Raporti i ngjarjeve, 4 qershor 2024
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Shkodër – Zbardhen brenda pak orësh, rrethanat e konfliktit të ndodhur mesditën e djeshme, në rrugën “Pogej”, si pasojë e të cilit u dëmtua me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasi V. B. Identifikohen 6 shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje. Vihet në pranga njëri prej tyre, vijon puna për kapjen e 5 të tjerëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të organizuara dhe të kryera menjëherë pas marrjes së njoftimit, mesditën e djeshme, për një konflikt në rrugën “Pogej”, si pasojë e të cilit u dëmtua shtetasi V. B., 62 vjeç, banues në Shkodër, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër kanë identifikuar 6 shtetas të përfshirë në këtë ngjarje. Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua shtetasi E. S., 47 vjeç dhe u shpallën në kërkim shtetasit I. S., 23 vjeç, S. H., 27 vjeç, A. K., 31 vjeç, S. T., 24 vjeç dhe A. B., 27 vjeç, të gjithë banues në Shkodër. Këta shtetas kanë goditur fizikisht dhe me sende të forta, gjatë konfliktit për vendparkimin e automjeteve, shtetasin V. B., i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. S. ka patur me vete armë zjarri, ndërsa shtetasi A. B. dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e ngjarjes. Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat – Seksioni për Hetimin e Narkotikëve ndaloi shtetasin Alket Kurti, 42 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin e datës 09.05.2024, e ka dënuar me 1 vit e 10 muaj burgim, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në vijim të hetimeve të kryera në kuadër të një operacioni kundër kultivimit të bimëve narkotike, të zhvilluar në vitin 2016. Gjithashtu, ky seksion referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. B., 24 vjeç dhe A. D., 18 vjeç, të dy banues në Dimal, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin qarkullonin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan sasi të vogla lëndësh të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe disa fishekë. Shërbimet e Sektorit për Qarkullimin Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 27 vjeç, banues në Berat, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 68 shtetas, konkretisht: 16 shtetas janë vënë në pranga, 45 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste-1 rast me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste-1 shtetas është arrestuar, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 3 raste, 1 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. Për 2 rastet e tjera, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas jaë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur” – 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” – 2 shtetas janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Kontrabanda me mallra”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Dhunimi i banesës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, për secilin rast.
Kanë ndodhur 9 aksidente rrugore, me 14 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.