Raporti i ngjarjeve, 5 mars 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Lokacioni”.

Në shtator 2024, tentoi të vriste me armë zjarri, kushëririn e tij, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari.

I ndaluari e kreu krimin në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, të cilët u kapën nga Policia, menjëherë pas ngjarjes.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për krim kundër personit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, finalizuan operacionin e koduar “Lokacioni”.

Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. N., 27 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe bajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, shtetasit G. N. dhe E. N., gjatë një konflikti më datë 11.09.2024, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, kushëririn e tij, shtetasin E. N.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

DVP Elbasan

Finalizohet operacioni policor i koduar “Organizatori”.

Sekuestrohen 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak, granatë defensive dhe 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase).

Vihen në pranga 3 shtetas (organizatori i 2 veprimtarive kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij).

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe ata të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Elbasanit, pas një hetimi 4-mujor, me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “Organizatori”.

Si rezultat i operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Dh. P., 59 vjeç, banues në Elbasan, i cili organizonte trafikimin e armëve drejt RMV-së dhe falsifikimin e dokumenteve.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. C., 52 vjeç, banues në Gramsh, dhe A. L., 47 vjeç, banues në Elbasan.

Nga hetimet rezulton se 52-vjeçari, bashkëpunonte me 59-vjeçarin për trafikimin e armëve, ndërsa 47-vjeçari bashkëpunonte me 59-vjeçarin, për falsifikimin e dokumenteve.

Gjatë kontrollit në banesën e 47-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan  20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase) dhe pajisje që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë operacionit “Organizatori”, në fshatin, Çekin, Gramsh, shërbimet e Policisë iu bënë shenjë ndalimi automjeteve që drejtoheshin nga  shtetasit Dh. P. dhe E. C. Nga kontrollet, u gjetën të fshehura në bagazhe, 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak dhe 1 granatë, që nga hetimet rezulton se do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.

Më tej, gjatë hetimeve rezultoi se shtetasi Dh. P., në bashkëpunim me shtetasin A. L., falsifikonin në banesën e këtij të fundit, dokumente të ndryshme (pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi dhe dëshmi aftësish), shqiptare dhe të huaja.

Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin S. K., 67 vjeç, banues në Kuçovë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vënien në pranga të shtetasve A. P., 52 vjeç dhe B. H., 65 vjeç, të dy banues në Kuçovë, të dënuar në vitin 2023, secili me 2 vjet e 2 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen J. A., 23 vjeçe, me probleme të shëndetit mendor, pasi në rrugë, ka dëmtuar fizikisht (lehtë në fytyrë), një 15-vjeçare.

Ditën e djeshme, ka kallëzuar shtetasi E. G., 36 vjeç, se i janë marrë foto/video nga llogaritë e tij në rrjete sociale dhe janë publikuar në një llogari tjetër. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të rastit.

Ditën e djeshme, shtetasi A. M., 87 vjeç, ka gjetur në banesën e tij të pabanuar prej kohësh, të mbuluar nga mbeturina, një armë zjarri të vjetër. Vijojnë verifikimet në lidhje me rastin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin V. K., 26 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori pasi më datë 04.03.2025, shtetasi S. B., 27 vjeç, banues në Turqi, duke punuar me makinerinë e shtrimit të pistës së aeroportit në fshatin Akërni, dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe, për pasojë, është dëmtuar lehtë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum, në vijim të rastit të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, më datë 04.03.2025, në fshatin Tragjas, kanë referuar materialet në Prokurori për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin G. D., 33 vjeç, banues në Borsh, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi J. Rr., duke deklaruar se ky shtetas e ka goditur me grusht, duke i shkaktuar dëmtime.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin I. T., 31 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjetën sasi të vogla të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis.

Këta specialistë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, arrestuan në flagrancë shtetasin B. N., 49 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u gjetën në automjetin që drejtonte ky shtetas, disa doza Kokaine.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-V. S., 30 vjeç, banues në fshatin Peshtan, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij;

-G. M., 25 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 37-vjeçar.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-Th. K., 70 vjeç, pasi dyshohet se nga zjarri që ky shtetas ka ndezur në tokën e tij në fshatin Lumth, për të djegur mbeturina, janë dëmtuar disa pemë frutore në pronësi të një 69-vjeçari;

-L. T., 27 vjeçe, banuese në fshatin Savër, pasi dyshohet se ka vjedhur 2 pajisje elektroshtëpiake, në banesën e një 32-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. L., 22 vjeç, banues në fshatin Tale, pasi ka kallëzuar një 18-vjeçare, se ky shtetas i publikon foto në rrjete sociale, me mbishkrime fyese.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 18 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë ndaluan shtetasin K. B., 44 vjeç, banues në Lezhë, pasi Gjykata e Lezhës e ka dënuar me 1 vit burgim, për dhunë në familje.

Më datë 03.03.2025, një 23 vjeçare, dyshohet se ka konsumuar në banesë, substancë helmuese Fotoksinë. Shtetasja është aktualisht në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.

Mesditën e djeshme, ka shkuar për të marrë mjekim në Spitalin e Traumës, shtetasi Gj. R., 64 vjeç, banues në Mirditë, me detyrë elektricist i OShEE-së, sepse dyshohet se është dëmtuar nga disa shtylla prej druri, gjatë shkarkimit të tyre nga kamionçina. 64-vjeçari është aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 47 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 8 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 4 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të krimeve kibernetike, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për 2 rastet e tjera janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas;

-1 rast i mashtrimit, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i kalimit të kundërligjshëm të kufirit, vjedhjes së energjisë elektrike, vetëgjyqësisë, organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, përndjekjes, fyerjes, shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, ndërhyrjeve të padrejta në jetën private dhe ngacmimit seksual, me 10 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas janë arrestuar për falsifikim të dokumenteve.

2 shtetas të kërkuar përkatësisht për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe për largim të të burgosurit nga vendi i qendrimit, janë kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 7 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për raste të tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.