Raporti i ngjarjeve gjatë 72 orëve të fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Operacion policor ndërkombëtar mes Policisë së Tiranës, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Departamentit të Policisë Kriminale në P.SH dhe Policisë greke, me ndërmjetësimin e Interpol Tirana. Finalizohet operacioni policor i koduar ”Korinthos”, iniciuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Arrestohen 5 shtetas të dyshuar si autorë të pengmarrjes së një shtetasi, nga këta 1 i arrestuar në Shqipëri dhe 4 në Greqi. Falë inicimit nga Policia e Tiranës, dhënies së informacionit në kohë reale Policisë greke me adresën e saktë të vendndodhjes së pengmarrësve dhe mbajtjes së pengut, Policia greke bëri të mundur lirimin e pengut dhe arrestimin e katër shtetasve. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë morën informacion se në një fshat të Korinthos, Greqi, disa shtetas shqiptarë për motive të dobëta kishin marrë peng një shtetas nga Tirana dhe i kërkonin 10.000 euro për ta lënë të lirë. Pas një hetimi disaditor duke përdorur metodat speciale të hetimit, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe Policinë greke, me ndërmjetësimin e Interpol Tirana, finalizoi me sukses operacionin policor ndërkombëtar “Korinthos”. Policia e Tiranës, falë informacionit të grumbulluar për vendndodhjen e saktë të autorëve dhe vendit ku mbahej peng shtetasi J.T., i ka dhënë nëpërmjet Interpol Tirana, Policisë greke informacion të saktë në kohë reale mbi vendndodhjen (adresën e banimit) të personit të marrë peng dhe pengmarrësve. Policia greke mbi bazën e informacioneve të marra nga Policia e Shtetit bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve Xh.N., 49 vjeç, banues në Tiranë, H.M., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, B.M., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe M.M., 19 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, si rezultat i ndërhyrjes në kohë është bërë i mundur lirimi i pengut, shtetasi J. T., banues në Tiranë. Po në vijim të operacionit Policia e Tiranës bëri kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit L. P., 24 vjeç, banues në Tiranë, (bashkëpunëtor). Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë vazhdon punën intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë“ e kryer në bashkëpunim.

Lushnjë – Reagimi në kohë i policisë parandalon një krim brënda familjes. Arrestohet në flagrancë 38-vjeçari, pasi dyshohej se do kryente krim të rëndë në familje, pas konfliktit me nënën e tij. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, me silenciator dhe 43 fishekë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin E.D, 38 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë. Policia e Lushnjës ka marrë njoftim në rrugë operative se ky shtetas po konfliktohej me nënën e tij, në banesën e tyre, në Dushk të Lushnjës. Policia ka vlerësuar menjëherë informacionin dhe falë reagimit në kohë u bë e mundur kapja në flagrancë e tij dhe gjetja në trup e një arme zjarri pistoletë me silenciator. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 43 fishekë luftarakë. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lushnjë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Dhuna në familje”.

Vlorë – Policia gjen turistët hungarezë S.D. dhe B.M., të cilët kishin humbur rrugën mbrëmjen e kaluar, në zonën e Karaburunit. Në lidhje me humbjen e rrugës nga çifti hungarez ditën e djeshme në zonën e Karaburunit, pas kërkimeve të pandërprera të shërbimeve të Policisë Kufitare, Delta Forcë dhe shërbimeve të tjera vendore është bërë i mundur lokalizimi i tyre, nëpërmjet GPS, rreth orës 06:30 të mëngjesit të sotëm. Menjëherë janë nisur shërbime të tjera shtesë drejt vendndodhjes, pasi terreni ishte tepër i vështirë e i thellë dhe rreth orës 10:00 është bërë e mundur gjetja e tyre dhe kontakti fizik me ta pranë vendit të quajtur “Lerat”, në Llogora.

Çifti kishte humbur kontaktet, rrugën dhe orientimin një dite më parë dhe për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, e kishte të pamundur kthimin mbrapa. Aktualisht po bëhet transportimi i çiftit pranë vendndodhjes së tyre në zyrat e zonave të mbrojtura, në Parkun e Llogarasë. Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar shërbimet e kërkimit që iu erdhën në ndihmë.

