Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Kukës
Ndalohet 1 shtetas i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Në vijim të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, strukturat e DVP Kukës në bashkëpunim me Prokurorinë, DVKM Kukës dhe Policisë e Kosovës, në hyrje të PKK Morinë, ndaluan shtetasin A. A., 47 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Shkallës së Parë Kukës ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Korridori”, që goditi tentativën për të trafikuar 32.7 lëndë narkotike kanabis, drejt Kosovës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
DVP Elbasan/Vijon megaoperacioni policor kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim.
Kapet dhe vihet në pranga një 40-vjeçar i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
I ndaluari, i dënuar me parë për krime ndaj personit dhe armëmbajtje pa leje.
Në vijim të aksioneve intensive të Policisë, të kryera në kuadër të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, të Forcës Speciale FNSh dhe ata të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin A. Ç., 40 vjeç, banues në Peqin.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Më datë 24.11.2023, në lagjen “Xhami”, Peqin, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin A. L., shtetasi A. Ç. ka qëlluar me armë zjarri drejt tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
PKK Hani i Hotit
Policia Kufitare e Hanit të Hotit ndaloi një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, i cili akuzohet si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar, u ndalua në dalje të Shqipërisë, shtetasi A. H., 31 vjeç, banues në Kavajë.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit, në Itali.
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “ Periudha”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë.
Operacioni u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale Durrës, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”.
Arrestohet për t’u ekstraduar në Itali, pjesëtari i një organizate kriminale me veprimtari në fushat e shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat i aksioneve intensive të Policisë, të kryera me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Periudha ”.
Gjatë operacionit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Asjan Buçeza alias Hasan Buçeza, 65 vjeç.
Gjykata e Milanos e ka dënuar këtë shtetas, me 23 vjet burgim, për veprimtaritë kriminale të posedimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të kryera në kuadër të organizatës kriminale.
Nga viti 2004 deri në muajin prill 2005, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 19 kilogramë lëndë narkotike heroinë, drejt Italisë.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.
Vorë/Qarkullonte me automjet, i armatosur, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari.
Seksioni i Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 7, në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, finalizoi operacionin e koduar “Van”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi B. Gj., 43-vjeç, banues në Shkodër, i dënuar më parë për vepra penale kundër jetës dhe personit, që qarkullonte me automjet i armatosur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, me krëhër e municion luftarak, që 43-vjeçari posedonte.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Mallakastër
Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, goditet një tjetër rast i mbajtjes së armëve, pa leje.
Qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri, vihet në pranga 30 vjeçari.
Policia sekuestroi 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas lëvizte me armë në qytet, kanë ngritur pika kontrolli, dhe kanë organizuar punën për kapjen dhe arrestimin e tij.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë i gjetën atij dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, me krehër me municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Shkodër/Aksione policore të përditshme, në kuadër të megaoperacionit antidrogë “Tempulli 2”.
Theu masën e sigurisë, për të shitur doza cannabisi, arrestohet në flagrancë 28-vjeçari.
Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, kapi në flagrancë dhe vuri në pranga shtetasin E. L., 28 vjeç, banues në Shkodër.
Nga kontrolli fizik, 28-vjeçarit iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje. Më tej, nga verifikimet rezultoi se ky shtetas aktualisht ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Shkodrës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.
Port Durrës/Si rezultat i kontrolleve të detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare, bazuar në inteligjencën policore, goditen 3 raste të paligjshmërive në kufi dhe kapet 1 shtetas që ishte në kërkim.
-Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave. Sekuestrohen 18 900 euro.
-Goditet një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë. Sekuestrohen 80 litra vaj dhe dhjetëra shishe me verë.
-Goditet një rast i tentativës për të kaluar kufirin, me dokumente false. Sekuestrohen 1 pasaportë dhe 1 kartë ID.
Procedohen penalisht 3 shtetas, për këto raste.
-Gjithashtu, kapet dhe vihet në pranga një shtetas në kërkim, i akuzuar për vjedhje.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë goditur 3 raste të paligjshmërive në kufi. Për këto raste, DVKM Durrës referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-M. S., 60 vjeç, shtetas nga Maqedonia e Veriut, pasi gjatë kontrollit në hyrje, i janë gjetur 18 900 euro, që nuk i kishte deklaruar në kufi;
-R. K., 54 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjetën 80 litra vaj dhe dhjetëra shishe me verë, pa faturat përkatëse;
U. N., 29 vjeç, banues në Kosovë, pasi në dalje, ka paraqitur në sportel, pasaportë dhe kartë ID me të dhënat e një shtetasi tjetër kosovar.
Gjithashtu, u kap dhe u ndalua shtetasi S. G., 32 vjeç, banues në Korçë, pasi nga verifikimet e kryera rezultoi se ishte shpallur në kërkim sepse Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg’, për veprën penale “Vjedhja”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 205 shtetas, konkretisht: 64 shtetas janë vënë në pranga, 131 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 25 raste 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 26 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 12 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 12 raste, 6 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 7 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 25 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 23 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 18 raste- 6 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 24 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-8 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të falsifikimit, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të krimeve kompjuterike, me autorë ende të paidentifikuar;
-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Dhunimi i banesës”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
2 shtetas janë vënë në pranga për një rast të mëparshëm të veprave penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, kryer në bashkëpunim. Për një rast tjetër të të njëjtave vepra penale, janë vënë në pranga 2 shtetas të tjerë.
2 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për vjedhje të energjisë elektrike dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, janë kapur dhe vënë në pranga.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 11 aksidente, si pasojë e të cilave 12 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 45 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 27 shtetas janë vënë në pranga dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.