Raporti i ngjarjeve, 7 mars 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Lezhë/Zbardhet plagosja e shtetasit A. P., kryer mëngjesin e djeshëm, në fshatin Rrilë.

Identifikohen 3 shtetasit që qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit të 54-vjeçarit dhe punohet intensivisht për kapjen e tyre.

Vihet në pranga 54-vjeçari, pasi nga hetimet rezultoi se dhe ai ka qëlluar në drejtim të 3 shtetasve, me një armë zjarri, të cilën e mbante pa leje.

Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë që përdori shtetasi A. P..

Si rezultat i hetimeve profesionale, administrimit të menjëhershëm të pamjeve nga kamerat dhe veprimeve të tjera në vendngjarje, të kryera menjëherë pas plagosjes me armë zjarri të shtetasit A. P., rreth orës 08:00 të datës 06.03.2024, në fshatin Rrilë, Lezhë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti.

Për rastin u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasit V. T., 32 vjeç, banues në fshatin Tale, A. K., 31 vjeç, banues në fshatin Tale dhe K. N., 18 vjeç banues në Shëngjin.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, për shkak të një konflikti të mëparshëm, për motive të dobëta, kanë tentuar të ndalojnë automjetin me të cilin lëvizte shtetasi A. P. dhe më pas kanë qëlluar drejt këtij automjeti, me armë zjarri.

Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. P., 54 vjeç, banues në fshatin Rrilë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi nga hetimet rezultoi se ka qëlluar në drejtim të 3 shtetasve, me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Ai aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës, ku është jashtë rrezikut për jetën.

Pistoleta e shtetasit A. P. u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, bashkë me municion luftarak.

Ndërkaq, punohet intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e 3 të shpallurve në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Cërrik/Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr. 1, ku u përfshinë nga flakët 2 automjete të parkuara.  

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të djegies së automjeteve. Vijon puna për kapjen e tij.     

34-vjeçari, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje.    

Në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Cërrik, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 1, ku u dogjën pjesërisht 2 automjete të parkuara, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorit. 

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje dhe identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit I. F., 34 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna intensive për kapjen e tij. 

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, rreth orës 05:00 të ditës së djeshme, në lagjen nr. 1, për motive të dobëta, ka djegur me lëndë djegëse 2 automjete të parkuara, në pronësi të shtetasve A. B., 32 vjeç dhe J. B., 35 vjeç, banues në Cërrik (vëllezër).        

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.  

Malësi e Madhe

Zbulohet një lokal në Koplik, ku organizoheshin lojëra fati Poker dhe me makineta.

Organizatorë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, një 20-vjeçar që u vu në pranga dhe 35-vjeçari i shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri, të kryer në Koplik, më datë 29.02.2024.

Sekuestrohen 3 makineta, 1 tavolinë Pokeri, 1 valixhe me çipsa dhe 2 pako me letra për bixhoz.

Si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve të tjera operacionale, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe u bë i mundur zbulimi i një lokali në Koplik, i cili ishte përshtatur për disa lojëra fati.

Gjithashtu, u bë i mundur identifikimi i organizatorëve të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, konkretisht, shtetasi A. K., 20 vjeç, banues në fshatin Vukpalaj, i cili u kap dhe u vu në pranga, si dhe shtetasi E. H., 35 vjeç, banues në fshatin Pjetroshan, i cili është aktualisht në kërkim, sepse dyshohet se më datë 29.02.2024, në Koplik, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasin G. D., 32 vjeç.

Në ambientet e lokalit u gjetën 3 makineta, 1 tavolinë Pokeri, 1 valixhe me çipsa dhe 2 pako me letra për bixhoz, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.  

DVP Elbasan/Procedohen penalisht 5 shtetas, për vepra penale të ndryshme.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-E. SH., 58 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij;

-R. M., 28 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se më datë 04.03.2024, në lagjen “5 Maji”, me automjetin që drejtonte, dyshohet se aksidentalisht ka dëmtuar portën në oborrin e një banese;  

 -R. Ç., 22 vjeç, banues në fshatin Papër, pasi është konfliktuar me një 18-vjeçar, për motive të dobëta. 

•Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-E. M., 38 vjeç, banues në Fier, pasi mëngjesin e djeshëm, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, automjeti ka dalë nga rruga dhe si pasojë janë dëmtuar lehtë 2 pasagjerë  në këtë automjet;  

-F. B., 28 vjeç, banues në Elbasan, pasi mbrëmjen e djeshme, tek rrethrrotullimi në Shijon, me automjetin që drejtonte, ka dëmtuar lehtë shtetasin F. Xh., 20 vjeç, banues në fshatin Bradashesh, këmbësor. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Fier/Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin D. L., 24 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka tentuar të vjedhë në kasollen e një 63-vjeçari. 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, për shtetasin Xh. J., 27 vjeç, banues në fshatin Zhupan, pasi gjatë kontrollit në biznesin në pronësi të tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos referuan materialet në Prokurori, për shtetasen S. Zh., banuese në Patos, pasi në banesën e saj ishin kryer punime ndërtimi, pa lejen përkatëse.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 63 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të tjerë janë ndaluar për raste të mëparshme në këtë fushë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste- 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është kryer 1 vrasje, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tentativë për vrasje, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 të tjerë të shpallur në kërkim. 2 shtetas të kërkuar për raste të mëparshme të tentativës për vrasje ose për kanosje, janë kapur.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me auto/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve kibernetike, njëri me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastin tjetër është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.

Janë evidentuar 4 raste të falsifikimit. Për 3 prej tyre vijojnë hetimet për të identifikuar përgjegjësit, ndërsa për rastin tjetër ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 1 shtetas.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Braktisja e fëmijës së mitur”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprimtarive të kundërligjshme në fushën e prostitucionit, me 5 shtetase të proceduara në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Veprime në kundështim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, është kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.