Theth, Shkodër – Telefonata në 112 nga banorët dhe reagimi në kohë i Policisë vuri në pranga 24-vjeçarin për armëmbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë publike, duke krijuar panik tek banorët dhe pushuesit. Qëlloi me armë zjarri automatik në ajër, kapet në flagrancë nga Policia e Shkodrës, së bashku me armën kallashnikov, me një krehër me fishekë. Nga strukturat e policisë së Shkodrës, falë reagimit të shpejtë, u arrestua në flagrancë shtetasi K. H. 24 vjeç, banues në fshatin Theth, Shkodër. Mbrëmjen e djeshme, në sallën operative të Policisë në numrin 112 ka ardhur telefonatë se në qendër të fshatit Theth, Shkodër një person po qëllonte me armë zjarri në ajër, duke krijuar panik te banorët dhe pushuesit. Shërbimet e Policisë kanë reaguar me shpejtësi e profesionalizëm dhe falë bashkëpunimit të banorëve, bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen në flagrancë të 24-vjeçarit, bashkë me armën e zjarrit kallashnikov, me një krehër me fishekë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Mbajtja pa leje armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Durrës – Finalizohet operacioni “Udhëtari”, zhvilluar nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës. Vidhte lekët dhe sende me vlerë të udhëtarëve të autobuzit të linjës Durrës-Plazh, vihet në pranga nga Policia. Arrestohet 42-vjeçari, i cili dyshohet se ka kryer një sërë vjedhjesh të pasagjerëve të linjës për në plazh. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 200 euro, që ua kishte vjedhur pasagjerëve të linjës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës kanë finalizuar me sukses një tjetër operacion në fushën e mbrojtjes së pasurisë, duke arrestuar në flagrancë shtetasin A.M., 42 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Shtetësi i mësipërm, më datë 24.08.2019, në mbrëmje, në lagjen Nr .17/1 Durrës, në Urbanin e linjës Durrës – Plazh dyshohet se i ka vjedhur shtetasit E.B., banues në Mitrovicë , portofolin ku kishte 200 €, karta banke, kartë identiteti. Më pas ka tentuar të largohet, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja e tij. Nga hetimet e kryera, rezulton dhe është dokumentuar se shtetasi i arrestuar, gjatë dy muajve të fundit ka realizuar disa vjedhje portofolash të udhëtarëve të ndryshëm, të cilët udhetonin me urbanin e linjës Durrës-Plazh dhe anasjelltas, konkretisht: më datë 07.06.2019 dyshohet se në urban, në xhep i ka vjedhur portofolin shtetasit E.D., ku kishte vlera monetare dhe dokumenta; Më datë 03.08.2019 dyshohet se në urban i ka vjedhur shtetases I.H., portofolin dhe telefonin cellular; Më datë 15.08.2019, dyshohet se në urban i ka vjedhur shtetasit A.D., portofolin ku kishte vlera monetare dhe dokumenta. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan një sasi parash në euro, portofol, kartë banke dhe kartë identiteti. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”.

Lezhë – Më datë 24.08.2019, rreth orës 22:10, në aksin rrugor Lezhë – Milot, në kryqëzim të Shënkollit, në një karburant, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve. Për pasojë janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz, shtetasit B.B. vjeç 36, A.B. vjeç 33, D.B. vjeçe 33, 2 vajza të mitura 5 dhe 2 vjeçe dhe dy punonjës pranë karburantit, shtetasit N.P. vjeç 40 dhe P.L. 31 vjeç, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara. Shtetasit N.P. dhe B.B. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit. Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve nga perimetri i sigurisë, si dhe bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje. Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj.

 

Policia e Shtetit dhe Ministria e Shëndetësisë në ndihmë të turistit çek – Transportohet në kohë reale me helikopter turisti çek që u rrëzua me motoçikletë në përroin e Cirovës, në zonën malore të fshatit Rinas të Librazhdit. Rreth orës 19:00, një grup turistësh çekë, po përshkonin me motorr rrugën malore mbi fshatin Rinas të Librazhdit, që lidhet me Shëngjergjin. Njëri prej tyre shtetasi R.K, 53 vjeç, ka humbur kontrollin e motoçikletës dhe ka dalë nga rruga, duke rënë në përroin e Cirovës. Turistët kanë njoftuar në numrin 112, Sallën operative të Librazhdit dhe menjëherë në drejtim të tyre është nisur një patrullë policie dhe autoambulanca. Si pasojë e terrenit të vështirë, transportimi me autoambulancë ishte i pamundur dhe në këto kushte, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka komunikuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të dërguar një helikopter. Menjëherë helikopteri i shëndetësisë është nisur në drejtim të vendit të ngjarjes duke bërë të mundur transportimin në kohë për në Spitalin Ushtarak të shtetasit çek, i cili kishte pësuar fraktura, në trup, jashtë rrezikut për jetën. Ambasada çeke në Tiranë dhe grupi i turistëve kanë falënderuar Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për reagimin në kohë, duke i shpëtuar jetën turistit çek.

