Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Fier/Finalizohet operacioni policor i koduar “Cities”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Spanjës.
Operacioni, nga Sektori i Policisë Rrugore dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Madridit dhe Interpol Tiranës.
Në vitin 2022, në 2 qytete në Spanjë, kultivoi sasi të konsiderueshme cannabis sativa, në ambiente të mbyllura, nëpërmjet llambave, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, pjesëtari i grupit kriminal.
Si rezultat i aksioneve intensive gjurmuese dhe lokalizuese për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të cilat kryhen të bazuara në inteligjencën policore, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, u finalizua operacioni policor i koduar “Cities”.
Gjatë operacionit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Spanjë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar E. P., 30 vjeç.
Gjykata e Madridit i ka caktuar 30-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprimtaritë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, si dhe të vjedhjes së energjisë elektrike, të kryera në kuadër të grupit kriminal.
Shtetasi E. P. akuzohet se në vitin 2022, si pjesëtar i një grupi kriminal në Spanjë, ka kultivuar sasi të konsiderueshme cannabis sativa, në ambiente të mbyllura, në qytetet Barcelonë dhe Girona, duke përdorur llamba që furnizoheshin me energji elektrike të vjedhur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
DVP Elbasan/Arrestohet 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.
•Si rezultat i reagimit të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik, menjëherë pas njoftimit se në një market në lagjen nr. 1, ishte vjedhur një shumë parash, u mundësuan identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit A. Z., 27 vjeç, banues në Cërrik. Gjithashtu, 27-vjeçarit iu sekuestruan një pjesë e parave të vjedhura.
•Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen G. A., 21 vjeçe, banuese në fshatin Mjekës, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, dyshohet se për shkak se ka humbur kontrollin, automjeti që drejtonte ka dalë nga rruga dhe ka përplasur një 4-vjeçar, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. K., 20 vjeç, banues në Elbasan, pasi në rrugën “28 nëntori”, ka prishur qetësinë publike, duke kryer manovra të rrezikshme dhe të zhurmshme, me automjet.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore, për shkeljen e kryer, i kanë vendosur 20-vjeçarit, masën administrative 40 000 lekë.
•Pasditen e djeshme, në lagjen “5-Maji”, është gjetur e mbështjellë dhe e groposur, një armë e vjetër zjarri (pistoletë). Në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen ekspertiza dhe hetime, për të identifikuar poseduesin/t dhe për të zbardhur rrethanat e rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Pogradec/Veprimet hetimore të kryera në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, zbardhin 3 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje në banesa, të kryera gjatë muajit të fundit.
Monitoronin banesa në qytetin e Pogradecit, në mënyrë që kur të largoheshin banorët, të vidhnin pajisje, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen një televizor i vjedhur dhe një palë doreza që përdoreshin për të kryer vjedhjet.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, pas kallëzimeve të disa shtetasve, gjatë muajit të fundit, për vjedhje/tentativa për vjedhje në banesat e tyre, në qytetin e Pogradecit, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorët e dyshuar, shtetasit D. K., 32 vjeç dhe N. P., 35 vjeç, të dy banues në Pogradec.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, gjatë muajit të fundit, kanë bashkëpunuar për të vjedhur pajisje elektroshtëpiake dhe kompjuterike, në 2 banesa, dhe kanë tentuar të vjedhin në një banesë tjetër, në lagjet nr. 1 dhe nr. 2, në Pogradec. Të arrestuarit paraprakisht i monitoronin banesat ku kryenin vjedhjet, për të hyrë në to, kur nuk kishte banorë.
Punohet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë/Procedohen në gjendje të lirë, për vepra të ndryshme penale, 4 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjëndje të lirë për shtetasin A. I., 56 vjeç, banues në Delvinë, sepse dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, një automjet te i cili ka bërë ndryshime të elementeve identifikuese.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi prrocedimi në gjëndje të lirë për shtetasin D. F., 19 vjeç (me çrregullime të spektrit të autizmit), pasi dyshohet se ka kryer veprime të turpshme, ndaj një 7-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Selenicë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjëndje të lirë për shtetasit E. S., 48 vjeç dhe B. D., 67 vjeç, pasi dyshohet se për shkak të një konflikti për motive pronësie mbi kullota, i kanë dëmtuar me sende të forta, bagëtinë (lopë), shtetasit E. S.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
Interpol Tirana
Koordinimi i vazhdueshëm me partnerët në Itali dhe në Spanjë, finalizoi ekstradimin e 3 shtetasve shqiptarë, të kërkuar ndërkombëtarisht, për llogari të këtyre shteteve.
