Raporti i ngjarjeve, 6,7,8 janar, 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Lezhë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.

Goditen 2 raste të tjera të tentativës për të shitur lëndë narkotike në afërsi të shkollave.

✅I arrestuari në Lezhë posedonte 80 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, mjet për konsumimin e kokainës, armë të ftohta dhe 3500 euro të përfituara nga shitja e dozave.

✅I proceduari në Mirditë posedonte doza cannabisi, me qëllim shitjen.

Specialistët e policive vendore të Lezhës dhe të Mirditës kanë vijuar kontrollet, sigurimin e inteligjencës policore dhe hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, me qëllim goditjen e rasteve të veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Si rezultat, së fundi, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, janë konstatuar dhe goditur 2 raste të shitjes së dozave të lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave. Për këto raste:

-u arrestua në flagrancë, në qytetin e Lezhës, shtetasi D. Rr., 33 vjeç, banues në Lezhë, sepse nga kontrolli fizik iu gjetën rreth 80 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, mjet për konsumimin e lëndës, armë e ftohtë (përforcues grushti), thikë, kaçavidë, si dhe 3500 euro;

-u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. M., 18 vjeç, banues në Rrëshen, sepse nga kontrolli fizik që iu krye në qytetin e Rrëshenit, iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza.

Dozat e lëndëve narkotike që dyshohet se posedoheshin nga këta shtetas, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave, si dhe sendet e tjera që iu gjetën shtetasit D. Rr., u sekuestruan nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme në bashkëpunim me partnerët, për kapjen dhe  ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet nga Policia e Shtetit dhe Policia italiane, operacioni policor i koduar “Informacioni”.

Kapet në Bari, Itali, një shtetas i kërkuar ndërkombëtarisht, i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje.

Në vijim të punës gjurmuese me qëllim sigurimin e informacioneve për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale, Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit siguroi informacion në lidhje me vendndodhjen e saktë në Bari të Italisë, të shtetasit në kërkim ndërkombëtar Agron Tufa, i dënuar nga Gjykata e Krujës, me 30 vjet burgim.

Informacioni i siguruar nga Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është shkëmbyer në kohë reale nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Romën dhe falë këtij informacioni Policia italiane në kuadër të operacionit “Informacioni”, kapi në Bari, Itali dhe arrestoi me qëllim ekstradimi shtetasin e kërkuar Agron Tufa.

Në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje. 

Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R.,  ka vrarë me armë zjarri në Nikël, Krujë, shtetasin K. H., dhe më pas e kanë djegur trupin e tij. 

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në vendin tonë.

Tiranë

Shërbimet e DVP Tiranë angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i kryejnë ato.    

Finalizohet operacioni policor i koduar “January”, nga Komisariati Nr. 2, Nr. 1, Nr. 3 dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”.

Vodhën me dhunë, shuma të ndryshme parash, identifikohen dhe vihen në pranga 3 autorët e dyshuar.

Zbardhen dhe dokumentohen 4 raste vjedhjesh, të dyshuara të kryera nga 3 të arrestuarit.

Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kanabis, që iu gjetën në banesë, gjatë kontrollit nga Policia, njërit prej të arrestuarve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, Nr. 1, Nr. 3, dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacioneve të marra se në zona të ndryshme të Tiras, tre shtetas kishin kryer tre vjedhje me dhunë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe si rezultat kanë vënë në pranga shtetasin E. Sh., 19 vjeç, si dhe dy të mitur të moshës 17 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, ditët e fundit, iu kanë vjedhur me dhunë, disa shtetasve, shuma të ndryshme parash. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 3 të arrestuarit janë autorë të dyshuar të 4 vjedhjeve të ndodhura ditët e fundit, në disa lagje të Tiranës.

Gjatë kontrollit të banesës së njërit prej 17-vjeçarëve, shërbimet e Policisë, gjetën doza me lëndë narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan  cilësinë e provës materiale.

Po punohet për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Tempulli”, dhe në Paketën për Sigurisë në shkolla, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta. 

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”dhe ato të Forcës Operacionale të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “Pjeza”. 

Goditet një tjetër rast i shitjes së drogave të forta, në afërsi të shkollave, në lokale dhe ambiente të ndryshme.

