Raporti i ngjarjeve, 1, 2, 3 qershor 2024
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Policia e Shtetit/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 8”. I akuzuar nga autoritetet spanjolle, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Lezhë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Spanjë, 28-vjeçari. Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 8”, kapi në Shënkoll dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar K. B., 28 vjeç, i lindur në fshatin Domgjon, Lezhë. Gjykata e Tarragonës, Spanjë, me vendimin e datës 28.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës. Interpol Tirana dhe Interpol Madrid po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.
Dimal/Në zbatim të masave të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, u godit një rast i armëmbajtjes pa leje. Policia kapi në flagrancë dhe vuri në pranga 51-vjeçarin që mbante në banesë, 1 armë zjarri automatik dhe municion luftarak. Sekuestrohen arma dhe municioni. Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal dhe shërbimet e DVP Berat, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje. Për këtë rast u vu në pranga shtetasi L. B., 51 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Dimal, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri automatik, 2 krehra dhe sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Rinas/Verifikime të hollësishme, për të ndaluar shtetasit e shpallur në kërkim, që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga Republika e Shqipërisë. I akuzuar nga autoritetet belge, për vjedhje me dhunë, ndalohet në dalje, me qëllim ekstradimin në Belgjikë, 35-vjeçari. Si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të RSH-së dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Gate”, gjatë të cilit shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas ndaluan në dalje, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar D. R., 35 vjeç, banues në Kosovë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet belge i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Belgjikë.
Gjatë 72 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 186 shtetas, konkretisht: 45 shtetas janë vënë në pranga, 136 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste- 4 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste – 2 shtetas janë vënë në pranga.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 18 raste – 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 8 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 11 raste, 4 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 20 raste – 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 13 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim, si dhe janë plotësuar 18 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Prishja e qetësisë publike”, “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 9 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 17 aksidente rrugore, me 25shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 38 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 13 shtetas janë vënë në pranga dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.