Raporti i ngjarjeve, 9 janar 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Durrës/Angazhim maksimal dhe kontrolle të përditshme, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Tempulli” dhe në Paketën për Sigurinë në shkolla.

Kontrollet, bazuar në inteligjencën policore, kryhen në afërsi të shkollave dhe në ambiente të tjera që frekuentojnë të rinjtë, për të parandaluar dhe goditur veprimtaritë kriminale.

Finalizohet pas një hetimi dymujor, me metoda proaktive, operacioni policor antidrogë i koduar “Grupi”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.

Goditet një grup kriminal që kryente veprimtarinë e shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, në doza, në afërsi të shkollave dhe në lokale nate.

Arrestohen 3 pjesëtarë të këtij grupi dhe vijon puna për arrestimin e një tjetri, tashmë të identifikuar nga Policia.

Sekuestrohen 5 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, e gatshme për t’u ndarë në doza, me qëllim shitjen, një automjet, tre celularë dhe një shumë parash e përfituar nga veprimtaria kriminale.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar të koduar “Tempulli” dhe në Paketën për Sigurinë në shkolla, si dhe si rezultat i një hetimi të ndjekur për rreth 2 muaj, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për të provuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve, të cilët të organizuar si grup, siguronin dhe shitnin doza të lëndës narkotike cannabis sativa, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Grupi”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasit A. J., 50 vjeç dhe A. J., 24 vjeç, babë e bir, të dy banues në Fushë Krujë, dhe shtetasin R. K., 27 vjeç, banues në Krujë, si dhe identifikuan dhe shpallën në kërkim një tjetër shtetas, pjesëtar të këtij grupi.

Gjithashtu, gjetën 5 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, të gatshme për t’u ndarë në doza, me qëllim shitjen nga këta shtetas, në afërsi të shkollave dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet, tre celularë dhe 400 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e dozave.

Vijon puna për ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë grup.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë , për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, angazhim maksimal në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i posedojnë ato.   

Sekuestrohen granata, krehra pistolete dhe kallashnikovi, municion luftarak, pistoletë dhe një kapuç si maskë. 

Shpallet në kërkim 50-vjeçari që i mbante ato në banesë. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se në fshatin Vilëz, një shtetas mbante armë shpërthyese dhe sende të tjera të paligjshme, në banesë, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit D. V., 50 vjeç, banues në fshatin Vilëz, Zall Bastar. 

Gjatë kontrollit në banesën e 50-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, katër granata, krehra pistolete, krehra kallashnikovi dhe municion luftarak, që dyshohet se i posedonte ky shtetas.       

Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Kontrolle të përditshme dhe bashkëpunim me qytetarët për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e dhunës në familje.

Për këtë krim u vunë në pranga 2 shtetas dhe u procedua në gjendje të lirë 1 tjetër.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, pas njoftimeve për 3 raste të dhunës në familje, në Lezhë dhe në Kurbin:

-u arrestua shtetasi B. S., 30 vjeç, banues në Lezhë, pasi në mënyrë të vazhdueshme dhe në prezencë të fëmijëve të tyre mitur, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij;

-u arrestua shtetasi F. T., 49 vjeç, banues në Kurbin, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij;

-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. C., 49 vjeç, banues në Kurbin, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë , për veprime të mëtejshme.

Policia e Lezhës apelon për të denoncuar çdo rast të dhunës në familje dhe siguron se reagimi ndaj autorëve, do të jetë i menjëhershëm, ndërsa ndihma për të dëmtuarit nga kjo vepër penale, do të jetë e integruar.

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”. 

Evidentohet dhe goditet, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, një rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza.     

Vihet në pranga 41-vjeçari që u kap në flagrancë në lagjen “Rilindja”, me doza kokaine të gatshme për shitje.    

Sekuestrohen dozat e lëndës narkotike kokainë, që iu gjetën këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjet.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike, në lagjen “Rilindja”, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.  

Si rezultat, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi E. S., 41 vjeç, banues në Vlorë.  

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kokainë, të ndara në doza, gati për shitje.      

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 41-vjeçari siguronte lëndë narkotike në sasi dhe më pas i ndante në doza, të cilat i shiste në lagje të ndryshme të Vlorës.             

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Fier/Goditje të përditshme në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, kundër prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Kishte përgatitur doza kokaine, për t’i shitur në qendër të qytetit, arrestohet në flagrancë 30-vjeçari.

Sekuestrohen dozat.

Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, në të gjithë territorin e qarkut, të kryera në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe të mbështetur nga inteligjenca policore, kanë goditur një tjetër rast të shitjes në doza, të drogave të forta.

Për rastin u arrestua në flagrancë, në qendër të qytetit të Fierit, shtetasi J. N., 30 vjeç, banues në Fier.

Nga kontrollet fizike dhe në banesë, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan këtij shtetasi, një sasi lënde narkotike kokainë, të ndarë në doza, me qëllim shitjen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.   

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 37 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 3 shtetas të tjerë të kërkuar kombëtarisht/ndërkombëtarisht për krime në këtë fushë, janë kapur dhe vënë në pranga.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. 1 tjetër i kërkuar për krime në këtë fushë, është ndaluar.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste-3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 4 shtetas të tjerë të kërkuar për 2 raste krimesh në këtë fushë, janë kapur dhe vënë në pranga.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë apo tentativave për këtë veprimtari kriminale, janë evidentuar 12 raste, 7 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 7 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për këto veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Përndjekja”, është kapur dhe vënë në pranga.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 7 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.