Sekuestrohen 1 kilogramë e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 2 peshore elektronike që shërbenin për ndarjen në doza të lëndës narkotike, 2  automjete dhe 4 celularë.

Vihen në pranga 2 vëllezërit që ushtronin këtë veprimtari kriminale.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Tempulli” dhe në Paketën për Sigurinë në shkolla, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të veprimtarisë kriminale të shitjes  së drogave të forta në doza, në qytetin e Durrësit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës finalizuan operacionin policor të koduar “Pjeza”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasit N. B., 45 vjeç, dhe I.(B.) D., 41 vjeç, vëllezër, banues në fshatin Pjezë, Shijak, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 2 peshore elektronike që këta shtetas i përdornin për të ndarë lëndën narkotike në doza, 2 automjete dhe 4 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight sun”.  

U kap në flagrancë duke transportuar, kundrejt fitimit, 2 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 23-vjeçari nga Tirana.

Sekuestrohen me cilësinë e provës materiale automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 1 celular.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit Operacional, të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe të Sektorit të Policisë Rrugore, të DVP Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, mbështetur dhe nga inteligjenca policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Midnight sun”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi A. B, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Në aksin nacional  “Gjirokastër-Kakavije”, në vendin e quajtur “Sofratik”, ky shtetas u kap në flagrancë teksa transportonte kundrejt fitimit, 2 emigrantë nga vendet e treta, të cilët synonin të kalonin ilegalisht nga Shqipëria, në vendet e BE-së. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “BMË” dhe 1 celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor “Midnight 25”, vihen në pranga 3 shtetas.

U kap duke transportuar me automjet, 4 emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës, vihet në pranga një 39-vjeçar.

Vihen në pranga edhe 2 bashkëpunëtorët e tij, që kontrollonin rrugën me një automjet tjetër, për prezencën e Policisë.

Sekuestrohen 2 automjete dhe 3 celularë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë-Elbasan, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 25”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-Y. K., 39 vjeç, banues në Borizanë, Fushë Krujë, A. Rr., 46 vjeç dhe F. Gj., 29 vjeç, të dy banues në Laç.

Shërbimet e Policisë, falë organizimit të veprimeve, në bazë edhe të inteligjencës informative, gjatë operacionit, bënë të mundur kapjen e shtetasit Y. K., në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, duke transportuar me automjetin tip “Opel Zafira”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt pagesës, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga hetimet e kryera, rezulton se të implikuar në këtë veprimtari kriminale janë edhe dy shtetasit e tjerë, F. Gj. dhe A. Rr., të cilët me një automjet tip “Ford Focus”, me drejtues 29-vjeçarin dhe pasagjer 46-vjeçarin, monitoronin rrugën, për të sinjalizuar shtetasin Y. K., në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe tre celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

PKK Morinë

Tentoi të dilte nga Shqipëria, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga autoritetet e Italisë, për organizatë kriminale dhe emigracion të paligjshëm, arrestohet me qëllim ekstradimin, 27-vjeçari nga Kosova. 

Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe autoriteteve italiane, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht:

L. A., 27 vjeç, banues në Istog, Kosovë.

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në dalje të vendit, rezultoi se 27-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Italiane, pasi Gjykata e Triestes, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Emigracioni i paligjshëm”, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Itali, vijon procedurat për ekstradimin e 27-vjeçarit.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 225 shtetas, konkretisht: 70 shtetas janë vënë në pranga, 142 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 24 raste- 13 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 20 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetasn tjetër është arrestuar për një tentativë për vrasje.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 8 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 22 raste, 9 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 13 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste-1 shtetas është vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 24 raste- 9 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 14 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 36 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-9 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-6 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 6 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Goditje për shkak të detyrës”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale:

-në fushën e krimeve kompjuterike, me autorë ende të paidentifikuar;

-“Largimi i mallrave nga zonat doganore pa paguar detyrimet”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-“Përkrahja e autorit të krimit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Përndjekja”, me 9 shtetas në total, të vënë në pranga;

-në fushën e falsifikimit të dokumenteve, “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Dhunimi i banesës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, me 14 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, janë kapur dhe vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 15 aksidente, si pasojë e të cilave 3 shtetas kanë humbur jetën dhe 19 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 37 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 18 shtetas janë vënë në pranga dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.