3 shtetasit e ekstraduar, të lokalizuar dhe të arrestuar nga Policia shqiptare, për vepra penale si: vrasja, rrëmbimi i personit, kultivimi i bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe vjedhja.
Si rezultat i bashkëpunimit konstant të specialistëve të Interpol Tiranës me ata të Interpol Romës dhe të Interpol Madridit, janë finalizuar ekstradimet në këto shtete, të 3 shtetasve shqiptarë, me masë sigurie “Arrest në burg”, nga gjykatat në Milano dhe në Castellon, për vepra të ndryshme penale. Konkretisht:
1. u ekstradua në Itali, shtetasi Sh. K. (D.), 41 vjeç. Më datë 18.08.2022, në vendin e quajtur “Castelnuova val di Cecina”, në Piza, Itali, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri, shtetasin shqiptar E. K.;
2. u ekstradua në Itali, shtetasi D. Gj., 23 vjeç. Në muajin gusht të vitit 2023, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se ka dhunuar dhe rrëmbyer, të rinj, për t’i grabitur;
3. u ekstradua në Spanjë, shtetasi D. H. (H.) (J.), 34 vjeç. Gjatë vitit 2023, si pjesëtar i një grupi kriminal, ka qenë implikuar në veprimtarinë e kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura, nëpërmjet lidhjeve ilegale të energjisë elektrike. Grupit kriminal ku bënte pjesë 34-vjeçari, i janë sekuestruar 13 196 bimë narkotike cannabis sativa.
Sarandë/Vijojnë kontrollet dhe puna e inteligjencës policore, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Gracka”.
Fshihte në banesë armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Procedohet penalisht një 15-vjeçar, për moskallëzim të këtij rasti të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen arma e zjarrit, 3 krehra dhe fishekë luftarak.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, të siguruar në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për një rast të armëmbajtjes pa leje, në një banesë në fshatin Çukë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë finalizuan operacionin policor të koduar “Gracka”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. G., 31 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 15 vjeç.
Nga kontrolli në banesën e 31-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, 1 armë zjarri kallashnikov, 3 krehra dhe fishekë luftarak.
Ndërkaq, i mituri u procedua penalisht pasi dyshohet se ishte në dijeni se shtetasi A. G. fshihte armë zjarri dhe nuk kishte kallëzuar krimin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Skrapar/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon ngjarje të rënda kriminale që mund të kryheshin me armë zjarri.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Momenti”.
I maskuar dhe i pajisur me pistoletë, tentoi t’i vidhte celularin një shtetaseje dhe kanosi për jetën një shtetas që ndërhyri, arrestohet 35-vjeçari.
35-vjeçari u kap në afërsi të një përroi në fshatin Çepan, ku tentoi t’iu shmangej shërbimeve të Policisë. Ai është dënuar më parë për vjedhje me armë dhe për krime seksuale.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 2 mjete prerëse (thika), 2 maska (kapuça), një palë doreza dhe 1 elektrik dore.
Si rezultat i mbërritjes së menjëhershme të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Skrapar, në territorin e fshatit Çepan, ku u njoftuan se një shtetas i maskuar dhe i armatosur rrezikonte jetën e qytetarëve, duke i kanosur dhe vjedhur, është finalizuar operacioni policor i koduar “Momenti”.
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi B. K., 35 vjeç, banues në fshatin Buz, Tepelenë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
35-vjeçari, i maskuar dhe duke kërcënuar me armë zjarri pistoletë, ka tentuar t’i vjedhë celularin, një 28-vjeçareje. Ai gjithashtu ka kanosur për jetën, një 53-vjeçar që ka ndërhyrë kur ka konstatuar tentativën për vjedhje.
Si rezultat i veprimeve të shpejta në vendngjarje, shërbimet e Policisë e kanë gjetur dhe arrestuar shtetasin B. K., në afërsi të përroit të fshatit Çepan, ku kishte shkuar për t’u fshehur.
