Raporti i ngjarjeve për 48 orët e fundit, 11 – 12 dhjetor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.


Krujë – Plagosi me armë zjarri, një shtetas (shok i tij) dhe më pas veten, vihet në pranga 25-vjeçari. Në pranga edhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, për prishje të vendit të ngjarjes dhe fshehje të provave. Arrestohet edhe një shtetas tjetër (shok i shtetasve të plagosur), për moskallëzim të krimit. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë me të cilën u krye plagosja. Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Krujë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xh. S., 25 vjeç, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”. Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 24 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi: F. K., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë, rezulton se këta shtetas ishin ulur së bashku në të njëjtën tavolinë, në lokalin e shtetasit H. M., në Qerek Tapizë. Dyshohet se në gjendje të dehur, shtetasi Xh. S., ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe në rrethana ende të paqarta, ka plagosur shtetasin L. C. (shok i tij) dhe më pas është vetëplagosur në dorë. Të dy shtetasit e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën. Po nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi H. M., pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, ka fshehur armën e krimit, ka hequr gëzhojat nga vendngjarja dhe ka prishur vendin e ngjarjes. Gurpi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.


Morinë, Kukës/Vijojnë kontrollet intensive nga Policia Kufitare, për goditjen e veprimtarive kriminale. Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 20 000 paund, procedohet penalisht 32-vjeçari që nuk i deklaroi në PKK Morinë. Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin A. H. Gjatë kontrollit të ushtruar, në kroskotin e automjetit së shtetasit A. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 20 000 paund, të padeklaruara nga 32-vjeçari, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 32 vjeç, banues në Prishtinë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.


Rinas – Policia Kufitare e Rinasit, kontrolle të shtuara duke përdorur teknologjinë bashkëkohore me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, të falsifikimit të dokumenteve. Arrestohen në flagrancë tre shtetas kosovarë, të cilët tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara. Shpallet në kërkim edhe shtetasi që kishte siguruar dokumentet e falsifikuara, shtetasve të arrestuar, kundrejt pagesës së shumave të konsiderueshme. Sekuestrohen tre leje qëndrimi gjermane, të falsifikuara. Në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë arrestuar në flagrancë, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit L.I, 24 vjeç, Sh.H, 26 vjeç dhe P.A.,27 vjeç, të tre nga Kosova. Gjithashtu, u shpall në kërkim për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, shtetasi E. H., 20 vjeç, nga Kosava, rezident në Gjermani. Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas janë paraqitur te sporteli policor në kabinat e daljes nga Republika e Shqipërisë, pasi do të udhëtonin në drejtim të Gjermanisë, dhe te sporteli kanë paraqitur, lejet e qëndrimit për në Gjermani, dhe pasaporat e tyre të cilat kishin nga një vulë të Maqedonisë së Veriut. Punonjësit e Policisë mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme për origjinalitetin e dokumenteve, kanë bërë bllokimin e tyre dhe pas verifikimeve të bëra, në laboratorin e Policisë Kufitare, duke përdorur mjetet logjistike bashkëkohore që tashmë disponon Policia Kufitare, rezultoi se lejet e qëndrimit dhe vulat, ishin të falsifikuara. Në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit E. H., rezident në Gjermani, i cili kundrejt shumave të konsiderueshme në euro, iu kishte siguruar lejet e qëndrimit dhe vulat në pasaporta, këtyre shtetasve. Materialet proceduriale ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Lezhë/Vijon operacioni policor i koduar “Tjetërsimi i Lagunës”, për goditjen e veprimtarive të paligjshme, në zonat e mbrojtura. Vihet në pranga një tjetër punonjës (Përgjegjës Sektori) i AdZM, Lezhë, i shpallur në kërkim, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, ka lejuar dëmtimin e lagunës së Kune-Vainit. Shkon në 5 numri i funksionarëve publikë, të ndaluar në kuadër të këtij operacioni. Në vijim të operacionit “Tjetërsimi i Lagunës”, i iniciuar në qershor të këtij viti, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të përfshirë në dëmtimin e zonës së mbrojtur “Laguna e Kune-Vainit”, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, kanë vijuar hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetasi P. N., 61 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Monitorimit të AdZM, Lezhë, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Tjetërsimi i Lagunës”. Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se bashkë me 4 punonjës të tjerë të AdZM, Lezhë, të ndaluar më parë në kuadër të këtij operacioni, nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, si dhe se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit, konkretisht të zonës së quajtur “Grykëderdhja e Matkeqës”. Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në dëmtimin apo keqmenaxhimin e zonave të mbrojtura të qarkut. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Tiranë/Vihen në pranga 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin B. H., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike e llojit kanabis. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit N. K., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasin S. N., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit A. Sh., 30 vjeçe, A. K., 34 vjeç, M. L., 32 vjeç, të tre banues në Tiranë, pasi u kapën duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur. Në Komisariatin e Policisë Nr. 5, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasja L. K., 66 vjeçe, banuese në Valias, se në qeshor të këtij viti, është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më, djali i saj, shtetasi Sh. K., 28 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Korçë/Informacion paraprak – Më datë 11.12.2022, rreth orës 20:38, tek ura pranë fshatit Polenë, Korçë, shtetasi A. P., 45 vjeç, duke drejtuar një automjet tip “Nissan”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga, duke rënë në lumë. Drejt vendngjarjes u dërguan ambulanca, shërbimet e Policisë Rrugore dhe zjarrfikësja, të cilët bënë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë, të drejtuesit të automjetit shtetasit A. P., i cili udhëtonte i vetëm. Trupi i 45-vjeçarit, u dërgua në morgun e spitalit Korçë, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 2 janë shpallur në kërkim, 23 janë arrestuar në flagrancë dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 autor të shpallur në kërkim dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 2 raste me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evdientuar 2 raste të mosdeklarimit të të hollave, me 1 autor të vënë në pranga dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të mosbindjes ndaj urdhrave të punonjësve të policisë.
Janë evidentuar 2 raste të veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës, me nga 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 2 autorë që po procedohen penalisht.
Është evidentuar 1 rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, me 1 autor të vënë në pranga.
Është evdientuar 1 rast i prerjes së paligjshme të pyjeve, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të prishjes së qetësisë publike, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Mashtrimi”, me 1 autor të shpallur në kërkim.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 aksidente, me 2 viktima dhe 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 10 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 8 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.