për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Si rezultat i kontrolleve janë proceduar penalisht 2 shtetas për prerje e paligjshme e pyjeve. Procedohet penalisht edhe Përgjegjësi i Inspektoratit të Pyjeve dhe Kullotave, Bashkia Dibër. Sekuestrohen 14 m3 lëndë drusore dhe mjetet që i transportonin lëndën drusore Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si dhe kontrollin e mjeteve që kryejnë transporte me ngarkesa të ndryshme pa dokumentacionin përkatës, është ngritur grupi i Task Forcës me strukturat e Komisariatit të Policisë Dibër dhe IKMT. Si rezultat i kontrolleve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër , u proceduan penalisht shtetasit: L. L., 40 vjeç, banues në Selishtë, pasi është konstatuar duke shkarkuar nga kamioni tip Ifa, 6 m3, lëndë drusore, pa dokumentacion përkatës dhe A. B., 38 vjeç, banues në Peshkopi, pasi u konstatua duke transportuar 8 m3, lëndë drusore, me automjetin tip Ifa, pa dokumentacion përkatës. Si dhe në vijim të veprimeve është proceduar penalisht shtetasi V. T., 51 vjeç, banues Peshkopi, me detyrë Përgjegjës i Inspektoratit të Pyjeve dhe Kullotave, pasi me veprimet e tij ka lënë pa mbuluar me specialist e punonjës pyjesh zonën pyjore të njësisë Administrative Selishtë, ku jan vërejtur disa raste të prerjeve të paligjshme të pyjeve, raste të goditura në vazhdimësi nga ana policisë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme. Policia e Dibrës do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
Durrës – Vijon operacioni kundër zaptimit të pronës publike. Policia e Durrësit, kontrolle të shtuara në zonën bregdetare. Procedohen penalisht 3 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës dhe në Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të kontrolleve për lirimin e plazheve nga shezlongët e vendosur pa leje, konstatuan 3 subjekte që kishin zaptuar hapësirën publike (plazh), duke vendosur çadra dhe shezlongë pa lejen e autoriteteve përkatëse. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit: B. M., 29 vjeç dhe A. Sh., 26 vjeç, banues në fshatin Sektor Rinia, Durrës, pasi shërbimet e Policisë konstatuan se në vendin e quajtur “Bregu i detit Adriatik”, në fshatin Sektor Rinia, kishin vendosur çadra dhe shezlongë pa lejen e autoriteteve përkatëse. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi Y. K., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi përpara lokalit në pronësi të tij, në lagjen nr. 13, Plazh, kishte vendosur çadra dhe shezlongë pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Elbasan – Në gjendje të dehur, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, vihen në pranga dy të rinjtë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit: E. Sh., 33 vjeç dhe I. S., 29 vjeç, të dy banues në Elbasan. Pas një telefonate të ardhur në Sallën Operative të DVP Elbasan për dy shtetas në gjendje të dehur që sillnin shqetësim për banorët, në lagjen “Luigj Gurakuqi”, Elbasan, menjëherë ka shkuar Forca e Posaçme “Shqiponja”, por shtetasit e lartpërmendur i kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë. Të dy shtetasit janë neutralizuar nga forcat e Policisë dhe janë shoqëruar forcërisht në ambientet e Policisë dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i tyre, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” e kryer në bashkëpunim. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 213 shtetas, nga këta: 49 janë të arrestuar, 11 janë ndaluar dhe 153 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste, në të gjithë territorin, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 26 raste, konkretisht: 8 raste të “Kanosja”, 11 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 13 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 25 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 18 raste, 4 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 14 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë
Është evidentuar 1 rast i “Trafikim i mjeteve motorike”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuat 1 rast i mbajtjes së armëve të ftohta, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i shpërdorimit të detyrës dhe autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Pushtim toke”, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë dhe autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i tregtimit të mallrave kontrabandë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transporti”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të ndotjes së ajrit, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 8 raste, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 19 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 17 raste aksidentesh, me 22 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.