Tiranë – Finalizohet operacioni policor “TAKIMI”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. I vendosën gjobë 21 mijë euro një shtetasi dhe lanë vendtakim për të marrë paratë, por prangosen nga Policia. Vihet në pranga një 43-vjeçar, me masë sigurie “Arrest shtëpie”, person i dyshuar për veprimtari kriminale në Itali si dhe një 37-vjeçar, person i shpallur në kërkim disa ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një automjet i pajisur me fenelina e sirenë policie, 2 karta italiane të falsifikuara dhe një patentë e falsifikuar, të cilat i përdorte personi në kërkim ndërkombëtar, si dhe një sasi parash. Specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas informacioneve të marra se dy shtetas i kishin vënë gjobë për dhënie parash një shtetasi dhe kishin lënë vendtakim për të marrë paratë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, duke përdorur edhe metodat proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “TAKIMI”. Si rezultat i operacionit, në afërsi të Fushës së Aviacionit, është bërë i mundur bllokimi i automjetit me të cilin qarkullonin dy shtetasit e dyshuar N. F. alias A. T., 37 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim policor nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe E. L. alias G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, i kërkuar në Itali, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhër-arresti, për kryerjen e veprave penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafik droge”. Ndaj shtetasit G. G., i cili ishte me masë sigurie “Arrest shtëpie” kanë nisur procedurat nga drejtësia shqiptare për njësim vendimi. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kishin vënë gjobë një shtetasi dhe kishin lënë vendtakimi për të marrë paratë. Në momentin e ndalimit të mjetit nga Policia, mjet i pajisur me fenelina dhe sirenë policie, këta shtetas u kanë dhënë gjeneralitete të tjera shërbimeve të Policisë, por pasi janë shoqëruar në ambientet e Policisë dhe pas verifikimeve të kryera rezultoi se të dy këta shtetas ishin të shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. L. alias G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një patentë të falsifikuar, dy karta italiane të falsifikuara, të cilat i përdorte ky shtetas për t’iu shmangur identifikimit nga Policia, si dhe një sasi parash. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: N. F. alias A. T., 37 vjeç, lindur në Kuçovë dhe banues në Durrës, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim”, “Përndjekja”, “Kanosja”, “Vetëgjyqësia” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”; E. L. alias G. G.(V.), 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues ne Tiranë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim”, “Përndjekja”, “Kanosja”, “Vetëgjyqësia”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Materialet e grumbulluara iu dërguan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprime të mëtejshme.
Kakavijë – Vijon kontrolli i imtësishëm i mjeteve dhe qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Sekuestrohen nga Policia Kufitare 41000 euro. Procedohet penalisht poseduesi, i cili nuk i deklaroi në kufi. Në vijim të kontrolleve të imtësishme, me qëllim parandalimin e krimeve ndërkufitare, shërbimet e Policisë Kufitare në P. K. K., në dalje të RSH-së, përzgjodhën për kontroll në vijën e dytë automjetin që drejtohej nga shtetasi E. B., 38 vjeç, banues në Kuçovë, i cili udhëtonte drejt Greqisë. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, në pjesën e brendshme të automjetit u gjend e fshehur një sasi e konsiderueshme valute euro, të cilën ky shtetas po e kalonte drejt Greqisë, pa e deklaruar tek shërbimet doganore. Nga numërimi i sasisë rezultoi se ishin në total 41000 euro. Policia Kufitare e Kakavijës ka njoftuar specialistët për hetimin e krimit ekonomik e financiar në DVP Gjirokastër, të cilët në përfundim të veprimeve të para hetimore kanë filluar procedimin penal ndaj 38-vjeçarit. Materialet do t’i përcillen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Qafë Botë, Sarandë – Policia Kufitare në Qafë Botë, Sarandë, ka goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek. Sekuestrohen 36.3 kg kanabis në një automjet, vihet në pranga poseduesi. Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në Pikat e Kalimit Kufitar dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të detajuar një automjet, ku dyshohej se mund të transportohej lëndë narkotike. Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ato doganore, duke përdorur edhe qenin antidrogë, në automjetin tip “Peugeot” është konstatuar se në pjesën e bagazhit ishte fshehur një sasi me lëndë narkotike, në një vend të hapur posaçërisht për fshehjen e saj. Pas konstatimit, Policia Kufitare ka njoftuar grupin hetimor dhe specialistët për hetimin e narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe pas kontrollit më të imtësishëm rezultoi se në mjet ishin fshehur gjithsej 36.3 kg lëndë narkotike, e dyshuar e llojit cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për hetimin e narkotikëve kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit shtetasin E. K., 36 vjeç, lindur në Librazhd dhe banues në Sarandë. Materialet do t’i referohen prokurorisë, në ngarkim të tij, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, e mbetur në tentativë”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 225 shtetas, konkretisht: 55 janë arrestuar, 18 janë ndaluar dhe 152 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndalur 12 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 18 raste, konkretisht: 6 raste të “Kanosja”; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 12 raste të dhunës në familje në të gjithë territorin, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 25 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 18 raste, 8 raste me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 10 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke” dhe autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 23 raste, me 25 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 16 raste aksidentesh, me 21 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 16 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.
Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.