Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Lezhë – Drejtonte mjetin në gjendje të dehur, fyen dhe kundështon punonjësit e Policisë, vihet në pranga nga Policia. Specialistët e qarkullimit rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. H., 45 vjeç, banues në Kurbin, pasi në dalje të qytetit të Laçit, u kap nga sherbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe nuk i është bindur urdhrit të punjonjësve të Policisë Rrugore gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke i fyer dhe kundërshtuar. Gjithashtu, nga rrugorët e Lezhës, gjatë fundjavës, janë vënë në pranga dhe 5 shtetas, për drejtim mjeti pa lejen përkatëse të drejtimit, si dhe drejtuesi i mjetit të përfshirë në një aksident, me pasojë vdekjen e një këmbësori. Policia rrugore e Lezhës vijon zbatimin e planit për shtimin e kontrolleve, për rritjen e parametrave të sigurisë, orientimin dhe këshillimin e drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe ndëshkimin administrativ dhe ligjor të shkelësve. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Mirditë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, mbi bazën e informacionit të marrë në rrugë operative për vendodhjen e një shtetasi në kërkim policor, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit M. P., 40 vjeç, banues në Mirditë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendim në maj 2019, e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vodhën nën kërcënimin e thikës në banesën e tre studentëve, por falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, njërit prej studentëve dhe banorëve të zonës  kapet gjatë ndjekjes njëri nga autorët, ndërsa autori tjetër ka mundur të largohet, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Në një banesë në lagjen nr. 15, Durrës, në të cilën banonin me qira tre studentë, rreth orës 04:00 të mëngjesit kanë hyrë dy persona dhe nën kërcënimin e një thike u kanë marrë 800 euro. Njëri prej studentëve ka njoftuar Policinë dhe është vënë në ndjekje të autorit. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, dhe ndihmës së banorëve të zonës është bërë e mundur kapja në flagrancë e njërit prej autorëve, konkretisht  S. A., 22 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal në fushën e vjedhjes. Si rezultat i veprimeve të para të kryera nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Durrës u bë i mundur identifikimi i autorit tjetër S. A., banues në Vlorë dhe vijon puna për kapjen e tij. Autorët e dyshuar kishin disa ditë që jetonin me qira në  një nga hyrjet e pallatit  ku jetonin edhe tre studentët. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 telefona, dy çanta dore dhe një sasi parash. Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 2 një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Arrestohet në flagrancë 25-vjeçari që shpërndante lëndën narkotike. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 27 doza cannabis dhe një sasi lekësh të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, në bazë të të dhënave të mbledhura në rrugë operative se një shtetas shpërndante lëndë narkotike të llojit cannabis sativa në afërsi të shkollave, kanë organizuar punën duke bërë identifikimin dhe lokalizimin e personit të dyshuar. Në bashkëpunim edhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit të dyshuar, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. Gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti 27 doza me lëndë narkotike, shumën prej 63 500 lekësh të reja dhe një telefon celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për hetimin e narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. M., 25 vjeç, banues në Tiranë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Lezhë – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje, falë bashkëpunimit Polici – Komunitet. Sekuestrohen 2 armë zjarri dhe një sasi fishekësh luftarakë. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Në kuadër të planit të masave për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërinë, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, specialistët e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë kanë goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bazë të informacioneve të marra nga qytetarët se një shtetas dispononte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit N. P., banues në Kallmet. Si rezultat i kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov dhe 2 krehëra me 54 fishekë, si dhe 1 pistoletë me 2 krehëra me 15 fishekë. Në përfundim të veprimeve të kryera, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë bënë arrestimin e shtetasit N. P., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Materialet procedurale do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

 

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 210 shtetas, konkretisht: 52 janë arrestuar, 14 janë ndalur dhe 144 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 9 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 25 raste në të gjithë territorin, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 17 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar  24 raste, konkretisht: 8 raste të “Kanosja”; 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 4 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, me 10 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 35 raste, 13 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lire, si edhe 22  raste, për të cilat po punohet për identfikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 12 raste, me 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 12 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Është ëvidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Gjatë 72 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 14 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 14 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 11 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.