Tiranë – Kapet dhe arrestohet në flagrancë një 39-vjeçar, i dyshuar si autor i disa rasteve të vjedhjes së biçikletave. Komisariati i Policisë Nr. 1, nisur nga shqetësimet e qytetarëve në lidhje me vjedhjet e biçikletave, të ndodhura kohët e fundit në juridiksionin e këtij Komisariati, organizoi punën dhe si rezultat u kap në flagrancë duke tentuar të vjedhë një biçikletë, shtetasi: L. Ç., 39 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese). Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rezulton se ky shtetas është autor edhe i dy rasteve të tjera të vjedhjeve të biçikletave, të ndodhura në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr. 1. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: tri biçikleta të vjedhura, praktika noteriale për shitjen e biçikletave të vjedhura; pajisje të përdorura për realizimin e vjedhjeve, si dhe pjesë biçikletash të vjedhura. Ndërkohë, vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin edhe të disa rasteve të tjera të vjedhjes së biçikletave. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja, e kryer më shumë se një herë”.
Elbasan – Vijon operacioni “Trajektorja”. Shkon në 3 numri i të arrestuarve. Vihet në pranga një 26-vjeçar që kishte përfituar disa nga sendet e vjedhura nga autori. Në vijim të operacionit “Trajektorja” nga DVP Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të një sërë vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me dhunë e armë, si dhe prangosja e bashkëpunëtores së tij në këto vjedhje, ka vijuar puna për dokumentimin e plotë të këtyre rasteve. Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan shtetasin: F. S., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka blerë 4 byzylykë floriri nga shtetasi A. Th., të cilët i kishte vjedhur. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Fier – Kapet dhe ndalohet ish-punonjësja e postës në Levan, e shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim A. E., 30 vjeçe, banuese në Levan, Fier. Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin e datës 14.02.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Kjo shtetase, nga periudha janar 2019 deri në shtator 2019, duke qenë punonjëse në zyrën postare Levan, dyshohet se ka përvetësuar 2 milion lekë të reja nga mbledhja e pagesave të dritave dhe ujit nga qytetarët. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 164 shtetas, konkretisht: 40 janë arrestuar, 17 janë ndaluar dhe 107 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndalur 12 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste, në të gjithë territorin, me 16 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 25 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”; 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 12 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 13 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 33 raste, 10 raste me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 23 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 5 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 16 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 18 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.