Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 9 shkurt 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Parandalohet dhe goditet një tentativë për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Procedohen penalisht 2 shtetas, të cilët po transportonin me autobus 13 shtetas sirian që kishin hyrë në Republikën e Shqipërisë në mënyrë të paligjshme. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë referuan materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për shtetasit B. E., 58 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i autobusit ku udhëtonin shtetasit e huaj dhe B. B., 34 vjeç, banues në Kukës, faturino i autobusit. Këta shtetas, në aksin rrugor Mamurras-Lezhë, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Laçit” janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, me automjetin autobus të linjës Tiranë-Kukës, duke transportuar 13 shtetas të huaj sirian dhe maroken që kishin hyrë në Republikën e Shqipërisë në mënyrë të paligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 5 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në  Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 4 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.