Raporti i ngjarjeve, 7 shkurt 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Durrës

Posedonte municion luftarak, pa leje, dhe vinte baste sportive, me celular, arrestohet 49-vjeçari.

Sekuestrohen 773 fishekë luftarak dhe celulari i të arrestuarit.

Nga kontrollet në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, me qëllim goditjen e paligjshmërive, në çdo formë të shfaqjes së tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës konstatuan se shtetasi Y. A. posedonte në ambientet e banesës së tij, në lagjen nr. 10, qindra fishekë luftarak, pa leje.

Gjithashtu, nga verifikimet u konstatua se ky shtetas kishte në celular, faqe online aktive, të cilat i përdorte për të vënë baste sportive.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u vu në pranga shtetasi Y. A., 49 vjeç, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 773 fishekë luftarak dhe celulari i 49-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”. 

Vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, shkon në 77 numri i shtetasve të ndaluar.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gramë heroinë, 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta, 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro dhe 630 paund.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara mbi vendndodhjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, menjëherë kanë vijuar kontrollet intensive për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, u kapën dhe u ndaluan shtetasit J. B., 33 vjeç dhe A. N., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Kontrolle të befasishme, bazuar në inteligjencën policore, vijojnë të kryhen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që mbajnë armë, pa leje.

Si rezultat i këtyre kontrolleve është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje. 

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Strike 6”, për arrestimin e 34-vjeçarit që lëvizte i armatosur në qytetin e Vlorës.

Sekuestrohet pistoleta me municion luftarak, që iu gjet 34-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas, në lagjen “29 Nëntori”, lëvizte i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 6”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

-S. S., 34 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar dhe kanë ushtruar kontroll fizik ndaj shtetasit S. S., të cilit i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtij shtetasi.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. 

Elbasan/Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. 

Kapet dhe vihet në pranga një 56-vjeçar i dënuar nga autoritetet në Itali, me 4 vjet burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.   

Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kapën dhe vunë në pranga shtetasin: 

Artur Llupa alias Robert Cani alias Luan Tabaku, 56 vjeç, banues në Elbasan.  

Autoritetet gjyqësore shqiptare kanë njohur vendimin e autoriteteve gjyqësore italiane, për dënimin e këtij shtetasi, me 4 vjet burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Nga ky dënim, 56-vjeçarit i kanë mbetur për të kryer në vendin tonë, 2 vjet burgim.       

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. 

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 51 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste– 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 4 të tjerë, të kërkuar për veprimtari kriminale në këtë fushë, janë kapur dhe ndaluar.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste- 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, 5 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste- 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”. 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Dhunimi i banesës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Mashtrimi”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Fyerja”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

3 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, janë kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor – 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.