Tiranë – 11 të proceduar, ndër ta dy të arrestuar për shkatërrim të pronës, prishje të rendit e qetësisë dhe hedhje të sendeve të forta në fushë, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipit të Tiranës dhe Partizanit, në stadiumin “Air Albania”. Më datë 28.02.2020, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania” u zhvillua ndeshja e futbollit ndërmjet skuadrave të Tiranës dhe Partizanit. Gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit janë kryer veprime të dhunshme nga tifozët, janë hedhur sendet të forta në fushën e lojës, janë dëmtuar stolat, si dhe janë futur në fushën e lojës gjatë zhvillimit të ndeshjes. Pas veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë dy tifozë, për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Shkatërrimi i pronës”, konkretisht: A. M., 24 vjeç dhe M. U, 27 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkatërrim prone” dhe 9 tifozë të tjerë, konkretisht shtetasit: M. H, A. P, G., M, L. T., A. M., A. O., K. R., R. J. dhe K. M. Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto veprime të kundërligjshme. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Përmet – Vijon operacioni “Mezhgorani”. Shkon në 36 numri i të arrestuarve. Vihet në pranga një person i shpallur në kërkim. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Mezhgorani”, u ndalua një prej personave të shpallur në kërkim. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër u ndalua shtetasi A. Ç., 25 vjeç, banues në Këlcyrë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Organizim i lotarive të palejuara”. Një ditë më parë Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin e Prokurorisë Përmet, pas një hetimi 6-mujor, në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2019, për veprën penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, finalizuan me sukses operacionin policor “Mezhgorani“. Si rezultat i punës hetimore e procedurale nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë Përmet, duke aplikuar metodat speciale të hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ‘’Falsifikimi i dokumenteve dhe kartëmonedhave”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi”, Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Shpërdorim detyre”. Gjatë operacionit që ka zgjatur 6 muaj janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar 53 shtetas. Këtyre personave u janë sekuestruar 3 pushkë automatike me silenciator, 2 kallashnikov, 10 kallëpe tritol, 620 fishekë, 2 granata difensive, 71 krehër fishekësh, 20 automjete te markave të ndryshme, 40 telefona celular, dokumente noteriale, kontrata, certifikata pronësie të ndryshme, rreth 130 kg kanabis, shuma prej 10 milionë lekësh, 7500 euro, si dhe 3500 euro të dyshuara të falsifikuara. Në këtë operacion u angazhuan 15 grupe të reparteve të FNSH Shkodër, Fier e Tiranë, Forca e Posaçme Operacionale në Policisë e Shtetit dhe shërbimet e DVP Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier e Shkodër. Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Mezhgorani”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 188 shtetas, konkretisht: 35 janë arrestuar, 15 janë ndaluar dhe 138 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 11 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 25 raste, konkretisht: 9 raste të “Kanosja”; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “ Plagosja e rëndë me dashje”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 15 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 26 raste, 8 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 18 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 6 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 23 raste, me 20 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të armëmbajtjes pa leje, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 8 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 12 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 17 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.