Raporti i ngjarjeve, 2 nëntor 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Dimal/Vijon operacioni policor i koduar “Lojtari”. Goditet një tjetër rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.Kishte vënë lokalin që administronte, në dispozicion të organizimit të lojës Poker, procedohet penalisht 31-vjeçari.Sekuestrohen sendet që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të vënies së një ambienti, në fshatin Kutalli, në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë goditur këtë rast paligjshmërie.Në vijim të operacionit policor të koduar “Lojtari”, të zhvilluar në nivel qarku, kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. B., 31 vjeç, banues në fshatin Kutalli, Dimal.31-vjeçari kishte përshtatur lokalin që administronte, për organizimin e kundërligjshëm të lojës Poker. Nga ky ambient, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, çipsa dhe letra bixhozi që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier/Arrestohet 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, për shtetasin D. K., 55 vjeç, banues në Patos, me detyrë përgjegjës në Stacionin e Grumbullimit të Naftës, Zharrëz, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër, është konstatuar se në një kanal në fshatin Zharrëz, derdheshin mbetje të hidrokarbureve, për llogari të subjektit ku 55-vjeçari është përgjegjës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. Ç., 21 vjeç, banues në Lushnjë, pasi nga kontrolli fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë e ftohtë (përforcues grushti).

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 69 vjeç, pasi në fshatin Pluk, dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta, një shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Librazhd/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.Goditet një tjetër rast i kësaj veprimtarie, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.Sekuestrohen 2 armë zjarri, krehër dhe municion luftarak.Vijon puna për kapjen e 51-vjeçarit që i mbante ato në banesë.Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie.Për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi A. D., 51 vjeç, banues në fshatin Dranovicë, njësia administrative Lunik, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia ka gjetur 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri tip “Belçik”, krehër dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për kapjen e 51-vjeçarit.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. 

Vau i Dejës, Shkodër-Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.Finalizohet operacioni policor i koduar “Kontigjenti”.Qarkullonte me automjet, duke mbajtur me vete kallashnikov dhe dy krehra me fishekë, falë inteligjencës policore kapet dhe vihet në pranga 37-vjecari, i cili tentoi të largohej në momentin e ndërhyrjes së Policisë.I arrestuari, i dënuar më parë brenda dhe jashtë vendit, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim.Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov dhe 2 krehrat me municion luftarak.Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas që qarkullonte me automjet, me armë zjarri me vete, dyshohet se do të kryente ngjarje kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kontigjenti”.Në kuadër të operacionit, në unazën e qytetit të Vaut të Dejës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar.Drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit tip “Audi”, poshtë sediljes së pasme të pasagjerit, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov dhe 2 krehra me municion luftarak.Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi M. (Z.) Gj., 37 vjeç, banues në Vaun e Dejës, i dënuar më parë në Shqipëri, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim, si dhe në Francë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe në drejtimin e  Prokurorisë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të qëllimit që kishte ky shtetas që qarkullonte me armë zjarri.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë-Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një shtetase duke keqtrajtuar disa kafshë, në një ashensor, ju sqarojmë se:Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetases që shfaqet në video.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe proceduan penalisht shtetasen G. K., 51 vjeçe, banuese në Tiranë.Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.Në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, kafshët e keqtrajtuara, u vendosën në kujdesin e një shoqate për mbrojtjen e kafshëve.Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Korçë-Vijonte të prodhonte në mënyrë të kundërligjshme, artikuj/mallra industrialë dhe ushqimorë, në subjektin ku i ishte bllokuar aktiviteti, vihet në pranga 65-vjeçari.Sekuestrohen rreth 15 000 etiketa produktesh, të falsifikuara, një sasi e konsiderueshme kavanozash qelqi me produkte ushqimore të konservuara dhe një automjet që shërbente për transportimin e mallrave ushqimore.Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit të kundërligjshëm të mallrave industrialë dhe ushqimorë, falsifikimit të vulave apo stampave dhe informalitetit, kanë goditur një tjetër rast në këtë fushë. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. F., 65 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë.Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se një shtetas ushtronte veprimtari të paligjshme në subjektin e tij tregtar në qytetin e Pogradecit, kanë organizuar punën me qëllim verifikimin e rastit. Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e shtetasit S. F., ku prodhoheshin dhe përpunoheshin artikuj bujqësorë, të mishit dhe peshkut, u gjet një sasi e konsiderueshme kavanozash qelqi me vëllime të ndryshme të mbushura me produkte ushqimore të konservuara, një pjesë e të cilave ishin pa etiketë, ndërsa pjesa tjetër kishte mbishkrime të kompanisë në pronësi të 65-vjeçarit, e cila aktualisht ndodhet me status të bllokuar nga institucionet përkatëse.Gjithashtu, gjatë kontrollit u gjetën mbi 15 000 etiketa ngjitëse me logon e subjektit të tij, me emërtime produktesh ushqimore të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 30 shtetas janë vënë në pranga, 51 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste– 4 shtetas janë vënë në pranga. 2 shtetas të tjerë, të shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në këtë fushë, janë kapur dhe ndaluar.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 4 raste, njëri prej të cilëve me autor/ë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste- 7 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprave penale “Mashtrimi për veprat e artit e të kulturës” dhe “Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vetëgjyqësia”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Keqtrajtimi i kafshës”, “Kanosja e gjyqtarit”, “Fyerja e gjyqtarit” dhe “Dhunimi i banesës”, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, është kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.