Raporti i ngjarjeve, 1, 2 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj, deklaratë për shtyp për finalizimin e operacionit policor të koduar “Tempulli 3”. 

Përshëndetje,

Jam sot, këtu, së bashku me zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike, dhe shefin e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, për të bërë prezente rezultatet e megaoperacionit të koduar “Tempulli 3” në kuadër të të cilit u godit një grup që shpërndante lëndë narkotike kanabis, heroinë dhe kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, afër shkollave, si dhe në lokale nate.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në zbatim të masave të përcaktuara në paketësn e sigurisë në shkolla dhe të prioritetit të Policisë Shtetit, për të garantuar një mjedis sa më të sigurtë për nxënësit dhe për të parandaluar fenomenet negative në vijimësi, ka zhvilluar kontrolle dhe operacione për të goditur elementët apo grupe kriminale që tentojnë të zhvillojnë veprimtarinë kriminale duke bërë pjesë të rinjtë.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, dhe në vijim të dy megaoperacioneve mbarëkombëtare “Tempulli 1” dhe “Tempulli 2”, bazuar në inteligjencën informative, në muajin janar kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila regjistrojë procedimin penal me nr. 496 viti 2024.

Pas një hetimi katërmujor, me metoda speciale të Hetimit nga Specialistët për Hetimin e  Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të 35 shtetasve.

Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua faza e tretë e operacionit “Tempulli”, në kuadër të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 20 persona, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për 5 shtetas të cilët janë të arrestuar më parë gjatë operacioneve, si dhe vijon puna për kapjen e 10 shtetasve të tjerë.

Gjatë operacionit u arrestuan 20 shtetas ndaj të cilevë Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka caktuar masën e sigurimit personal  “Arrest në burg”,  për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, konkretisht:

R. R., 27 vjeç, banues në Tiranë,

E.B., 30 vjeç, banues në Tiranë,

A.Z.,  31 vjeç, banues në Tiranë,

A. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë,

K. N.,  27 vjeç,  banues në Tiranë,

A. J., 26 vjeç, banues në Tiranë,

F. Ç., 46 vjeç, banues në Tiranë,

I.Z., 29 vjeç,  banues në Tiranë,

F. M., 20 vjeç, banues në Tiranë,

E. B., 34 vjeç,  banues në Tiranë,

A.B., 19  vjeç, banues në Tiranë,

E. M., 28 vjeç, banues në Thumanë, Krujë,

H.F., 20 vjeç, banues në Tiranë,

A. B., 36 vjeç, banues në Tiranë,

M. K., 19 vjeç, banues në Tiranë,

A.D.,  19 vjeç, banues në Tiranë,

K. L.,  20 vjeç, banues në Tiranë,

A. M., 29 vjeç, banues në Tiranë,

G. A., 24 vjeç, banues në Tiranë,

F. L., banues në Fier, Roskovec

Gjithashtu janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 5 shtetas të arrestuar më parë gjatë këtij procedimi, konkretisht shtetasit:

E. G., 37 vjeç, E. S., 28 vjeç, I. B., 20 vjeç, Sh. O.,  26 vjeç, të katërt banues në Tiranë, dhe F.  Ç., 34 vjeç, banues në Memaliaj.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kokainë

50 doza me lëndë dyshuar narkotike heroinë

100 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis

 27 telefona celular të markave të ndryshme

 5 automjete të markave të ndryshme.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshe të Tiranës.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vijojnë veprimet hetimore për  dokumentinin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.

Në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë,  falenderojmë prokurorin e këtij procedimi, z. Albert Demirneli dhe drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Z. Arens Cela, për drejtimin, koordinimin dhe mbështetjen për finalizimin me sukses të procedimit.

Njëkohësisht Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falenderon qytetarët për informacionet e shumta të dhëna për këtë veprimtari kriminale të cilat kanë qenë të rëndësishme për nisjen e hetimeve.

Duke përfituar nga rasti dua të garantoj qytetarët se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin e sigurinë, parandalminin, evidentimin dhe goditjen e cdo paligjshmërie, dhe në këtë kuadër i ftoj përsëri që  që të vazhdojnë të japin akoma më shumë bashkëpunimin me Policinë duke denoncuar çdo rast paligjshmërie në cilëndo fushë që ajo shfaqet, pasi sëbashku ndërtojmë një ambient më të sigurtë.

