Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “IKONAT”.
Vidhnin dhe trafikonin vepra arti, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Njëri prej të arrestuarëve, i punësuar rojë pranë parqeve arkeologjike.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 13 statuja të madhësive dhe formave të ndryshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore për një rast të vjedhjes dhe trafikimit të veprave të artit nga parqet arkeologjike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “IKONAT”.
Si rezultat u arrestuan shtetasit:
P. L., 53 vjeç, banues në Fier dhe E. Ç., 56 vjeç, banues në Lushnjë.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, Rrogozhinë, duke lëvizur me një automjet në të cilin gjatë kontrollit u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merreshin me trafikimin e veprave të artit dhe kulturës. Shtetasi P. L., duke përfituar nga fakti se ishtë i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si rojë dhe herë si ndihmës, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat, Gjirokastër, dhe më pas në bashkëpunim me shtetasin E. Ç., i trafikonin me qëllim përfitimin.
Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 000 deri në 20 000 euro.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.
DVP Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Aksi”.
Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Falë shkëmbimit të informacionit, goditet një rast i tentativës për dhënie ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 19-vjeçari që transportonte 5 emigrantë, për këtë qëllim.
Sekuestrohet automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët dhe 1 celular.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, pas shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, se një shtetas po transpotonte në drejtim të qytetit të Shkodrës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, disa shtetas nga Vendet e Treta, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi i shtetasit T. B., 19 vjeç, banues në Podgoricë.
Gjatë operacionit, në qytetin e Shkodrës, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin T. B., duke drejtuar një automjet, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën 5 emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët nga hetimet e kryera, rezulton 19-vjeçari iu kishte premtuar transportimin drejt BE-së, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Volksëagen Polo” dhe 1 celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
PKK Kakavijë/Kontrollet e detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare, godasin 1 rast të mosdeklarimit të të hollave.
Sekuestrohen 11 110 euro, procedohet penalisht 53-vjeçari që i posedonte dhe nuk i deklaroi në dalje të RSh-së.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur 1 rast i mosdeklarimit të të hollave.
Në bazë të analizës të riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi J. Ç., të cilit në çantë i janë gjetur 11 110 euro.
Shuma e parave e padeklaruar nga ky shtetas u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. Ç., 53 vjeç, banues në Patos.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Sarandë/Vijojnë puna e inteligjencës policore dhe kontrollet intensive të shërbimeve, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Strike 8”, për goditjen e një rasti të tentativës për të shitur armë zjarri.
U kap në flagrancë me armë zjarri kallashnikov, të cilën dyshohet se do ta shiste në qytetin e Sarandës, vihet në pranga 34-vjeçari.
Vihet në pranga dhe një 31-vjeçar, i cili dyshohet se do të ndihmonte 34-vjeçarin, për të shitur armën.
Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov, 1 krehër me municion luftarak dhe 2 automjetet e këtyre shtetasve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 8”.
Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë, në vende të ndryshme, në fshatin Berdenesh, dhe u vunë në pranga shtetasit:
E. M., 34 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit në automjetin tip “Audi”, që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 krehër me municion luftarak, të cilat dyshohet se ky shtetas do t’i shiste në qytetin e Sarandës;
E. Sh., 31 vjeç, banues në Sarandë, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se do të ndihmonte shtetasin E. M., për të shitur armën e zjarrit. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë ndërkohë që drejtonte një automjet tip “Ford”.
Arma e zjarrit kallashnikov, 1 krehër me municion luftarak dhe 2 automjetet e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Peqin
U përfshinë në konflikt me një 27-vjeçar, për motive të dobëta, Policia identifikon 6 shtetasit.
Kapet dhe vihet në pranga njëri prej tyre, të cilit në banesë iu gjet 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Procedohet penalisht një 17-vjeçar i përfshirë në konflikt, për moskallëzim krimi.
Vijon puna për kapjen e 4 shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt, njërit prej të cilëve, Policia i gjeti në banesë, fidanë të dyshuar narkotike cannabis, lëndë narkotike cannabis dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Kalaja”, Peqin, një 27-vjeçar ishte kanosur dhe goditur fizikisht nga disa shtetas, kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të përfshirë në konflikt.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore dhe hetimore të kryera në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan dhe shërbimet e Forcës “Shqiponja”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 22 vjeç, banues në Peqin. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë gjahu dhe municion luftarak për të.
Në vijim të veprimve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, banues në Peqin, i dyshuar i përfshirë në konflikt, si dhe për moskallëzim krimi.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: R. B., 22 vjeç, E. L., 29 vjeç, S. H., 19 vjeç dhe A. M., 21 vjeç, të katërt banues në Peqin.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjerin, pasditen e djeshme, në vendin e quajtur “Kalaja”, Peqin, kanë kanosur dhe goditur fizikisht shtetasin S. K., 27 vjeç, banues në Peqin.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit R. B., 22 vjeç, Policia gjeti dhe sekuestroi 96 kubikë me fidanë të dyshuar narkotike cannabis, lëndë narkotike cannabis dhe municion luftarak.
Vijon puna për kapjen e shtetasve R. B., E. L., S. H. dhe A. M..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Identifikohen dhe shoqërohen në ambientet e Policisë, 4 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Shkozë.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt të çastit me mjete prerëse mes disa personave, ku si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën shtetasi A. D., 18 vjeç, ju informojmë se:
Janë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit F. Sh., 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç, dhe po punohet per dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Nga veprimet paraprake hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas mbrëmjen e djeshme, duke qarkulluar me automjet, janë konfliktuar per motive të dobëta me shtetasit që ndodheshin në automjet me 18-vjeçarin. Më pas konflikti ka agravuar me mjete prerëse, ku është goditur me thikë 18-vjeçari, i cili si pasojë e dëmtimeve, ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
PKK Port, Durrës
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme nga shërbimet e Policisë Kufitare, goditet një rast i tentativës për të futur në Shqipëri, sende me vlerë të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Aksesorët”.
