Raporti i ngjarjeve, 13 mars 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Durrës/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. 

Përpunonte në banesë, lëndë narkotike, duke e ndarë në doza, me qëllim shitjen, arrestohet në flagrancë 53-vjeçari.   

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike cannabis sativa në formë boçeje, 1 grirëse dhe 2 kallëpe metalike të cilat dyshohet se përdoreshin për grirjen dhe ndarjen e lëndëve narkotike në doza. 

Në vijim të kontrolleve të bazuara në inteligjencën policore dhe të kryera në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të DVP Durrës, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit A. R., në fshatin Xhafzotaj.

Gjatë kontrolleve në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 makineri dhe 2 kallëpe metalike të cilat dyshohet se përdoreshin për grirjen dhe ndarjen e lëndëve narkotike në doza. 

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 53 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas siguronte lëndë narkotike në sasi, i pëpunonte në banesë dhe i ndante në doza, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave dhe në lagjet e qytetit të Durrësit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Rinas/Si rezultat i kontrolleve të shtuara nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe i përdorimit të mjeteve bashkëkohore për ekzaminimin e dokumenteve, goditen 2 raste të tentativës për të kaluar kufirin, me dokumente të falsifikuara. 

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas turq që tentuan të dilnin nga Shqipëria, me pasaporta greke të falsifikuara.      

Sekuestrohen pasaportat false dhe biletat e udhëtimit.  

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe i përdorimit të mjeteve bashkëkohore për ekzaminimin e dokumenteve, bazuar në analizën e riskut, kanë goditur 2 raste të tentativës për të kaluar kufirin, me dokumente të falsifikuara. Për këto dy raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit turq:   

M. S., 38 vjeç dhe D. A., 26 vjeç, të dy banues në Turqi. 

Këta shtetas kanë paraqitur në sportel, në dalje, pasaporta greke me të dhënat e tyre, të cilat pas ekzaminimit në laborator, rezultuan të falsifikuara. Pasaportat false dhe biletat e udhëtimit të këtyre shtetasve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Tempulli 2”, u finalizua me sukses nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Furnizuesi”.

Sekuestrohen sasi farash të dyshuara narkotike kanabisi, (4000 fara), vihet në pranga poseduesi i tyre.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, për një shtetas i cili transportonte fara kanabisi, me qëllim shitjen kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Furnizuesi”.

Si rezultat u arrestua në flagrancë një shtetas 17 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit fizik dhe çantës së tij, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan sasi farash të dyshuara narkotike kanabis (4000 fara).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”. 

Kapet dhe vihet në pranga, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, një 26-vjeçar i kërkuar për vepra penale në fushën e narkotikëve. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.  

Si rezultat, në rrugën “Xhon Belushi”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi D. C.(G)., 26 vjeç, banues në Korçë.   

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në vitin 2022, 26-vjeçari ka trafikuar lëndë narkotike, në qytetin e Korçës.  

Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vazhdon.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.   

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 59 shtetas, konkretisht: 17 shtetas janë vënë në pranga, 36 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste– 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas është ndaluar për një 1 rast të mëparshëm në këtë fushë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kalimit të kundërligjshme të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Dhunimi i banesës” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.