Raporti i ngjarjeve, 25,26,27 maj 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Port, Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pakot”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me DVP Durrës, Departamentin e Policisë Kriminale dhe autoritetet doganore të portit.  

Falë kontrolleve të shtuara të Policisë Kufitare dhe me mbështetjen e inteligjencës informative të strukturave hetimore të Policisë së Shtetit, parandalohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të drogave të forta. 

Gjenden të fshehura në një furgon dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 7 pako me lëndë narkotike kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë. 

Vihen në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i fugonit  ku u gjet lënda narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë, në dalje, automjetin furgon që drejtohej nga shtetasi A. D. 

Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në pjesën e poshtme të sediljes, në një vend të fshehtë të krijuar për këtë qëllim, 7 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

-A. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, shoferi i furgonit; 

-M. Ç., 28 vjeç, banues në Tiranë, pronari i furgonit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, 4 celularë, fugoni, 3950 euro, 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga.

Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në drejtimin Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Berat/I mori me forcë nga qafa, varësen e floririt, një 68-vjeçareje, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasja S. A., se një shtetas i kishte marrë me forcë nga qafa, varësen e floririt, organizuan punën dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore identifikuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin: 

A. V., 27 vjeç, banues në Berat.

Ky shtetas dyshohet se i ka marrë me forcë varësen e floririt, nga qafa, shtetases S. A., afër banesës së saj, në lagjen “Çlirim”, dhe më pas është larguar me vrap.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Lushnjë/ Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.

Siguronin droga të forta, kokainë dhe heroinë, i përpunonin dhe i ndanin në doza në banesë, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave, në lokale dhe ambiente të ndryshme, vihen pranga babë e bir. 

Sekuestrohen 420 doza heroine, 77 doza kokaine, një sasi lënde e dyshuar si përzierës i lëndëve narkotike, 2 peshore elektronike, vlerë monetare që dyshohet të jetë përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe 3 celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë “Tempulli”, dhe pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në  lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, organizohej veprimtaria kriminale e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, menjëherë kanë organizuar punën për goditjen e kësaj veprimtarie.

Për këtë rast u kapën në banesë duke pregatitur doza të lëndëve  të dyshuara narkotike heroinë dhe kokainë, shtetasi I. B., 61 vjeç, dhe djali i tij, shtetasi V. B., 32 vjeç, të dy banues në Lushnjë.

Në vijim të veprimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier u bë i mundur arrestimi i dy shtetasve të mësipërm, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin punën për pregatitjen dhe shitjen e lëndëve narkotike. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, 2 peshore elektronike, vlera monetare dhe 3 celularë.

Vijon puna nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave te tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Morinë, Kukës

Policia Kufitare e Morinës ndaloi një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Serbia, i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare krahas zbatimit të marrëveshjes për qarkullimin e lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjazohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kufitare.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës dhe si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Serbi, u ndalua në hyrje të Shqipërisë, me qëllim ekstradimin në Serbi, shtetasi serb Dushan Joviçiç, 41 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Themelore Kraljevo, e ka dënuar me 9 vite burg, për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Në përfundim të veprimeve, Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës, bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Serbisë.

Vijojnë procedurat për ekstradimin e 41-vjeçarit, në Serbi.

DVP Elbasan

Vijon operacioni policor i koduar “Mobilieri”, i zhvilluar 5 ditë më parë, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.

Kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

23-vjeçari dyshohet ka kanosur pronarin e një mobilierie për dhënien e 4000 eurove, në bashkëpunim me një 55-vjeçar, cili u arrestua 5 ditë më parë, teksa merrte shumën e parave në mobilierinë e 50-vjeçarit.

Në zbatim të planit të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin A. K., 23 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Mobilieri”, i zhvilluar 5 ditë më parë, pasi ka kanosur pronarin e një mobilierie për dhënien e 4000 eurove, në bashkëpunim me një 55-vjeçar, cili u arrestua teksa merrte shumën e parave, në mobilierinë e 50-vjeçarit. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Rinas

Vodhi një orë të shtrenjtë, në një prej bagazheve të udhëtarëve,  identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari, punonjës për ngarkim-shkarkimin e bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve në Rinas.   

Sekuestrohet ora me vlerë rreth 20 000 euro.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas kallëzimit të depozituar nga një 30-vjeçar, se kushëririt të tij, i cili kishte udhëtuar nga Rinasi drejt Athinës, i kishin vjedhur një orë të kushtueshme të cilën e mbante në bagazhet e tij dhe vjedhjen e së cilës ai e kishte konstatuar në momentin kur kishte arritur në Athinë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar.

