Raporti i ngjarjeve, 3 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “ET-1”, për goditjen e një rrjeti prostitucioni.  

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3.

Vihet në pranga 1 shtetas nga Venezuela, organizator i rrjetit të prostitucionit, në Tiranë.  

Vihet në pranga 1 shtetas tjetër i huaj dhe procedohet penalisht një 19-vjeçar, që kishin ardhur në Shqipëri, për të ushtruar prostitucion.  

DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “ET-1”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi i shtetasve G. J., 29 vjeç, dhe D. C., 31 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. S., 19 vjeç, të tre banues provizorë në Tiranë. 

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi G. J. shfrytëzonte për prostitucion, dy shtetasit e tjerë, të cilët kishin ardhur nga vende të ndryshme, në Shqipëri, ishin akomoduar në një banesë me qira, në rrugën “Kongresi i Tiranës”, dhe nëpërmjet një faqeje në internet, krijonin kontakte me njerëz të ndryshëm, për të ushtruar prostitucionin, kundrejt pagesave 150-300 euro.    

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

DVP Dibër

•Sektori i Policisë Rrugore

-arrestoi në flagrancë shtetasin R. S., 21 vjeç, banues në Dibër, pasi me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet tjetër të parkuar. Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale;

-inicioi procedimin në gjendje të lirë për shtetasit A. Gj., 56 vjeç dhe E. S., 23 vjeç, të dy banues në Bulqizë, pasi mesditën e djeshme, në aksin rrugor “Bulqizë –Shupenzë”, dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit, janë përplasur automjetet që ata drejtonin. Nga përplasja është dëmtuar 1 pasagjere, e cila u largua në banesë, pasi mori ndihmën mjekësore.

•Seksioni për Hetimin e Krimeve po punon për kapjen e shtetasit M. D., 29 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 23-vjeçare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Informacion paraprake

Rreth orës 04:33, në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin ku devijon rruga për shkak të punimeve, autobusi me drejtues shtetasin P. G., 51 vjeç, është përplasur me bordurën anësore të betonit.

Si pasojë është dëmtuar një pasagjer, shtetasi B. D., 56 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Punohet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Rreth orës 06:15, te ura e Shkozës, punonjësi i policisë i Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, A. Sh., duke drejtuar automjetin e shërbimit, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga, duke rënë në lumin Lana.       

Drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri janë dërguar në spital, për ndihmë mjekësore.

Po punohet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 122 shtetas, konkretisht: 37 shtetas janë vënë në pranga, 68 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 17 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste– 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, në Tiranë, është finalizuar megaoperacioni antidrogë i koduar “Tempulli 3”, si rezultat i të cilit janë arrestuar 20 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste- 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i kërkuar për krime në këtë fushë, është kapur.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të falsifikimit- 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kalimit të prishjes së qetësisë publike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i krimeve kompjuterike, ngacmimit seksual dhe përndjekjes, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i prostitucionit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik“, “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale në vende publike”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Dhunimi i banesës”, me 10 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.