Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Vijon operacioni “Mataro”. Si rezultat i hetimeve të thelluara, Policia zbulon një  apartament në përdorim nga shtetasi E. V. Gjatë kontrollit të apartamentit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armë zjarri pistoletë, leje drejtimi dhe dokumente të tjera të lëshuara nga një shtet tjetër. Shërbimet e Policisë Lezhë kanë vijuar punën intensive për dokumentimin e plotë e veprimtarisë kriminale të shtetasve E. V. dhe M. N. të cilët janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Mataro”. Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore është zbuluar një apartament që ishte në përdorim nga shtetasi E.V. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në këtë apartament gjetën  dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, disa mjete identifikimi dhe leje drejtimi të lëshuara nga një shtet tjetër. Gjatë operacionit “Mataro” u vunë në pranga 3 shtetas, u shpallën në kërkim shtetasit E. V. dhe M. N., si dhe u sekuestruan arsenal me armë, municion, mina me telekomandë, një sasi e konsiderueshme eurosh e përfituar nga veprimtaria kriminale dhe sende të tjera të kundërligjshme. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

DVP Berat – Përdori kartmonedha të falsfikuara, kapet dhe ndalohet poseduesi. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Berat u bë ndalimi i shtetasit S.K., 18 vjeç, banues në Skrapar, pasi në dy subjekte me artikuj të ndryshëm përdori për blerje dy kartmonedha me prerje 100 euro, të cilat dyshohen të jenë të falsfikuara. Nga specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.A., 42 vjeç, banues në Dimal, pasi në vendin e quajtur “Sheshi Dimal”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.08 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë kapja dhe ndalimi i  shtetasit V. Gj., 32 vjec, banues në lagjen “Pavarësia 3”, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi është konstatuar duke ndërtuar një banesë një katëshe, në Palasë, Himarë, pa leje nga organet kompetente. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Maliq – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë shpalljen në kërkim për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe po punojnë për kapjen e shtetasve E. M., 26 vjeç dhe G. V., 24 vjeç, banues në Maliq, pasi këta shtetas mbrëmjen e djeshme në qytetin e Maliqit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me grushta dhe mjet prerës shtetasin Sh. H., 30 vjeç, banues në Maliq, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore. Pogradec – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin Gj. P., 56 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, u kap duke kryer punime pa leje. Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin A. Ç., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj babit të tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”, shtetasin F. A., 35 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Elbasan/Informacion paraprak – Më datë 13.12.2021, rreth orës 13:10, në fshatin Zavalin, Elbasan, është gjetur e pajetë, në pyll, pa shenja dhune, shtetasja P. B., 54 vjeçe, banuese në fshatin Zavalin. Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim për largim nga banesa, pasi më datë 12.12.2021, rreth orës 16:00, shtetasi Th. S., 30 vjeç, banues në fshatin Zavalin, Elbasan, ka bërë kallëzim se ishte larguar nga banesa, tezja e tij, shtetasja P. B., 54 vjeçe, banuese në Zavalin. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 179 shtetas, konkretisht: 10 janë ndaluar, 67 janë arrestuar në flagrancë dhe 102 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 17 raste, me 10 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 17 raste, konkretisht:  5 raste të “Kanosja”; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë

Janë evidentuar 14 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 28 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 29 raste: 8 raste me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 21 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone dhe 2 të tjerë, për “Vetëgjyqësia”.

Janë proceduar penalisht 7 shtetas, për vepat penale “Mashtrimi”dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Janë arrestuar në flagrancë 6 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Janë proceduar shtetas për 2 shtetas, për shpërdorim detyre.

Janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për falsifikim monedhash, dhe janë proceduar penalisht 3 të tjërë, për falsifikim formularësh.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike” dhe 1 tjetër për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Jnaë proceduar penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone dhe 1 tjetër, për pushtim toke.

Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 8 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 17 aksidente, me 1 viktimë dhe 12 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.