Interpol Tirana – Vijon bashkëpunimi me homologët, me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe dërgimin e tyre para drejtësisë. Një tjetër i kërkuar bie në pranga, falë bashkëpunimit të Interpolit me homologët. Nga specialistët e Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Kroacia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar P. P., 29 vjeç, banues në Shkodër. Shtetasi P. P. ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, për kryerjen e veprave penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Vjedhja me dhunë”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në nëntor të vitit 2018, i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: ky person u jepte ndihmë shtetasve të huaj për të kaluar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në Malin e Zi, duke pasur si destinacion vendet e Evropës Perëndimore. Shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër, në shtator të vitit 2018, kanë konstatuar 6 shtetas pakistanezë, të cilët synonin të kalonin në Malin e Zi, të ndihmuar nga shtetasi P. P., i cili pasi i kishte afruar në kufi me Malin e Zi u kishte marrë nëpërmjet kanosjes 720 euro, 2 telefona celularë, si dhe 6 çanta ku mbanin dokumentet e tyre. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë me Interpol Tirana dhe Policinë kroate u bë e mundur kapja e këtij shtetasi me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.
Bulqizë – U konfliktuan fizikisht me një shtetas, kundërshtuan me dhunë punonjësit e policisë, vihen në pranga babë e bir. Shpallet në kërkim edhe djali tjetër që ndërhyri për të penguar punonjësit e Policisë me qëllim mosshoqërimin e babait dhe të vëllait. Në orët e vona të mbrëmjes në Qytetin e Ri, Bulqizë, si pasojë një konflikti të çastit janë konfliktuar me njëri-tjetrin tre shtetas. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, si dhe kanë bërë shoqërimin për në Komisariat të personave të përfshirë në konflikt. Në momentet e shoqërimit të shtetasve L. G., 61 vjeç dhe djalit të tij A. G., 31 vjeç, ka ndërhyrë 29-vjeçari A. G. (djali tjetër i shtetasit L. G.) duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë.Në ndihmë të patrullës kanë ardhur shërbime të tjera të Komisariatit të Policisë. 29-vjeçari A. G. duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet, ndërsa dy shtetasit e tjerë, babë e bir, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë për veprime të mëtejshme. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve L. G., 61 vjeç dhe djalit të tij shtetasit A. G. 31 vjeç, si dhe u shpall në kërkim 29-vjecari A. G., për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim.
Maliq – Shkon në 8 numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit “Zereci”. Në vijim të operacionit policor të koduar “Zereci”, zhvilluar në muajin korrik 2019, ndalohet një tjetër shtetas për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, nga hetimet e kryera në vijim të operacionit “Zereci”, zhvilluar në muajin korrik 2019, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, trafikimit të të miturve dhe armëmbajtjes pa leje, si rezultat i të cilit u arrestuan 7 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, kanë bërë të mundur dokumentimin e aktivitetit kriminal të një bashkëpunëtori tjetër të dyshuar të tyre, konkretisht të shtetasit A. Q., 37 vjeç, banues në Elbasan. Shtetasi i mësipërm u ndalua pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Vijon puna për kapjen e shtetasit L. P., i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit – Finalizohet operacioni i koduar “Start”. Operacioni nga Njësia Speciale “FAST”, për kapjen e personave në kërkim. Operacioni në koordinim nga Interpol Tirana. Kapen në Durrës e Tiranë një 33-vjeçar dhe një 26-vjeçare, të dy shtetas francezë, të kërkuar nga drejtësia franceze. Kapja dhe arrestimi i tyre, me qëllim ekstradimin drejt Francës. Në vijim të shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe homologëve për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe pas koordinimit të veprimeve me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë e Durrës për lokalizimin e vendndodhjes së personave që kërkoheshin, Njësia Speciale “FAST”, për kapjen e personave në kërkim, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Start”. Si rezultat i operacionit u bë e mundur që në Tiranë, të kapej dhe të arrestohej shtetasja franceze C. F., 26 vjeçe, si dhe në Durrës të kapej e arrestohej shtetasi francez A. Gh., 33 vjeç, të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi autoritetet gjyqësore franceze të Gjykatës së Lartë Lorent, Francë kanë lëshuar urdhër-arrestin për këta shtetas, për veprat penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim”, “Falsifikimi i çeqeve” dhe “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, parashikuar nga nenet e Kodit Penal francez. Arrestimi i tyre u bë me qëllim ekstradimin drejt Francës.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 181 shtetas, konkretisht: 31 janë arrestuar, 6 janë ndalur dhe 144 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 17 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 28 raste, konkretisht: 9 raste të “Kanosja”; 9 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 24 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 25 raste, 7 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 18 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 7 raste, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 13 raste, me 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 16 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 17 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 13 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.