 

Korçë – Xhironte gomat dhe kryente veprime të pakontrolluara gjatë drejtimit të mjetit në bulevardin “Republika”, duke rrezikuar qytetarët, si dhe kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë, por arrestohet në flagrancë. Më datë 23.08.2019, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E.M, 31 vjeç, banues në Korçë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë konstatuar shtetasin e mësipërm, duke xhiruar gomat dhe kryer lëvizje të pakontrolluara në Bulevardin “Republika” dhe i kanë bërë shenjë të ndalonte. 31-vjeçari nuk ka ndaluar, por është larguar me shpejtësi dhe më pas është kapur nga punonjësit e Policisë. Ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë gjatë shoqërimit të tij, për në ambientet e Komisariatit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Korçë, për veprime të mëtejshme.

 

Elbasan – Ndalohet një shtetase për mashtrim, duke përfituar 500.000 lekë në këmbim të ndihmës për legalizim të banesës. Procedohet penalisht për shpërdorim detyre një punonjëse e ndihmës ekonomike në njësinë administrative Tregan, Elbasan, si dhe një shtetas për falsifikim të dokumenteve. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në DVP Elbasan, u bë ndalimi i shtetases A.D., 26 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase në mënyrë të vazhdueshme për një periudhë 2 vjeçare me anë të mashtrimit i ka marrë rreth 500.000 lekë të reja, shtetasit B.P., duke i premtuar se me anë të njohjeve që kjo shtetase kishte në zyrat e legalizimit, do ndikonte që ky shtetas të përfitonte legalizimin e banesës. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në DVP Elbasan kanë proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës“, shtetasen M. T, si dhe shtetasin F.B, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve“. Shtetasja M.T, është punonjëse e zyrës së ndihmës ekonomike në Njësinë Administrative Tregan, Elbasan dhe ka plotësuar në sistem formularin e deklarimit të F.D, duke mos bërë verifikimet e duhura në terren dhe për pasojë shtetasi F. D. ka përfituar ndihmë ekonomike në mënyrë të padrejtë, pasi ky shtetas kishte deklaruar të dhëna të falsifikuara me qëllim përfitimin e ndihmës ekonomike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.

 

Lezhë – Policia identifikon dhe arreston në flagrancë autorët e dyshuar të vënies së zjarrit në Malin e Shëngjinit. Zjarr i dyshuar i vënë për qëllime përfitimi, hapje kullotash për bagëti etj, i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha, si dhe rrezikuar banesa. Procedohet edhe një shtetas tjetër për zjarrvënie të qëllimshme në një sipërfaqe toke afër banesës së tij. Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo personi për zjarrvënie të qëllimshme apo edhe nga pakujdesia që shkaktojnë dëme, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit M.I. 34 vjeç, banues në Ishull, Shëngjin dhe A.U. 24 vjeç, banues në Shëngjin.

Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, rreth orës 21:45, më datë 22 gusht, në Malin e Shëngjinit tek “Lugu i Lemes”, dyshohet që i kanë vënë zjarrin malit me qëllim hapjen e kullotave për bagëtitë dhe prerjen e lëndëve drusore për shitje, zjarr i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha, si dhe duke rrezikuar banesa e jetë njerëzish. Veprat penale “Shkatërrim prone me zjarr” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 151 -25 i Kodit Penal. Gjithashtu, u referuan materialet hetimore për procedim penal edhe ndaj shtetasit K.M. banues në Tresh, Lezhë, sepse dyshohet që i ka vënë zjarrin një sipërfaqeje toke rreth 500 m2, ku nga zjarri është djegur edhe rrethimi me shkurre i stanit të bagëtive të tij. Vepra penale “Shkatërrim prone me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal. Materialet procedurale hetimore në ngarkim të shtetasve lartpërmendur, u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 189 shtetas, konkretisht: 68 janë arrestuar, 19 janë ndalur dhe 102 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, në qarkun Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje dhe janë plotësuar 23 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 45 raste në të gjithë territorin, nga këto: 28 raste janë zbardhur dhe autorët janë arrestuar, ndaluar apo proceduar, ndërsa për 17 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 14 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 19 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 21 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 19 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar dhe proceduar 19 shtetas që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar 7 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.