Raporti i ngjarjeve, 18 korrik 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Cash”. 

Përvetësoi 1 500 000 lekë që i tërhoqi nga llogaria bankare e vëllait të tij, me kartën që e siguroi me anë të mashtrimit, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, menjëherë pas administrimit të një kallëzimi të depozituar më datë 01.07.2024, për një rast të mashtrimit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Cash”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit K. M., 33 vjeç, banues në Elbasan.   

Prokuroria e Elbasanit, më datë 17.07.2024, ka lëshuar urdhër ndalimi për këtë shtetas, pasi dyshohet se gjatë muajit qershor 2024, ka tërhequr shumën 1 500 000 lekë, nga llogaria bankare e vëllait të tij, me kartën të cilën ia kishte marrë nënës së tyre, me anë të mashtrimit.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.

Velipojë/Ndërhyrja e Policisë parandaloi përshkallëzimin e një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet disa të rinjve, që mund të sillte pasoja për jetën.

Goditi me grushte një shtetas 22 vjeç, kapet nga Policia, sapo nxorri mjetin prerës (thikë) për ta përdorur në konflikt, dhe vihet në pranga 19-vjeçari.

Procedohet penalisht 22-vjeçari, pasi ka goditur me grushte, 19-vjeçarin.

Sekuestrohet mjeti prerës (thikë).

Mesditën e djeshme, menjëherë pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa të rinjve, për motive të dobëta, në vendparkimin e automjeteve, në një subjekt në qendër të Velipojës, shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë kanë shkuar në vendngjarje, për të parandaluar përshkallëzimin e këtij konflikti dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin/ët.

Si rezultat, u kap sapo kishte nxjerrë nga automjeti, mjetin prerës (thikë), për ta përdorur në konflikt, dhe u arrestua shtetasi K. S., 19 vjeç.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin K. T., 22 vjeç, pasi gjatë konfliktit, ka goditur me grushte të arrestuarin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

DVP Durrës

Kapet dhe vihet në pranga një 29-vjeçar që dyshohet se aksidentoi me pasojë vdekjen një shtetas dhe u largua nga vendi i aksidentit.      

Vihet në pranga edhe vëllai i tij, në bazë të dyshimeve për rrethanat e këtij aksidenti.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur rreth orës 11:00 të datës 15.06.2024, në lagjen nr.13, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi Z. K., 77 vjeç, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore: 

-ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit A. S., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”;

-ndaluan me iniciativë vëllanë e 29-vjeçarit, shtetasin M. P., 25 vjeç, pas deklarimit të shtetasit  A. S. se në momentin e aksidentit, automjeti drejtohej nga shtetasi M. P.

Vijojnë veprimet hetimore për të individualizuar përgjegjësinë penale të këtyre shtetasve. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit/Bashkëpunimi i ngushtë me homologët spanjollë, finalizon një tjetër operacion policor ndërkombëtar.

Si rezultat i operacionit të koduar “Rekrutuesi”, arrestohet në Spanjë, një 47-vjeçar që akuzohet nga GjKKO-ja se rreth 1 vit më parë, në Vlorë, kishte organizuar vrasjen e 2 shtetasve (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).

Në bazë të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të menjëhershëm të tij, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje, u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutuesi”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në Spanjë, shtetasi L. L., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 05.02.2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.

47-vjeçari akuzohet se më datë 08.08.2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi u arrestua shtetasi A. N., i cili dyshohet se i paguar prej shtetasit L. L., do të kryente vrasjet. Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.

Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e shtetasit L. L., në Shqipëri.

Mirditë

Kontrolle intensive dhe finalizim të operacioneve proaktive, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet operacioni policor i koduar “DOUBLE”.

Po ujiste 520 bimë narkotike, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 37-vjeçari.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara si rezultat i një hetimi proaktiv njëmujor, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “DOUBLE”.  

Si rezultat i këtij operacioni, u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:

F. N, 37 vjeç, banues në fshatin Shëmri, njësia administrative Orosh, bashkia Mirditë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit në afërsi të fshatit ku banonte, kishte kultivuar 520 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.  

Gjatë operacionit të zhvilluar në orët e para të mëngjesit, ky shtetas u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.

Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin S. Ll., me detyrë kryeplak i fshatit Shëmri, dhe për shtetasin Gj. Gj., me detyrë specialist i pyjeve, pasi dyshohet se nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale, në zonën që mbulojnë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë vijon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Krujë

Komisariati i Policisë Krujë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit, ka ogranizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ilegal game”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 24 vjeç, E. I., 24 vjeç, dhe M. T., 24 vjeç, të tre banues në Fushë Krujë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. K., 24 vjeç, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Gjatë kontrollit në një lokal në Fushë Krujë, këta shtetas u kapën në flagrancë duke luajtur lojëra fati, me celularë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan celularët e këtyre shtetasve, çipsa pokeri, letra bixhozi dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Terminal”.

Sekuestrohen rreth 320 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike. 

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Terminal”.  

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Arben Broci”, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik, i gjetën rreth 320 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, furnizonte disa shtetas të cilët dyshohet se e ndanin dhe e shitnin lëndën narkotike, në doza. 

Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe një celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  

Punohet për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 32 shtetas janë vënë në pranga, 43 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste. Për 4 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 13 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas.

Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, me 1 shtetas të vënë në pranga. 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra penale në këtë fushë, janë ndaluar.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomike- me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i shpallur në kërkim për vepra penale në këtë fushë, është ndaluar.

Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Administrimi i ujit pa të drejtë”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për rastet e tjera 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.