Gjatë kontrollit në çantën e dorës, të arrestuarit iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë, 2 mjete prerëse (thika), 2 maska (kapuça), një palë doreza dhe një elektrik dore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Belsh, Cërrik
Kanosi me armë gjahu, për motive të dobëta, një shtetas, kreu veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë, gjatë kontrollit të banesës, kapet dhe vihet në pranga 62-vjeçari.
Në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi disa fishekë arme gjahu dhe materiale që shërbejnë për prodhimin në mënyrë artizanale të këtyre fishekëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik dhe ato të Stacionit të Policisë Belsh, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në fshatin Çepë, Belsh, kanë shkuar në adresën e dhënë, me parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta nga Policia, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi S. Xh., 62 vjeç, banues në fshatin Çepë, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur me armë gjahu, shtetasin R. K., 75 vjeç, banues në fshatin Çepë.
Gjithashtu, 62-vjeçari ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës (ka fshehur armën e gjahut) dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, për kontrollin e banesës.
Në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi 32 fishekë arme gjahu dhe materiale për prodhimin në mënyrë artizanale të fishekëve për armë gjahu.
Vijon kontrolli për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së gjahut që ka përdorur 62-vjeçari, për kanosjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Port, Durrës/Si rezultat i kontrolleve në hyrje/dalje, ndaj shtetasve dhe mjeteve, goditen 2 tentativa për të futur në Shqipëri, produkte ose para, pa i deklaruar.
Në një autobus u gjetën 120 shishe me pije alkoolike dhe produkte të tjera, ndërsa në një automjet u gjetën 20 000 euro.
Për këto raste është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë.
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm të produkteve dhe shërbimeve, si dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit kanë konstatuar dhe goditur në hyrje të Republikës së Shqipërisë, 1 rast të tentativës për të kontrabanduar produkte për të cilat paguhet akcizë dhe 1 rast të mosdeklarimit të të hollave. Konkretisht, për këto raste:
-u arrestua në flagrancë shtetasi E. P., 36 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. G., 55 vjeç, të dy banues në Shkodër. Nga kontrolli në autobusin në pronësi të drejtuesit 36-vjeçar, që kishte drejtues të dytë alternativ, shtetasin I. G., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 120 shishe me pije alkoolike dhe produkte të tjera, të dyshuara të kontrabanduara;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë për shtetasit A. R., 50 vjeç dhe E. H., 35 vjeç, të dy banues në Durrës. Nga kontrolli në automjetin fuoristrade tip “Nissan” që drejtonte shtetasi A. R. dhe ku ishte pasagjer 35-vjeçari, në një hapësirë të përshtatur nën kroskot, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 20 000 euro të padeklaruara konform ligjeve në fuqi.
Kontrollet vijojnë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
DVP Elbasan/Procedohen në gjendje të lirë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Informacion shtesë/Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme, në aksin “Belsh-Kuçovë”, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 36 vjeç, banues Berat, pasi dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, automjeti ka dalë nga rruga dhe është përfshirë nga flakët. Për pasojë janë dëmtuar lehtë bashkëshortja e shtetasit E. M. dhe 2 fëmijët e tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-Sh. V., 63 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka kanosur me mjet prerës (biçak), një 48-vjeçar, për motive të dobëta. Mjeti prerës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale;
-Y. B., 61 vjeç dhe V. B., 71 vjeçe, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjerin, për motive pronësie.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 208 shtetas, konkretisht: 63 shtetas janë vënë në pranga, 131 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim për krime në këtë fushë, janë kapur.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 19 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë kryer 2 vrasje, njëra prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të vënë në pranga. Janë kryer 2 tentativa për vrasje, me 3 shtetas të vënë në pranga.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 10 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 11 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 25 raste, 7 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 10 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 23 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 10 raste- 1 shtetas është vënë në prang, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 28 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-7 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-6 raste të vënies së basteve sportive, me 6 shtetas të vënë në pranga;
-5 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale ““Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprave penale “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Trafikimi i të miturve”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Moskallëzimi i krimit”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
6 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” (2), “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, janë kapur.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 13 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetase ka humbur jetën dhe 16 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 41 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 16 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 26 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.