Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kuçovë – Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kuçovë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. S., 37 vjeç, banues në lagjen “Tafil Skëndo”, Kuçovë, (i dënuar më parë për veprën penale Vjedhja), pasi në lagjen “Llukan Prifti”, Kuçovë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasin K. G., 54 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime në kokë. Shtetasi i dëmtuar pasi mori mjekim në Spitalin Rajonal Berat, u dërgua në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim më të specializuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme.

DVP Korçë – Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ndalimin për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, të shtetasit në kërkim O. B., 17 vjeç, banues në Pogradec, pasi më datë 29.10.2021, në lagjen nr. 2, Pogradec, ka goditur për motive të dobëta, me mjet prerës (thikë) shtetasin A. T., 19 vjeç, banues në Pogradec, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” mbetur në tentativë, i shtetasit M. K., banues në një fshat të Njësisë Administrative Proptisht, Pogradec, pasi dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një shtetase, duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: L. M., 42 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në qytetin e Korçës, ka përplasur mjetin e shtetasit K. A. dhe është larguar nga vendngjarja. Pasi u kap nga shërbimet e Policisë, rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur; E. P., 20 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 3, Korçë, u kap duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec dhe Korçë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vihen në pranga 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Forca e Posaçme “Shigjetat” në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”  të shtetasit M. H, 21 vjeç dhe proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” shtetasi A. H, 29 vjeç, pasi në rrugën “Egnatia” shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll mjetin me drejtues shtetasin A. H dhe pasagjer M. H. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit M. H, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lëndë narkotike kanabis, ndërsa shtetasi A. H, nuk ka kallëzuar për krimin. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: G. Gj, 31 vjeç, pasi në rrugën “Xhanfize Keko”, dyshohet se duke drejtuar në gjendje të dehur motomjetin është përplasur me mjetin me drejtues shtetasin I. L, 21 vjeç,. Si pasojë është dëmtuar G. Gj, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve; B. D, 62 vjeç dhe R. H, 56 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; E. M, 25 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; A. C, 40 vjeç, pasi ditën e djeshme ka aksidentuar biçiklistin R. C, 23 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetaset F. Gj., 59 vjeçe dhe F. Z., 28 vjeçe, banuese në Durrës, pasi kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së djalit të 59-vjeçares, shtetases A. D., 25 vjeçe, banuese në Durrës. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, shtetasin L. Sh., 41 vjeç, banues në Nikël, Krujë, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor Fushë Krujë-Tapizë, duke drejtuar mjetin, ka aksidentuar shtetasin I. M., 60 vjeç, banues në Krujë, i cili si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë. Në Spitalin Rajonal Durrës është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi M. G., 29 vjeç,  punonjës i Gardës së Republikës, i cili është dëmtuar aksidentalisht në këmbë me armën e shërbimit. Aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.  Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 203 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 61 janë arrestuar në flagrancë dhe 134 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 11 autorë të arrestuar në flagrancë dhe  10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 21 raste, konkretisht: 10 raste të “Kanosja”; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rënde me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 12 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 15 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 22 raste: 4 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 18 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”dhe të tjerë, për “Mashtrimi në kredi”.

Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, ku autorët po procedohen ën gjendje të lirë.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për falsifikim dokumentesh.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shpërdorim detyre.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për shkatërrim prone dhe 2 të tjerë, për “Prishja e qetësisë publike”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 1 tjetër për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.

Është arrestuat në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Përndjekja” dhe 1 tjetër për “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” mbetur në tentativë”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për armëmbajtje pa leje dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 21 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 24 aksidente, me 1 viktimë dhe 32 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.