Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
DVP Gjirokastër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Crossborder line”, si rezultat i një hetimi të kyer për më shumë se 1 vit, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës.
Ekzekutohen masat e sigurisë për 6 shtetas (4 prej tyre “Arrest në burg”), pjesëtarë të një grupi që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa drejt Greqisë dhe ndihmonte emigrantë që të kalonin ilegalisht kufirin me Greqinë, kundrejt pagesës.
Shpallen në kërkim 5 shtetas, pjesëtarë të këtij grupi.
Gjatë periudhës hetimore, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme vlerash monetare, municion luftarak, celularë, automjete, dokumente të falsifikuara etj.
Si rezultat i një hetimi të iniciuar në vitin 2023, në Prokurorinë e Gjirokastrës, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër dhe me Komisariatin e Policisë Tepelenë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Crossborder line”. Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua masat e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Gjirokastrës, për shtetasit:
-P. L., 49 vjeç, banues në Tepelenë, i dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim (në rolin e organizatorit);
-Y. Ç., 55 vjeç, banues në Tepelenë, i dyshuar për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim;
-V. Z., 52 vjeç, banues në Libohovë, i dyshuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, të kryera në bashkëpunim;
-A. S., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, i dyshuar për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim (në rolin e organizatorit). Ky shtetas ndodhet aktualisht në paraburgim, për të njëjtën vepër penale të kryer më parë.
Gjithashtu, u ekzekutuan masat e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasit V. Ç., 58 vjeç dhe S. Ç., 51 vjeç (vëllezër), të dy banues në Libohovë, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Në vijim të këtij operacioni, u shpallën në kërkim shtetasit:
-E. N., 40 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, të kryera në bashkëpunim (aktualisht i arrestuar në Greqi);
-A. N., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, K. M., 32 vjeç, banues në Belsh, Elbasan, A. Sh., 23 vjeç, banues në Kukës dhe L. H., 32 vjeç, banues në Belsh, Elbasan, të cilëve Gjykata iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas akuzohen se të organizuar si grup kanë trafikuar lëndë narkotike cannabis sativa drejt Greqisë, si dhe kanë ndihmuar disa grupe emigrantësh për të kaluar ilegalisht kufirin Greqi-Shqipëri, kundrejt pagesës.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive është dokumentuar roli i shtetasit P. L., si organizator i veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, dhe roli i shtetasit A. S., si organizator i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Gjatë hetimeve të kryera për të dokumentuar veprimtaritë kriminale të këtyre shtetasve, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme vlerash monetare, municion luftarak, celularë, automjete, dokumente të falsifikuara etj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit/Finalizohet pas disa muajsh hetime operacioni policor i koduar “Gjurma virtuale”.
Operacioni, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Task Forcës për Shërbimet e Përbashkëta Investiguese në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Njësisë kundër Krimeve Kibernetike, me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së ShBA në Tiranë (RSO/OCIU) dhe me Prokurorinë e Tiranës
Prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur, arrestohet 71-vjeçari (shtetas amerikan, me precedent penal jashtë Shqipërisë).
Hetimet disamujore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurma virtuale” rezultuan me identifikimin dhe ndalimin e shtetasit amerikan D. L., 71 vjeç, banues në Tiranë.
Ai dyshohet se në Shqipëri, prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur.
Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, për lejim të kontrollit, Departamenti i Policisë Kriminale kreu kontroll në banesën e 71-vjeçarit, ku gjeti dhe sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Vijojnë hetimet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 52 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste. Janë vënë në pranga 7 shtetas, janë shpallur në kërkim 5 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për 2 rastet e tjera, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për 9 rastet e tjera, 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të krimeve ekonomike. 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të vjedhjeve, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për rastet e tjera.
Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetase të vënë në pranga. Në Gjirokastër u vunë në pranga 4 shtetas dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë, të akuzuar për këtë vepër penale;
-2 raste të falsifikimit, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastin tjetër, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprave penale “Ndertimi i paligjshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, për të cilin vijojnë hetimet me qëllim zbardhjen e rrethanave;
-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Prishja e qetësisë publike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Dhunimi i banesës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.