Raporti i ngjarjeve, 19, 20 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Vlorë

Vodhi një shumë parash dhe sende personale, në një automjet të parkuar, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 36-vjeçari.    

I arrestuari, me precedentë të mëparshëm për të njëjtin krim. 

Sekuestrohen një shumë parash dhe sendet e vjedhura nga ky shtetas.  

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e një shtetasi kosovar, të parkuar në zonën e Lungomares, ishin vjedhur një shumë parash dhe çanta e tij me sende personale, kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe bazuar në provat e siguruara, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Storm 20”. Si rezultat, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit A. Ç., 36 vjeç, banues në Vlorë.        

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 36-vjeçarit, një shumë parash (euro dhe lekë), dokumentet dhe sendet e tjera të vjedhura nga automjeti i shtetasit kosovar.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

I hoqën lirinë një shtetasi dhe ushtruan dhunë ndaj tij, arrestohen 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Gjithashtu, u arrestua 1 shtetas tjetër që ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar në Polici. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të marrë ditën e sotme nga një 20-vjeçar, se 3 shtetas i kishin hequr lirinë dhe kishin ushtruar dhunë ndaj tij, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre.

Si rezultat:

-u arrestuan shtetasit D. B., 36 vjeç, dhe E. H., 31 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi H. P., 19 vjeç, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

-u arrestua shtetasi T. K., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Shtetasit D. B., E. H. dhe H. P., dyshohet se për motive të dobëta, kanë marrë me forcë në sheshin “Skënderbej”, një 20-vjeçar, ndaj të cilit kanë ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shtetasi T. K. ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar atë në Polici.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Start”, gjatë të cilit u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 300.000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive në emër të shtetasit Gj. (Sh.), Ll., 42 vjeç, dhe të familjarëve të tij.  

Në zbatim të këtij vendimi  u sekuestruan një automjet, një garazh dhe një njësi tregtare në Selitë, vlera e të cilave arrin rreth 300.000 euro.   

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi Gj. (Sh.), Ll., të cilin autoritetet italiane e kanë dënuar me burgim, për trafikim lëndësh narkotike në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim.    

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Shijak, Durrës

Tentuan të shitnin në treg, një shumë eurosh të dyshuara të vjedhura në banka të shteteve të BE-së, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 80 000 euro.

Seksioni i Mbështetjes Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i adimistrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, se 2 shtetas tentonin të shitnin në treg, një shumë eurosh (me bojë sigurie) të dyshuara të vjedhura në banka të shteteve të BE-së, finalizuan operacionin policor të koduar “Suspicion”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit T. D., 33 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe V. K., 43 vjeç, banues në fshatin Ardhishte, Shijak.

Në fshatin Ardhishte, në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën 80 000 euro që dyshohet se janë vjedhur në banka të shteteve të BE-së, me qëllim shitjen në tregun e brendshëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

DVP Kukës/Vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar 2 raste të ndërtimeve pa leje.

Procedohen penalisht 4 shtetas.

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve që kryhen vazhdimisht në terren, në bashkëpunim me inspektorët e IMT-së, kundër ndërtimeve të paligjshme, komisariatet e Policisë Kukës dhe Tropojë referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë për shtetasit:

-A. H., banues në Kukës dhe M. S., banues në Tropojë.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit S. H., 42 vjeç dhe A. M., 49 vjeç, të dy banues në Kukës, të cilët u  konstatuan nga Policia, duke punuar me mjete të rënda, në njërin nga objektet që po ndërtohej pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Peqin/Vijon megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”.

Zbulohet një magazinë  e përshtatur për kultivim të cannabisit, me anë të llambave.

Vihet në pranga pronari i ambientit.

Në pranga dhe drejtori i OSHEE, Peqin, si dhe procedohen penalisht  2 punonjës të këtij institucioni, për shpërdorim të detyrave dhe moskallëzim të krimit.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, pajisje elektrike dhe sende të tjera që shërbinin për të kultivuar bimët narkotike, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike cannabis.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin  operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër“, si dhe bazuar në inteligjencën policore, Komisariati i Policisë Peqin, në bashkëpunim me Seksionin kundër Narkotikëve të DVP Elbasan, organizoi operacionin policor të koduar “Inside”.

Në kuadër të operacionit, u  arrestua shtetasi G. K., 37 vjeç, banues në Peqin, pronari i magazinës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.

Nga kontrolli në magazinën në pronësi të 37-vjeçarit, në fshatin Fatishe, Policia konstatoi se ky ambient ishte përshtatur për kultivim dhe prodhim të kanabisit, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë ndalimi i shtetasit E. M., 33 vjeç, banues në Peqin, me detyrë Drejtor i OSHEE, Peqin, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasin M. P., 60 vjeç, me detyrë elektricist i OSHEE, Peqin, dhe për shtetasin A. K., 33 vjeç, me detyrë faturist i këtij institucioni.

Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe për dokumentmin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 134 shtetas, konkretisht: 30 shtetas janë vënë në pranga, 99 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 19 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 27 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i shpallur në kërkim për vepra penale në këtë fushë, është kapur dhe ndaluar.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 8 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste- 8 shtetas janë vënë në prang dhe 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 17 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshim me vendimin e gjykatës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Dhunimi i banesës”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilave 5 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.