Sekuestrohen 18 ora dore të markave të shtrenjta, bizhuteri të ndryshme floriri dhe argjendi, 25 monedha të prerjes 2 euro, 1 bllokues valësh, 6 celularë dhe 1 automjet.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas (drejtuesi i automjetit ku u gjetën sendet me vlerë dhe pasagjeri i këtij automjeti).
Vihet në pranga edhe pronari i këtij automjeti, shtetas me precedent të theksuar kriminal, pasi dyshohet si bashkëpunëtor i 2 shtetasve të arrestuar.
Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, automjetin furgon tip “Benz” me drejtues shtetasin E. S. dhe pasagjer shtetasin M. R.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në këtë automjet dhe kontrollit fizik ndaj shtetasit M. R., shërbimet e Policisë gjetën 18 ora dore të markave të shtrenjta, bizhuteri të ndryshme floriri dhe argjendi, 1 bllokues valësh, 25 monedha të prerjes 2 euro dhe 6 celularë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. S., 40 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i automjetit ku u gjetën sendet me vlerë dhe M. R., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasagjer në këtë automjet.
Në vijim të veprimeve procedurale u vu në pranga edhe shtetasi B. R., 35 vjeç, banues në Tiranë, pronari i automjetit ku u gjetën sendet me vlerë, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se ka bashkëpunuar me 2 shtetasit e tjerë, për të futur në Shqipëri, sendet më vlerë që dyshohet se janë siguruar nga veprimtari kriminale.
Sendet me vlerë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me furgonin ku u gjetën dhe 3 pasaporta.
Vijojnë hetimet në bashkëpunim me Njësinë Antiskifter dhe homologët në vendet e BE-së, për përcaktimin e origjinës së sendeve me vlerë dhe për dokumentimin e veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale“ dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, të kryera në bashkëpunim.
Vorë
Ushtronte veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularit, vihet në pranga 43-vjeçari.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, aparati celular që shërbente për këtë veprimtari të paligjshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë intensifikuar kontrollet dhe kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në një lokal në Vorë, u konstatua shtetasi M. M., 43 vjeç, banues në Vorë, në celularin e të cilit, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.
Aparati celular që shërbente për këtë veprimtari u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjirokastër/Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti në familje, që mund të kishte pasoja të rënda për jetën.
Për motive të dobëta, qëlloi me armë gjahu, në drejtim të banesës ku kishte familjarët, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, mundëson arrestimin në flagrancë të 47-vjeçarit.
Sekuestrohet arma e gjahut me të cillën qëlloi ky shtetas.
Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 09:15 të mëngjesit të sotëm, për motive të dobëta, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në drejtim të banesës ku ishin familjarët e tij, në zonën e quajtur “Ura e lumit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër organizuan punën dhe mbërritën në vendin e ngjarjes, për të arrestuar shtetasin përgjegjës.
Si rezultat, u bënë të mundur përshkallëzimi i mëtejshëm i këtij konflikti, si dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit L. S., 47 vjeç, banues në Gjirokastër.
Gjithashtu, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut me të cilën qëlloi i arrestuari.
Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Story”, nga Komisariati i Policisë Nr. 6 dhe Komisariati i Policisë Nr. 2.
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe vodhi celularë në 2 biznese, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 2 celularët që dyshohet se ka vjedhur ky shtetas dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur gjatë vjedhjeve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kishte kryer vjedhje në dy biznese në zonat respektive të dy komisariateve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Story”.
Në kuadër të këtij operacioni u ndalua shtetasi G. H., 41 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe më datë 25.03.2024 ka vjedhur një celular në një biznes në zonën e Unazës së Re, ndërsa më datë 01.04.2024, ka vjedhur një celular në një biznes në Rrugën e Kavajës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 celularët e vjedhur dhe veshjet të cilat autori i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Rrogozhinë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Illegal”.
Transportonte kundrejt pagesës, emigrantë nga India dhe Pakistani, që synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 24-vjeçari.
Sekuestrohen automjeti tip “Benz” me të cilin transportoheshin emigrantët dhe celulari i të arrestuarit.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të transportimit kundrejt pagesës, të disa emigrantëve që synojnë të kalojnë ilegalisht kufijtë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Illegal”.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Në zonën e quajtur “Bishti i Zhurit”, Rrogozhinë, 24-vjeçari u kap në flagrancë duke transportuar me një automjet tip “Benz”, 3 emigrantë nga India dhe Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Gjatë 96 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 261 shtetas, konkretisht: 70 shtetas janë vënë në pranga, 170 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 21 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 21 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 33 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 10 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 33 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 18 raste- 16 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 14 raste – 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 19 raste, 9 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 5 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 28 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 23 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 23 raste- 7 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 15 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 20 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-8 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të ngarkuar me funksione publike, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-6 raste në fushat e dhënies ndihmë për kalim të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë dhe/ose kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 3 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të vënies së basteve sportive, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër është proceduar në gjendje të lirë për 1 rast të mëparshëm;
-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”. Njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 2 raste të veprave penale në fushën e prostitucionit, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”. Për secilin rast është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas;
-2 raste të veprës penale “Përhapja e sekreteve vetjake”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shettas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, është kapur.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 20 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 22 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 43 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 19 shtetas janë vënë në pranga dhe 23 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.