Raporti i ngjarjeve, 18, 19 shtator 2024
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 17”, i zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh. Kapen në Tiranë dhe arrestohen me qëllim ekstradimin në Kosovë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Kosovë, në kuadër të planit operacional policor të koduar “Para drejtësisë”, mbi vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Kosovës, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 17”, kapi në Tiranë dhe vuri në pranga shtetasit: A. B., 59 vjeç dhe Sh. S., 51 vjeç, të dy banues në Tiranë. Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Themelore e Gjakovës, Kosovë, me vendimin e datës 19.08.2024, i ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës. Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe autoriteteve ligjzbatuese kosovare, për t’i ekstraduar këta shtetas, në Kosovë.
Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 158 shtetas, konkretisht: 38 shtetas janë vënë në pranga, 115 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 19 raste. 9 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 17 raste- 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 18 raste- 24 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 11 raste, 4 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste- 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 21 raste- 11 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 19 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 5 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë
Janë evidentuar:
-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, me 2 shtetas të proceduar ne gjendje të lirë;
– nga 1 rast i veprave penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Përdorimi i me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të peoceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetase ka humbur jetën dhe 10 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.