Raporti i ngjarjeve, 29 tetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Kavajë

Vodhi një automjet tip “Range Rover”, në një servis në lagjen nr. 7, identifikohet, lokalizohet dhe kapet 32-vjeçari, shtetas me precedent për të njëjtin krim.

Policia gjeti automjetin e vjedhur.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, se gjatë mëngjesit të datës 28.10.2024, në servisin në pronësi të tij, ishte vjedhur një automjet tip “Range Rover”, Forca e Posaçme “Shqiponja” e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, identifikoi dhe kapi autorin e dyshuar të kësaj vjedhjeje, shtetasin I. H., 32 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, u mundësua gjetja e automjetit të vjedhur, i cili u sekuestrua bashkë me 2 celularët e të arrestuarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6 dhe Sektori për Hetimin e Narkotikëve operacioni policor i koduar “Transportuesi” për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve.

Sekuestrohet sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, me peshë 300 gram.

Arrestohet në flagrancë poseduesi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe ato të Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike në zonën e njohur si Astiri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. U., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 22-vjeçarin, duke lëvizur në Unazë të Re.

Gjatë kontrollit fizik të tij shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë me peshë 300 gram.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit paraprak për një aksident rrugor, të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në aksin “Fier-Libofshë”, ju informojmë se në përfundim të veprimeve procedurale specialistët e Policisë Rrugore arrestuan shtetasin D. H., 19 vjeç. Me automjetin që drejtonte, ai përplasi motomjetin me të cilin lëviznin shtetasi A. M., 60 vjeç dhe bashkëshortja e tij, shtetasja M. M., 55 vjeçe, të cilët vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e Policisë Rrugore arrestuan shtetasin A. M., 37 vjeç, banues në Fier, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Komisariatit i Policisë Fier arrestoi shtetasin Sh. Z., 45 vjeç, banues në Patos, pasi ka goditur me send të fortë, nënën e tij.

Komisariatit i Policisë Mallakastër shpalli në kërkim shtetasin G. K., 40 vjeç, pasi dje, ka kallëzuar një shtetas 69 vjeç, se më datë 26.10.2024, 40-vjeçari i ka vjedhur në banesë, disa pajisje. Punohet për kapjen e shtetasit G. K. dhe për verifikimin e kallëzimit.

Ditën e djeshme, ka humbur jetën, në Spitalin e Traumës, si pasojë e frakturave, shtetasi Q. Xh., 75 vjeç, i cili dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga shkallët e banesës së tij, në fshatin Hysgjokaj. Vijon puna për të provuar ligjërisht rrethanat e rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

DVP Korçë

Finalizohet faza e dytë e operacionit antidrogë, të koduar “Break “, i zhvilluar pas një hetimi proaktiv, njëvjeçar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, për shkatërrimin e një grupi kriminal që shiste lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në lokale nate, në qarkun Korçë.

Gjatë kësaj faze:

u vunë në pranga 7 shtetas, njëri prej tyre organizator i grupit;

u shpall në kërkim 1 shtetas;

u proceduan në gjendje të lirë 6 shtetas;

u identifikua si bashkorganizator i këtij grupi dhe një shtetas aktualisht i ndaluar në Itali, për heqje të paligjshme të lirisë;

pjesëtarëve të grupit iu sekuestruan sasi të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, shuma parash që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndëve narkotike, si dhe 1 peshore elektronike, 3 automjete dhe 9 celularë.

Konkretisht, gjatë kësaj faze, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit A. M., 39 vjeç (me rolin e organizatorit), B. Gj., 37 vjeç, K. D., 27 vjeç, M. J., 19 vjeç, M. L., 34 vjeç, S. L., 37 vjeç dhe E. H., 27 vjeç.

U shpall në kërkim shtetasi P. H., 34 vjeç, me të njëjtën masë sigurie, për të njëjtën vepër penale.

Gjithashtu, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasin K. B., 34 vjeç (me rolin e bashkorganizatorit), i cili aktualisht është i ndaluar në Itali, me të njëjtën masë sigurie për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Operacioni vijon.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mesditën e djeshme, për një aksident rrugor në lagjen nr. 8, ju informojmë se në përfundim të veprimeve procedurale, Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, për shtetasin E. B., 41 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Me automjetin që drejtonte, 41-vjeçari ka përplasur një 4-vjeçar që po kalonte rrugen, me nënën e tij. I mituri vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Komisariati i Policisë Maliq referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimin penal për shtetasin E. H., 37 vjeç, banues në fshatin Petrushë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 34-vjeçar.

Komisariati i Policisë Ersekë referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimin penal për shtetasen M. Z., 59 vjeçe, banuese në fshatin Taç Lart, pasi ka kallëzuar një 39-vjeçare, se kjo shtetase e ka kanosur.

Mbrëmjen e djeshme, dyshohet se për shkak të një defekti në sistemin elektrik të godinës së lokalit të shtetasit K. K., në Pogradec, ka rënë zjarr në këtë objekt. Si pasojë janë djegur pjesërisht ambiente të brendshme të lokalit. Po hetohet për të dokumentuar me prova ligjore shkakun e rënies së zjarrit.

Mbrëmjen e djeshme, në Komisariatin e Policisë Maliq, është paraqitur një shtetase 25 vjeçe, e cila ka pretenduar se rreth 1 vit më parë, është shfrytëzuar për prostitucion, nga bashkëjetuesi i saj, shtetasi A. F., 34 vjeç dhe nga shtetasja R. M., 34 vjeçe. Menjëherë pas deklarimit të 25-vjeçares, ka nisur puna për kapjen e 2 shtetasve, si dhe për provimin e rrethanave të këtij kallëzimi. Nga verifikimet e deritanishme, ka rezultuar se shtetasja R. M., është aktualisht në kërkim, e dënuar me 8 vjet burgim, në vitin 2021, nga Gjykata e Apelit e Korçës, për veprat penale “Trafikimi i të miturve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 59 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste. Ështe vënë në pranga 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 16 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste. 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-6 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të krimeve kibernetike, për të cilat vijojnë hetimet, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët;

-1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Përndjekja” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 6 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 9 aksidente rrugore, me 2 viktima dhe 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 13 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.