Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë
Në vijim të njoftimit paraprak të dhënë ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin F. D., 29 vjeç, banues në Krumë, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 278 dhe 283 të Kodit Penal.
Gjithashtu po punojnë për kapjen e shtetasve A. N., 29 vjeç, banues në Tiranë, M. B., 25 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. L., 24 vjeç, banues në Domje.
Ditën e djeshme, në afërsi të rrethrrotullimit të Teg-ut, shtetasi F. D., me shtetasin A. N., janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit M. B., dhe I. L.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila nga këqyrja e pamjeve filmike i përket shtetasve F. D. dhe A. N.
Gjithashtu gjatë kontrollit fizik shtetastit F. D., shërbimet e Policisë, i gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me armën e zjarrit.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Shkodër/Megaoperacioni policor anticannabis “Territor i pastër”, asgjësohen 1790 bimë dhe 86 fidanë cannabisi.
Në kuadër të këtij megaoperacioni që ka si objektiva parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut. Gjatë kësaj faze të megaoperacionit:
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësive administrative Pult, Shalë dhe Postribë, si dhe asgjësuan 736 bimë cannabisi;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësisë administrative Shkrel, dhe asgjësuan 867 bimë dhe 86 fidanë cannabisi;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë gjetën në territorin e njësisë administrative Qelzë, dhe asgjësuan 62 bimë cannabisi;
-shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Arrëz gjetën në territorin e njësisë administrative Iballë, dhe asgjësuan 125 bimë cannabisi.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve dhe fidanëve narkotikë.
Kontrollet vijojnë.
Elbasan
Qarkullonte i armatosur me pistoletë, në mesnatë, në lagjen “Luigj Gurakuqi”, konstatohet nga një punonjës policie që ishte jashtë orarit të shërbimit.
Në momentin e konstatimit, shtetasi i armatosur ka kanosur punonjësin e Policisë, për ta vrarë.
Falë veprimeve profesionale të punonjësit të Policisë dhe mbërritjes në kohë të Patrullës së Përgjithshme dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, që ishin në patrullim në qytet, të cilat ishin njoftuar nga punonjësi i Policisë, është neutralizuar dhe arrestuar 26-vjeçari.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. B., 26 vjeç, banues në Elbasan.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës “ dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpëthyese dhe municionit luftarak”.
Kavajë/Punë profesionale hetimore dhe policore, për të parandaluar vjedhjet gjatë sezonit veror dhe për të zbardhur ato të kryera më parë.
Identifikohet, kapet dhe arrestohet autori i 3 vjedhjeve dhe i 1 tentative për vjedhje, të kryera dje dhe gjatë muajit korrik.
I arrestuari, aktualisht në kërkim nga Komisariati i Policisë Lushnjë, për të njëjtin krim.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimeve të disa qytetarëve, ditën e djeshme, për vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar të këtyre rasteve, shtetasin P. Z., 59 vjeç, banues në Fier.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas:
-më datë 22.08.2024, në lagjen nr. 5, Kavajë, ka vjedhur 2 celularë;
-më datë 22.08.2024, në Golem, ka vjedhur sende personale, në një automjet;
-më datë 22.08.2024, në fshatin Synej, ka tentuar të vjedhë në një banesë;
-më datë 25.07.2024, në Kavajë, ka vjedhur në një banesë.
Më tej, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi P. Z. ishte aktualisht në kërkim nga Komisariati i Policisë Lushnjë, pasi dyshohet se më datë 10.05.2024, ka vjedhur në një automjet në Lushnjë, dokumente dhe një shumë eurosh.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer 59-vjeçari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 60 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste. Për 6 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 15 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 9 raste, 3 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 5 shtetas janë vënë në pranga, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të krimeve kibernetike, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për 1 rast të mëparshëm në këtë fushë, është identifikuar autori i dyshuar dhe pas konsultimit me prokurorin, për të ka nisur procedimi në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprimtarive kriminale në fushën e prostitucionit, me 1 shtetase të vënë në pranga, 1 shtetase të shpallur në kërkim dhe 7 shtetase të proceduara në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Fyerja”, “Ngacmimi seksual”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 7 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 9 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.