Raporti i ngjarjeve, 16 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Fier

Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë vijuar pa ndërprerë veprimet operacionale në terren me qëllim kapjen e autorit të vrasjes së punonjësit të Policisë Novruz Cenalia.

Veprimet Operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu.

Paralel me veprimet operacionale në terren, policia ka zhvilluar negociata me familjarët e autorit për t’u vetëdorëzuar.

Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore dhe procedurale me autorin e dyshuar, Azgan Mernica.

Krujë

Komisariati i Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, pas një hetimi njëmujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, ka finalizuar operacionin e koduar “Cover”. 

Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit H. K., 62 vjeç, dhe A. K., 32 vjeç, (babë e bir), të dy banues në Krujë. 

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kultivuar dhe kanë përshtatur disa vende të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike, në fshatin Brret. Gjatë kontrollit në një pjesë të pyllëzuar të fshatit Brret, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 30 bimë të dyshuara narkotike cannabis.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1060 fara të dyshuara narkotike kanabisi.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 14.05.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin E. V., 38 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 60 shtetas, konkretisht: 15 shtetas janë vënë në pranga, 40 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste- 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për 1 rast të mëparshëm në këtë fushë, është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim, për 2 rastet e tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Goditje për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të falsifikimit, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprimtarive kriminale: kalimi i kundërligjshëm i kufirit shtetëror, krimeve ekonomike, vetëgjyqësisë, ndërhyrjeve të padrejta në jetën private, keqtrajtimit të të miturit dhe përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, “Përndjekja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga.

Janë ndaluar 5 shtetas, përkatësisht për veprat penale:

-“Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

-“Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”;

-“Përndjekja”;

-“Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”;

-“Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

1 shtetas arrestuar në flagrancë në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ka ndodhur 1 aksident rrugor, me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 7 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.