Si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve, u arrit të identifikohet si autor i kësaj vjedhjeje, shtetasi K. Q., me detyrë punonjës i sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve. 

Në vijim të veprimeve u bë  arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit K. Q., 24 vjeç, banues në Krujë, me detyrë punonjës për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve, në aeroportin e Rinasit. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua ora e dyshuar e vjedhur, me vlerë rreth 20 000 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon vjedhjen e 2 automjeteve.

U kap në flagrancë në tentativë për të vjedhur 2 automjete, pas mesnate, vihet në pranga 50-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, gjatë patrullimeve në terren, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, kanë konstatuar pas mesnatës, në lagjen nr. 4, një shtetas që po tentonte të vidhte 2 automjete.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, kanë kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin:

A. A., 50 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për vjedhje. 

Vijojnë hetimet për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë.

Fier/Vijon megaoperacioni i koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim.

I dënuar me mbi 3 vjet burgim, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari.

Komisariati i Policisë Fier, në zbatim të planit të masave të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim: 

Elmir Dashi, 40 vjeç, banues në Fier.

 Në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, u bë ndalimi i këtij shtetasi, pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar me 3 vjet, 5 muaj e 1 ditë burgim, për veprën penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Ky shtetas, në periudhën 2012-2013, kur ka qenë i punësuar në zyrat e kompanisë për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të identifikimit, ka falsifikuar dokumentet e  identifikimit të disa shtetasve me precedentë penale, kundrejt përfitimit.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Arrestohen 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:

-ndaluan shtetasin L. M., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasin S. B., 65 vjeç, banues në Tiranë, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve;

-M. Q., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka shkekur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:

-A. L., 33 vjeç, banues në Laç, pasi në rrugen “Dritan Hoxha”, duke drejtuar në gjendje të dehur, mjetin tip “Audi”, është përplasur me mjetin me drejtues shtetasin Y. C., 57 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerja, shtetasja H. I., 21 vjeçe, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve;

-A. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, në rrugën e vjetër Sauk-Teg, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin H. A., 40 vjeç, i cili si pasojë e aksidentit ka humbur jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Komisariati i Policisë Vlorë ndaloi shtetasin Sh. K., 34 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Komisariati i Policisë Sarandë arrestoi shtetasin S. I., 36 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan doza me lëndë narkotike kanabis.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin A. S., 36 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, në fshatin Borsh, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kanabis.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referoi materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin E. Ll., 39 vjeç, pasi ka prishur qetësinë publike duke gjeneruar zhurma shqetësuese nga lokali i tij në Sarandë, si dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë.

Sektori i Policisë Rrugore në DVP Vlorë referoi materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin A. I., 25 vjeç, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin tip “Mitsubishi”, ka aksidentuar shtetasin Sh. Gj., 61 vjeç, i cili udhëtonte me biçikletë. 61-vjeçari ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet iu referuan prokurorive, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 27.05.2024, rreth orës 08:20, në rrugën “Aleksandër Mojsiu”, në një pallat në ndërtim e sipër, duke punuar ka rënë nga lartësia shtetasi A. F., 28 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Durrës/Vijon operacioni policor i koduar “Pakot”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me DVP Durrës, me Departamentin e Policisë Kriminale dhe me autoritetet doganore të portit.    

Si rezultat i hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, identifikohet dhe shpallet në kërkim pritësi i 7.3 kg kokainë që u sekuestruan në portin e Durrësit, gjatë operacionit.   

Gjatë operacionit “Pakot”, i zhvilluar 2 ditë më parë, u vunë në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i furgonit ku u gjet lënda narkotike.        

Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e rastit të tentativës për të trafikuar 7.3 kg kokainë, nga porti i Durrësit drejt Anglisë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e  Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, kanë thelluar hetimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. 

Si rezultat i hetimeve u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. C., 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike, në Angli.      

 Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.    

Ndërkohë, po bashkëpunohet ngushtësisht me autoritetet ligjzbatuese dhe homologët e Britanisë së Madhe, për të bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 190 shtetas, konkretisht: 55 shtetas janë vënë në pranga, 122 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për raste të tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 33 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 33 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 8 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 16 raste, 8 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 9 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 20 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 15 raste- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 24 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të falsifikimit, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale:

-“Dhunimi i banesës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-“Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-“Shkaktimi i vetëvrasjes”, me 1 shtetas të vënë në pranga”

-“Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Marrja e padrejtë e fëmijës” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, me 6 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

4 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për falsifikim ose për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, janë kapur dhe vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 14 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 17 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 41 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 18 shtetas janë vënë në pranga dhe 27 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.