Dropull/Informacion paraprak

Rreth orës 08:00, janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit K. I., 84 vjeç dhe K. I., 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore.

Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe së bashku me grupin e posaçëm hetimor të ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet  intensive për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Vlorë

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare shpëtojnë 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Vlorë, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi përballë porit të Vlorës, mjeti i tij lundrues, kishte pësuar defekt në motorr.

Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport,  me marrjen e njoftimit, u nisën menjëherë  me një mjet lundrues dhe në bashkëpunim me mjetin lundrues të Rojes Bregdetare, bënë të  mundur të shpëtojnë 12 shtetasit që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues, ku 11 prej tyre ishin turistë, nga vende të ndryshme si Polonia, Franca, Izraeli e Belgjika.

Shërbimet e Policisë Kufitare pasi kanë tërhequr  drejt portit mjetin lundrues ku ndodheshin turistët, kanë kryer verifikimet nga të cilat ka rezultuar se mjeti lundrues  i dalë në lundrim nga SPK Triport,  është mjet lundrues për përdorim personal dhe nuk është i pajisur me Çertifikatën e  Operatorit Turistik Detar.

Mjeti lundrues u bllokua dhe shtetasi E. L. u ndëshkua me masë administrative gjobë në masën 100 000 lekë, bazuar në Ligji Nr. 43/2020 “Për operatorët turistikë detar”.

Turistët të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe të Rojës Bregdetare për ndihmën dhe reagimin e  shpejtë.

Policia e Shtetit/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Falë shkëmbimit në kohë të informacioneve, arrestohet në Mbretëri të Bashkuar, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 38-vjeçar i cili në vitin 2016, kreu marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur.

Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar, koordinimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Mançesterit, në kuadër të operacionit “Alias”, u kap dhe u arrestua provizorisht, në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasi Denis Havalja alias Dashamir Havalja, 38 vjeç, lindur në Bulqizë. 

38-vjeçari është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi në vitin 2016, ka marrë në një automjet me targa angleze, një shtetase të mitur, me të cilën ka kryer marrëdhënie seksuale. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet e 10 muaj burgim.

Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.

Policia e Shtetit

Vijon operacioni “Flakë në det”.

Më datë 30.04.2024, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare, në kuadër të procedimit penal të vitit 2023 të regjistruar pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit “Flakë në det”. 

Gjatë operacionit u zbatuan urdhrat e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi ekzekutimin e vendimeve të datës 29.04.2024, të Gjykatës Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, në lidhje me ekzekutimin e masave së sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, për shtetasit:

A. D. alias D. D., 37 vjeç, banues në Fushë Kuqe;

S. L., 51 vjeç, banues në Fier;

K. B., 42 vjeç, banues në Orikum.

Gjithashtu, në kuadër të ekzekutimit të vendimit për kontrollin e banesës dhe të vendeve të dyshuara, u ushtrua kontroll në banesat e disa personave, si dhe u ushtrua kontroll në një subjekt tregtar.

Në kuadër të këtij procedimi u ushtrua kontrolli edhe në banesat e  dy personave të shpallur në kërkim si të dyshuar të përfshirë  në këtë aktivitet kriminal. 

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vazhdon puna për kapjen e personave në kërkim, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera ku mund të jenë përfshirë këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.

Korçë

Ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, procedohen penalisht 3 shtetas.   

Sekuestrohen 3 celularët që përdornin. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë intensifikuar kontrollet dhe kanë goditur 3 raste të tjera të kësaj veprimtarie. Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. X., 37 vjeç, D. E., 39 vjeç dhe S. T., 39 vjeç, banues në Korçë. 

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal në lagjen nr. 10, Korçë, iu gjetën këtyre shtetasve, nga një celular, që dyshohet se e përdornin për vënien e basteve sportive. 3 celularët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 48 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 147 shtetas, konkretisht: 30 shtetas janë vënë në pranga, 103 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste– 1 shtetas është ndaluar dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste, 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është arrestuar dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 15 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për rastet e tjera.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 22 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-7 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-6 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufijve shtetërorë”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kompjuterike, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, “Përndjekja” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Dhunimi i banesës”, “Ngacmimi seksual”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 31 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 17 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.