Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
PKK Kakavijë/ Kontrolle intensive 24/7, për të goditur paligjshmëritë në kufi. Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të parave sipas parashikimeve në ligj.
Sekuestrohen 25 000 euro dhe procedohet penalisht 60-vjeçari që posedonte paratë dhe nuk i deklaroi ato, në dalje të RSh-së.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është konstatuar dhe goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave.
Në bazë të analizës të riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi J. K., të cilit iu gjetën në çantë, 25 000 euro.
Shuma e parave, e padeklaruar nga ky shtetas konform ligjit në fuqi, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. K., 60 vjeç, banues në fshatin Zagori.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Krrabë, Tiranë
Pas disa orësh operacion kërkim-shpëtimi, Policia ndihmon 2 turiste gjermane që kishin mbetur të bllokuara në vendin e quajtur “Syri i Ciklopit”, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe errësirës.
Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë mbrëmjes së djeshme deri pas mesnatës, u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe grupi alpin i Forcës Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Alpinizmit.
Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se 2 turiste gjermane kishin mbetur të bllokuara në vendin e quajtur “Syri i Ciklopit”, për shkak të terrenit të veshtirë malor dhe mungesës së orientimit në errësirë, është organizuar menjëherë puna për gjetjen e tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe grupi alpin i Forcës Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Alpinizmit, pas gati 5 orësh kërkime, deri pas mesnatës, kanë bërë të mundur gjetjen dhe shpëtimin e 2 turisteve gjermane, 28 vjeçe dhe 31 vjeçe, të cilat janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Imazhi 1”, në zbatim të planit të posaçëm operacional policor, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Kishin përshtatur një ambient (stan), në pyjet e fshatit Kashnjet, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa, nëpërmjet llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast u ndalua dhe një 32-vjeçar i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Nga ky ambient u sekuestruan 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë.
Më tej, në banesat e 2 të arrestuarve në flagrancë, Policia gjeti 3 armë të ftohta dhe 1 maskë.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë, për të zbatuar planin e posaçëm operacional policor që ka si objektiv parandalimin, evidentimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për të kultivuar bimë narkotike në ambiente të hapura ose të mbyllura, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Lezhë, me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Imazhi 1”.
Gjatë operacionit, në pyjet e fshatit Kashnjet, u zbulua një ambient (stan) i përshtatur me llamba që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa.
Gjithashtu, u bënë të mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të këtij rasti, shtetasve A. N., 27 vjeç dhe E. Sh., 28 vjeç, të dy banues në Koplik. Më tej, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast u ndalua dhe shtetasi A. N., 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Nga ky ambient, Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, u finalizua operacioni policor i koduar “Glock”.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 2.
Sekuestrohen një armë zjarri më krehër e municion luftarak, vihet në pranga poseduesi.
Vihet në pranga dhe një 23-vjeçar, për moskallëzim krimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të zbatimit të masave të caktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për një rast armëmbajtjeje pa leje, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Glock”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve A. D., 43 vjeç, dhe E. C., 23 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në rrugën “Prokop Mima”, shtetasin A. D., i cili sapo ka vënë re punonjësit e Policisë, ka tentuar të largohet me vrap dhe ka hedhur në tokë një armë zjarri pistoletë, ndërsa shtetasi E. C., nuk ka kallëzuar krimin.
Arma e zjarrit së bashku me krëhërin e municionin luftarak u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Kurbin
Vuri lëndë plasëse (që nuk shpërtheu), në automjetin e një 34-vjeçari, për ta kanosur, Policia identifikon autorin e dyshuar dhe vijon intensivisht punën për kapjen e tij.
Procedohet penalisht një shtetas tjetër që dyshohet se ka bashkëpunuar me autorin e dyshuar.
Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, në fshatin Malbardhë, në automjetin e shtetasit F. L., 34 vjeç, ishte vënë një sasi lënde plasëse, e cila nuk kishte shpërthyer, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe ekspertët xhenierë shkuan në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit A. L. (i afërm i shtetasit F. L.). Nga këto veprime dyshohet se ky shtetas e ka vënë lëndën plasëse, për të kanosur shtetasin F. L., për shkak të konflikteve të mëparshme me të.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Z. L., pasi dyshohet si bashkëpunëtor në këtë rast.
Vijojnë kërkimet intensive për kapjen e shtetasit A. L., si dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar rrethanat e rastit.
DVP Fier
Vidhnin automjete luksoze, në Zvicër dhe më pas i trafikonin në Shqipëri, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorët.
Sekuestrohet 1 automjet luksoz, tip “Benz”, prodhim i viteve të fundit, me vlerë rreth 100 000 euro.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Mbështetjen Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se disa shtetas, të organizuar si grup, vidhnin automjete në Zvicër dhe më pas i trafikonin në Shqipëri, kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe shpalljen e tyre në kërkim.
Konkretisht, u shpallën në kërkim shtetasi shqiptar A. M., 36 vjeç, shtetasi rumun V. C., 37 vjeç dhe 2 shtetasit malazez, S. H., 32 vjeç dhe S. H., 27 vjeç. Vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vidhnin automjete në Zvicër dhe më pas falsifikonin dokumentet e automjeteve, për t’i trafikuar në Shqipëri, me qëllim shitjen.
Policia ka sekuestruar 1 prej automjeteve të vjedhura nga këta shtetas dhe vijon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve të tjera të vjedhura dhe të trafikuara në Shqipëri, nga ky grup.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të metejshme.
Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”.
Vihet në pranga një 30-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera intensivisht nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, si dhe me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, u bënë të mundur lokalizimi në lagjen “Hajro Çakërri”, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit të shpallur në kërkim E. R., 30 vjeç, banues në Vlorë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë i ka caktuar 30-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 154 shtetas, konkretisht: 39 shtetas janë vënë në pranga, 101 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 7 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim për krime në këtë fushë, janë kapur.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 17 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 5 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 12 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve kompjuterike, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të mëparshme.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 15 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 6 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i vënies së basteve sportive, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 3 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur”, me autor ende të paidentifikuar;
-nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes”, “Peshkimi i ndaluar” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
2 shtetas të shpallur në kërkim për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, janë kapur.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 13 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 14 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 25 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.