Raporti i ngjarjeve, 30 janar 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Kukës/Lëvizte me automjet, në sens të kundërt, dhe rrezikonte jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të autostradës “Milot-Morinë”, arrestohet 32-vjeçari.

Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, ky shtetas kundërshtoi me forcë punonjësit e Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës.

Shërbimet e Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë” kanë konstatuar një automjet tip “Volkswagen” që qarkullonte në sens të kundërt të lëvizjes në autostradë dhe si pasojë ishte rrezik potencial për ngjarje rrugore me pasoja. Menjëherë i janë vënë në ndjekje automjetit dhe pas ndalimit kanë identifikuar drejtuesin e tij, shtetasin D. G.

Ky shtetas, gjatë veprimeve procedurale të shërbimeve të Policisë, për shkeljen e kryer prej tij, i ka kundërshtuar ato, me forcë.

Në përfundim të veprimeve procedurale oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin D. G., 32 vjeç, banues në fshatin Matranxh, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Tropojë/Në vijim të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli 2” dhe si rezultat i punës së inteligjencës policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin M. C., 56 vjeç, banues në fshatin Zherkë. Nga kontrolli në banesën e tij, u gjetën disa bimë narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, të cilat u sekuestruan nga shërbimet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet pas një pune hetimore disamujore, operacioni policor i koduar “Last bet”.  

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin dhe Sektorin për Hetimit e Krimeve Kibernetike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Vihen në pranga 8 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, të cilët ushtronin veprimtarinë e jashtligjshme të vendosjes së basteve sportive, nëpërmjet aparateve celulare.

Sekuestrohen, në cilësinë e provës materiale, 10 aparate celulare që shërbenin për vendosjen e basteve sportive.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin dhe Sektorin për Hetimit e Krimeve Kibernetike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Last bet”.

Në kuadër të këtij operacioni u ndaluan shtetasit:

O. R., 29 vjeç, F. S., 37 vjeç, E. Sh., 36 vjeç, B. M., 35 vjeç, A. B., 38 vjeç, N. T., 49 vjeç, I. M., 19 vjeç, dhe O. H., 37 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit Sh. A., E. I., dhe D. H.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet e këtyre shtetasve, janë gjetur telefona që shërbenin për vendosjen e basteve sportive dhe linqe, që shërbenin për këto baste. Gjithashtu në shumicën e telefonave të këtyre shtetaseve, u gjetën skedina dhe kredite, me qëllim vendosjen e basteve sportive të klientë të ndryshëm.

Gjatë operacionit u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 10 aparate celulare që shërbenin për vendosjen e basteve sportive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kurbin/Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.

Finalizohet falë inteligjencës policore operacioni i koduar “Gold and Guns”.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (Njësia Shkodër).

Sekuestrohen armë zjarri, dylbi për snajper, bizhuteri e sende të tjera të kundërligjshme.

Vihet në pranga një 25-vjeçar, si dhe vijon puna për kapjen e 48-vjeçarit (babait të tij).

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në inteligjencën policore dhe  pas një pune hetimore të ndjekur me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë, organizuan dhe finalizuan me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë (Njësia Shkodër), operacionin policor të koduar “Gold and Guns”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi G. L., 25 vjeç, si dhe u shpall në kërkim babai i tij, shtetasi Z. L., 48 vjeç.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak;

1 armë gjahu teke (Berreta) dhe një sasi fishekësh për armë gjahu;

1 palë dylbi si ato të armës së zjarrit snajper;

Një sasi bizhuterish të dyshuara të vjedhura;

2 palë dylbi, 2 automjete dhe 2 targa franceze të dyshuara të vjedhura.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”, për goditjen e rasteve të shitjes së dozave të lëndëve narkotike. 

Vihen në pranga 4 shtetas që u kapën në flagrancë me doza heroine dhe kokaine, në 2 lagje të qytetit të Elbasanit.   

3 prej të arrestuarve, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes. 

Procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas, i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.  

Sekuestrohen doza të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë, si edhe një automjet që përdorej për këtë veprimtari kriminale. 

Si rezultat i kontrolleve në të gjithë qarkun dhe i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit antidrog të koduar “Tempulli 2”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur 2 raste të shpërndarjes së dozave të lëndëve narkotike në qytetin e Elbasanit, konkretisht:   

-në lagjen “Skenderbej”, shërbimet e Forcës Operacionale konstatuan shtetasit E. P., 30 vjeç, M. B., 33 vjeç dhe E. K., 41 vjeç, të tre banues në Elbasan,  të cilëve gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në ambientin ku ata po qëndronin, iu gjetën doza të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë.   

Gjithashtu, po për këtë rast u referuan materialet në prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. Xh., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.      

-në lagjen “Partizani”, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin e shtetasit G. T., 36 vjeç, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën doza të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.     

Në vijim të veprimeve për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 30 vjeç, E. K., 41 vjeç dhe G. T., 36 vjeç, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes, dhe M. B., 33 vjeç.    

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, pasi e siguronin lëndën narkotike, e ndanin në doza, të cilat i shitnin në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme të qytetit të Elbasanit.    

Dozat e lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë dhe 1 automjet që dyshohej se përdorej për këtë veprimtari kriminale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.   

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 43 shtetas janë vënë në pranga, 37 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste– 10 shtetas janë vënë në pranga.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës/tentativave për vjedhje të pronës, janë evidentuar 6 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 8 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Braktisja e fëmijëve të mitur” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale në fushat e kalimit të paligjshëm të kufirit, krimeve kompjuterike, falsifikimit të dokumenteve, vjedhjes së energjisë elektrike dhe pastrimit të parave, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

1 shtetas është ndaluar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 13 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.