Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë
Vijojnë kontrollet në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”.
Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, në Kombinat, u kap shtetasi Xh. K., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 2 vjet, 4 muaj e 12 ditë burgim, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Vodhi një shumë parash në një dyqan, identifikohet dhe arrestohet 29-vjeçari, me precedent të mëparshëm për vjedhje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas njoftimit se ishte vjedhur një shumë parash në një dyqan, në lagjen “Lef Sallata”, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Storm 17“ u arrestua autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi E. B., 29 vjeç, banues në Vlorë, me precedent të mëparshëm penal për vjedhje.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Berat
Kishte përshtatur lokalin për organizim të veprimtarisë së lojërave të fatit me makineta, identifikohet dhe procedohet penalisht administratori i lokalit.
Sekuestrohen 3 pajisje që shërbenin për lojërat e fatit.
Komisariati i Policisë Berat, si rezultat i kontrolleve në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, goditi një tjetër rast të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. T., 66 vjeç, banues në Berat.
Në lokalin në Berat që administronte ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 lap top, 1 IPad dhe 1 makinetë që përdoreshin për lojëra fati.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Tepelenë/Kontrolle intensive bazuar dhe në inteligjencën policore, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të cannabisit.
Kishin përshtatur një ambient (banesë të pabanuar), në fshatin Veliqot, për kultivim të bimëve narkotike, nëpërmjet llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, identifikohen 2 shtetas (njëri prej tyre pronari i banesës) dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Në ambientin e përshtatur u gjetën dhe u sekuestruan 249 bimë narkotike të mbjella në vazo, 25.35 kg lëndë narkotike cannabis sativa, llamba, pajisje ventilimi dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.
Në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa, në terren apo në ambiente të mbyllura me llamba, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokaster kanë intensifikuar kontrollet.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në bazë të inteligjencës policore, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në fshatin Veliqot, në kuadër të operacionit të koduar “Closed”, kanë zbuluar një ambient (banesë të pabanuar) të përshtatur me llamba që furnizoheshin me energji elektrike, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa, në vazo.
Nga ky ambient, Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 249 bimë narkotike të mbjella në vazo, 25.35 kg lëndë narkotike cannabis sativa, llamba, pajisje ventilimi dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit: D. Xh., 27 vjeç, banues në fshatin Veliqot (pronari i banesës) dhe E. Sh., 47 vjeç, banues në Sarandë, bashkautorë në këtë veprimtari kriminale.
Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 105 shtetas, konkretisht: 26 shtetas janë vënë në pranga, 69 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim për vepra penale në këtë fushë, janë kapur.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kibernetike, me autorë ende të paidentifikuar. 1 shtetas i shpallur në kërkim për vepra penale në këtë fushë, është kapur.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 15 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste- 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
Për 1 rast të mëparshëm të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, është ndaluar 1 shtetas, ndërsa për 1 rast të mëparshëm të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 1 shtetas.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.