Raporti i ngjarjeve, 16 nëntor 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

PKK Kakavije

Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije, pas koordinimit të punës dhe informacioneve me shërbimet e DVP Tiranë, kapën dhe ndaluan në dalje të RSH-së, shtetasin gjerman të shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, H. D., 20 vjeç, banues në Gjermani. Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen nga DVP Tiranë.

Po nga këto shërbime u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin grek S. M., 48 vjeç, banues në Greqi, pasi nga kontrolli i kryer në bazë të analizës së riskut, në automjetin e këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 110 fishekë armësh gjahu, mjete të tjera për gjueti dhe një shkop metalik si i Policisë, që dyshohet se posedoheshin në kundërshtim me ligjin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

DVP Dibër

Policia ekzekuton masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 1 shtetas të akuzuar për vrasje, si dhe ndalon 1 shtetas tjetër të akuzuar nga GjKKO-ja, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin V. (Xh.) E., 43 vjeç, banues në fshatin Pollazhan, Dibër. Gjykata e Apelit Tiranë i ka caktuar këtë masë sigurie dhe e ka dënuar me 16 vjet burg, 43-vjeçarin, pas hetimeve për vrasjen e shtetasit A. K., të kryer në vitin 2017.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Bllatë, ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Xh. alias U. Z., 42 vjeç, banues në Dibër, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.

DVP Berat/Hetime proaktive dhe kontrolle në terren, në vijim të megaoperacionit “Tempulli”, kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.Vihen në pranga 2 shtetas, të cilët nga hetimet në kuadër të megaoperacionit, rezultojnë të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Kuçovës.Sekuestrohen 20 600 paund dhe 3 000 000 lekë, të dyshuar të përfituar nga veprimtaritë kriminale, si dhe një elektroshok dhe 2 shkopinj metalik.Si rezultat i hetimeve intensive, të ndjekura me metoda proaktive, nga Policia dhe Prokuroria e qarkut Berat, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat vunë në pranga shtetasit A. B., 23 vjeç dhe F. K., 24 vjeç, të dy banues në Kuçovë.Nga hetimet rezulton se këta 2 shtetas janë të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Kuçovës. Nga kontrollet, në banesën e shtetasit A. B. u gjetën 20 600 paund dhe 3 000 000 lekë të dyshuar të përfituar nga veprimtaritë kriminale, si dhe një elektroshok, ndërsa në banesën e shtetasit F. K., u gjetën 2 shkopinj metalik.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Sarandë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave.Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i kësaj veprimtarie kriminale, në qytetin e Sarandës.Kapet dhe vihet në pranga 44-vjeçari që shpërndante doza kanabisi, në afërsi të shkollave, në qytet.Sekuestrohen 63 doza lënde narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Nakotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike në afërsi të shkollave në qytet, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.Si rezultat, u kap dhe u arrestua shtetasi P. M., 44 vjeç, banues në Sarandë.Gjatë kontrollit ndaj 44-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në rreth 63 doza, gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza, të cilat i shiste më pas në qytet, kryesisht në afërsi të shkollave.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.  

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 99 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 74 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste– 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të tjerë, të shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në këtë fushë, janë kapur dhe ndaluar.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 7 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër, i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në këtë fushë, është kapur dhe ndaluar.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 9 raste, 5 prej të cilëve me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë shpallur në kërkim për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të mosbindjes/kundështimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Përndjekja”, janë kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.