Raporti i ngjarjeve, 15 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Durrës

Qëlloi me armë zjarri, nga banesa ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, pas disa orësh negociata, RENEA hyri në banesë dhe liroi fëmijët.

Gjithashtu, RENEA vuri në pranga autorin dhe i sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov.

Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.

Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.

Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.

Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.

40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale.

Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim.

Durrës

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 02:30, të datës 15.05.2024, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ku shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë, u neutralizua nga shërbimet “RENEA”, në bashkëpunim me ato të Policisë së Durrësit, pasi mbajti peng 2 fëmijët e tij të mitur (6 dhe 11 vjeç), në një apartament të marrë me qira, dhe qëlloi nga dritarja me armë zjarri kallashnikov, ju infomojmë se:

Pas shoqërimit të tij në ambientet e Policisë, u kryen veprimet procedurale dhe në përfundim të tyre u bë arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit A. M., shtetasen B. M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë.

Gjithashtu, përsa i përket gjendjes penale të shtetasit A. M., ju informojmë se pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.

Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme, rrethanat e tjera të këtij rasti.

Tiranë

Komisariati i Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pasurisë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Monopati 2”.

Dokumentohen me prova ligjore 12 vjedhje të kryera në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë operacionit u arrestua shtetasi F. D. (B.)., 30 vjeç, dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit A. K., 20 vjeç, dhe J. F., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Shtetasi F. D., është kapur në flagrancë duke vjedhur një monopatinë, në rrugën “Perlat Rexhepi”, dhe gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan sasi lënde narkotike kokainë. Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas është autor i 11 vjedhjeve të monopatinave, të kryera gjatë periudhës mars-maj 2024, ndërsa shtetasit A. K., dhe J. F., kanë përvetësuar monopatinat e vjedhura.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit F. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy monopatina të dyshuara të vjedhura.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Durrës

Pas një konflikti të çastit, në një lokal, u plagos me armë zjarri një 25-vjeçar, rast për të cilin Policia arrestoi menjëherë një 51-vjeçar dhe po punon për kapjen e djalit të tij.

Rreth orës 03:20, dyshohet se pas një konflikti të çastit, në një lokal në lagjen nr. 13, ndërmjet shtetasve R. C., 25 vjeç, K. C., 40 vjeç dhe M. C., 28 vjeç, vëllezër, të tre banues në fshatin Fllakë, dhe shtetasve A. K., 51 vjeç dhe E. K., 25 vjeç, babë e bir, është plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi R. C., i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale, është kapur dhe vënë në pranga njëri nga autorët e dyshuar të plagosjes, shtetasi A. K., si dhe po punohet për kapjen e djalit të tij, shtetasit E. K..

Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë penale të shtetasve të përfshirë në konflikt, si dhe për të provuar ligjërisht rrethanat e tjera të këtij rasti.

Durrës

Vuri lëndë plasëse në një magazinë, Policia identifikon autorin dhe vijon punën për kapjen e tij.

Menjëherë pas njoftimit , rreth orës 23:45, të datës 14.05.2024, se në magazinën në pronësi të shtetasit L. M., 50 vjeç, në fshatin Shkafane, kishte ndodhur një shpërthim (me pasojë vetëm dëme materiale), shërbimet e Postës së Policisë Manzë kanë shkuar në vendngjarje.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore është identifikuar autori i dyshuar i rastit, shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në fshatin Rrotull.

Vijojnë kërkimet për kapjen e tij, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, vijojnë hetimet për të provuar ligjërisht rrethanat e këtij rasti.

Shkodër

Po ndërtonte një dyqan, pa leje, në zonë urbane, arrestohet 58-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve që kryhen në bashkëpunim me specialistët e IMT Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, në zonat turistike dhe në ato urbane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër vunë në pranga shtetasin F. T., 58 vjeç.

58-vjeçari po ndërtonte pa leje, në lagjen “Guerile”, një strukturë betoni që do të shërbente si dyqan.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 26 shtetas janë vënë në pranga, 57 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për 1 rast të mëparshëm në këtë fushë, është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste. Për njërin prej tyre vijojnë hetimet, ndërsa për rastin tjetër është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për 3 raste të mëparshme në këtë fushë, janë ndaluar 4 shtetas të shpallur në kërkim.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 8 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 5 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-nga 1 rast i veprave penale “Mashtrimi”, “Vjedhja e rrjetit të komunikimeve elektronike”, “Vetëgjyqësia”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Fyerja” dhe “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, me 15 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i falsifikimit, me autor/ë ende të paidentifikuar.

11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për 1 rast të mëparshëm të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, është ndaluar.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 1 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.