Raporti i ngjarjeve, 26 mars 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Repishti”, në zbatim të masave të caktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjet e rasteve të armëmbajtjet pa leje.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme.

Trafikonin armë zjarri, nga Shkodra drejt Tiranës, vihen në pranga 5 shtetas.

Sekuestrohen 9 armë zjarri (4 automatikë, 5 pushkë), krëhra e municion luftarak, 2 automjete, dhe 5 aparate celular.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për disa shtetas që dyshohej se transportonin armë zjarri, nga Shkodra drejt Tiranës, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Repishti”.

Si rezultat i tij në një parking në Rrugën e Rinasit, u kapën dhe u arrestuan shtetasit S. H., 22 vjeç, R. N., 18 vjeç, D. H., 22 vjeçe, D. H., 18 vjeç, dhe M. H., 26 vjeç, të gjithë banues në Malësi të Madhe.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “BMË” me drejtues shtetasin M. H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe në një valixhe në bagazh, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 armë zjarri (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krëhër e municion luftarak.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas pasi i kishin siguruar armët në Shkodër, i kishin sjellë në Tiranë për ti shitur tek persona të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

DVP Fier/Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas të tjerë, për vepra penale të ndryshme.

U kapën në flagrancë duke vënë baste sportive, me celularë, procedohen penalisht 3 shtetas dhe iu sekuestrohen celularët.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike Financiare të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Xh. K., 58 vjeç, E. M., 36 vjeç dhe R. S., 30 vjeç, sepse si rezultat i kontrolleve të kryera në ambiente të ndryshme, për të parandaluar dhe goditur rastet e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, u konstatua se 58-vjeçari mbante në celular, faqe online për baste, dhe se 2 shtetasit e tjerë po vinin baste me celularë, në një lokal në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Z., 33 vjeç, banues në fshatin Lapulec, pasi Gjykata e Fierit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Prodhimi,  mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen L. K., 53 vjeçe, banuese në fshatin Fiershegan, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur një 63-vjeçar.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. J., 36 vjeç, banues në fshatin Ninësht, pasi dyshohet se ka thyer xhamat e shkollës 9-vjeçare të fshatit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Vau i Dejës/Vijon zbatimi i masave në kuadër të planit operacional kombëtar “Tempulli 2”.

Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për shitje të farave të cannabisit, me qëllim kultivimin e tyre.

Gjatë operacionit është goditur edhe një rast i shpërndarjes së dozave të cannabisit, në zona të ndryshme të Vaut të Dejës.

Finalizohet pas një pune hetimore disajavore, me metoda speciale, operacioni policor i koduar “Prova”. 

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 23-vjeçar që shiste fara kanabisi për t’i kultivuar dhe lëndë narkotike cannabis në doza.  

Sekuestrohen qindra doza cannabis dhe 100 fara cannabis, që u gjetën gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e këtij shtetasi.     

Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, për goditjen e  veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së cannabisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Prova”.   

Gjatë këtij operacioni, në një vendparkim automjetesh, në qytetin e Shkodrës, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin S. K., në automjetin e të cilit gjetën një qese me 100 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një tjetër sasi  lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.    

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 23 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 570 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra doza të kësaj lënde dhe 100 fara cannabis sativa.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Vijojnë hetimet e thelluara për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e implikuar në një rast prostitucioni, të goditur nga Policia, më datë 6 mars 2024.

Vihet në pranga 39-vjeçari që u konfliktua me 23-vjeçaren nga Barcelona.

Ai akuzohet se shfrytëzonte për prostitucion, këtë shtetase dhe 4 të tjera të huaja, në një banesë me qira, në lagjen nr. 2, ku gjithashtu konsumoheshin lëndë narkotike.

Më herët, për rastin u proceduan penalisht 5 shtetaset e huaja.

Si rezultat i veprimeve hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të përcaktuar plotësisht autorësinë dhe rrethanat e mbajtjes së një banese në lagjen nr. 2, Durrës, për prostitucion dhe për konsumim të lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit I. Z., 39 vjeç, banues në Shijak.

Në lidhje me rastin, për këtë shtetas është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Berat/Informacion paraprak

Gjatë natës, në lagjen “22 Tetori”, Berat, pranë një picerie, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasit R. Q., 16 vjeç G. Q., 16 vjeç, (vëllezër) dhe I.B., 16 vjeç, janë konfliktuar fizikisht dhe kanë goditur me sende të forta shtetasin B. D., 17 vjeç, i cili punonte në këtë piceri.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar menjëherë në ambientet e komisariatit, shtetasit R. Q,. G. Q dhe I.B., me të cilët po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale, në praninë e psikologut dhe prindërve të tyre.

Ndërkaq, grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 13 shtetas janë vënë në pranga, 48 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste. 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve kibernetike, me autorë ende të paidentifikuar.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 1 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i falsifikimit, për të cilin vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, përgjegjësin/t;

-nga 1 rast i veprave penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Shpifja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

2 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, u ndaluan.

1 shtetas u procedua në gjendje të lirë, pasi dyshohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.