Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.
Krujë – Goditet një tjetër rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “NOJA 3”. Operacioni nga Policia e Krujës në bashkëpunim me DVP Durrës dhe F.L.O, nën drejtimin e Prokurorisë së Krujës. Sekuestrohen rreth 26 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa. Arrestohet poseduesi i lëndës narkotike. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës e F.L.O, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “NOJA 3”. Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit B. M., 44 vjeç, banues në fshatin Nojë, Krujë. Gjatë kontrollit të ushtruar përreth banesës së tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 26 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Canabis Sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Shkodër – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni “Club”. Në pranga një 24-vjeçar. Sekuestrohet lëndë narkotike kokainë, një shumë parash e përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe sende të tjera të lëna nga blerësit. Nga Seksioni kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacione të marra në rrugë operative dhe një pune të mirorganizuar është bëre i mundur identifikimi dhe konkretizimi i veprimeve që kryenin disa shtetas lidhur me shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në lokalet e natës, në Qarkun e Shkodrës. Si rezultat i veprimeve hetimore dhe si rezultat i operacionit policor “Club”, u arrestua në flagrancë shtetasi S. R. 24 vjeç, banues në lagjen Perash, Shkodër. Arrestimi tij u bë pasi është kapur në flagrancë duke i shitur disa personave të tjerë lëndë narkotike kokainë dhe gjatë kontrollit të këtij shtetasi rezultoi se posedonte me vete tri qese të vogla me një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë. Nga veprimet e kryera janë sekuestruar 6 aparate celulare, një sasi kartëmonedhash shqiptare me vlerën 122 900 lekë të reja, 10 euro, 50 paund i dyshuar i falsifikuar, 5 karta identiteti, 2 leje drejtimi shqiptare, 1 leje drejtimi ltaliane, 4 qese për përdorimin të lëndëve narkotike, dokumente automjeti, 3 ora dore dhe dy varëse, të cilat ishin lënë nga blerësit e lëndës narkotike, si dhe një letër me formula për prodhimin e lëndëve narkotike kokainë. Vijon puna me intensitet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i monedhave”.
Korçë/Pogradec – Vijon puna për goditjen e paligjshmërive. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, si edhe procedohet penalisht 1 tjetër për “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë dhe Pogradec, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, në drejtim të organizimit të lotarive të palejuara dhe prerjes së paligjshme të pyjeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J.M, 51 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij në këtë fshat, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një aparat celular “Samsung”, të cilin ky shtetas dyshohet se e përdorte për vendosjen e basteve sportive. Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit L.V, 46 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi në këtë fshat, ky shtetas u kap duke transportuar me mjetin kamion tip “Benz” 16m³ dru zjarri, pa leje dhe pa faturën përkatëse. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Mbishkrimi”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në lokale nate dhe përshtatjen e tyre për prostitucion. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në D.V. P. Tiranë në bashkëpunim me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sekuestrohen doza kokainë, pjatë porcelani me mbetje kokaine, DVR, letër me mbishkrim dhe aparat celular. Në pranga një shtetas (pronari i lokalit), me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Mbishkrimi”, gjatë të cilit bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit I. P., 50 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim.Për këtë shtetas dispononohej informacion se në rrugën Industriale, në autostradën Tiranë – Durrës përshtaste lokalin e tij për përdorim e shpërndarje lënde narkotike kokainë dhe për prostitucion. Nga kontrolli i kryer është konstatuar se 50-vjeçari ishte duke fjetur në automjetin e tij në afërsi të lokalit. Gjithashtu, gjatë kontrollit në lokalin në administrim të tij, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar kokainë, një pjatë porcelani me mbetje të lëndës natkotike, një DVR, një letër me mbishkrim dhe një aparat celular. Në lokal është gjendur edhe shtetasja R. C., e punësuar si balerinë në këtë ambient, e cila u akomodua në një qëndër pritëse për viktimat e trafikimit. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike ”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Shfrytëzim prostitucioni” në ngarkim të shetasit I. P
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 222 shtetas, nga këta: 54 janë të arrestuar, 10 janë ndalur dhe 158 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndalur 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 21 raste në të gjithë territorin, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 14 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 22 raste, konkretisht: 10 raste të “Kanosja”, 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lire.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 22 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 24 raste, 5 raste me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 19 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të “Ndërtimi pa leje”, në të gjithë vendin, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejura”, në qarkun Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Gjatë 72 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 4 viktima dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 7 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.
Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.