Raporti i ngjarjeve, 12 prill 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë

Në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale mbarëkombëtare “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “All in”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin për Trafiqet e Paligjshme, të DVP Tiranë. 

Gjatë operacionit:

U kap një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Tempulli 2”;

U godit një rast i mbajtjes pa leje të armëve;

U godit një rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike;

U godit një rast i mbajtjes së minave me telekomandë, të cilat dyshohet se do të shiteshin te grupet kriminale.

Sekuestrohen 5 armë (një armë zjarri kallashnikov, 4 armë gjahu), 6 kapdolla detonatore me kohe vonese, 3 pako me lëndën të dyshuar plasëse dinamit, 3 mina të lidhura mr mekanizma me aparate celulare, 3 aparate celulare, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, 1 kg kanabis, krëhra pistolete dhe municion luftarak.

Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim më parë në kuadër të operacionit “Tempulli 2”, dhe po punohet për arrestimin e një shtetasi tjetër.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacioneve “Tempulli 2”, dhe “Sundimi i ligjit”, për një shtetas në kërkim dhe një tjetër që posedonte armë zjarri dhe sende të kundraligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “All in”.

Si rezultat i operacionit u ndalua shtetasi E. T., 44 vjeç, i shpallur në kërkim më parë në kuadër të operacionit “Tempulli 2”, dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. T., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së 45-vjeçarit, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan 5 armë (një armë zjarri kallashnikov, 4 armë gjahu), sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, 1 kg kanabis, krëhra pistolete dhe municion luftarak.

Gjithashtu, në kuadër të operacionit “All in”, Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në një garazh në rrugën “Besim Alla”. Gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, 6 kapsolla detonatore me kohe vonese, 3 pako me lëndëntë dyshuar plasëse dinamit, 3 mina të lidhura me mekanizma me aparate celulare, 3 aparate celulare.

Në lidhje me këtë rast u shpall në kërkim shtetasi A. M., dhe nga verifikimet e kryera dyshohet se ky shtetas do ti shiste minat te grupe kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vau i Dejës/Goditje të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, po kryhen në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”.

Me armë zjarri me fishek në fole, lëvizte në Fshat të Ri, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, me krehrin dhe fishekët.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore që sigurohet në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për shtetasit që mbajnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin Sh. S., 36 vjeç, banues në Shkodër.

36-vjeçari është lokalizuar në Fshat të Ri dhe sapo ka parë shërbimet e Policisë ka tentuar të largohet. Ai është kapur dhe ndaluar menjëherë dhe me vete i është gjetur 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të cilën e mbante pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Lushnjë

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje.

Arrestohet në flagrancë 58-vjeçari që ushtronte dhunë fizike ndaj vajzës së tij dhe e kanosi atë me mjet prerës. Sekuestrohet mjeti prerës (thikë).

Gjithashtu, kapet dhe ndalohet një shtetas në kërkim, i dënuar me 1 vit burgim, për dhunë në familje.

Pas njoftimit se një shtetase 19 vjeçe ishte dhunuar fizikisht dhe ishte kanosur për jetën, nga babai i saj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë ndërhyrë menjëherë për kapjen e këtij shtetasi dhe parandalimin e përshkallëzimit të dhunës. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë është arrestuar në flagrancë shtetasi V. C., 58 vjeç, banues në Lushnjë. Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë) me të cilin dyshohet se ky shtetas ka kanosur vajzën e tij. 

Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme në terren, në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin në kërkim Agron Musta, banues në Lushnjë, të cilin Gjykata e ka dënuar me 1 vit burgim, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për veprën “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për shtetasin E. S., 59 vjeç, banues në Vorë, me detyrë përgjegjës turni në një fabrikë tullash, në Maminas, pasi gjatë punës në këtë fabrikë është dëmtuar shtetasi S. B., 40 vjeç, banues në Vorë, i cili për pasojë ka humbur jetën. Vijon puna për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 26 shtetas janë vënë në pranga, 49 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste– 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të vetëgjyqësisë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të moskallëzimit të krimeve, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i krimeve kompjuterike, dhunës në familje, mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik, prishjes së qetësisë publike, pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, dhunimit të banesës, fyerjes së gjyqtarit, trafikimit të mjeteve motorike dhe njoftimit të rremë në organet e rendit, me 9 shtetas në total të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

1 i mitur është identifikuar dhe shpallur në kërkim për 1 rast të veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, të kryer më parë.

2 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Dhuna në familje”, janë kapur

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.