Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 9 Qershor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

-Vlorë/Sekuestrohen nga policia 12 kg lëndë narkotike cannabis sattiva në një banesë. Vihet në pranga autori – pronar i banesës. Në vijim të kontrollit të territorit për goditjen e rasteve të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar edhe në informacione konfidenciale, Seksioni i Narkotikëve ka organizuar punën pas dyshimit për lëndë narkotike në një banesë në fshatin Drithas të Vlorës. Pas kontrollit të ushtruar në këtë banesë, policia ka konstatuar një sasi me lëndë narkotike prej 12 kilogramë e dyshuar e llojit cannabis sativa. Menjëherë, policia ka vënë para përgjegjësisë penale duke arrestuar në flagrancë pronarin e banesës, 57 vjeçari A. M. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

-Elbasan /Zbardhen një sërë vjedhjesh të ndodhura në qytetin e Elbasanit, arrestohet në flagrancë 16 vjeçari. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar ” MOTOÇIKLETA”. Sekuestrohen në cilësinë e provave materiale një motoçikletë dhe pjesë të ndryshme të motoçikletave. Në vijim të punës për parandalimin , zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë , si dhe identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan pas një pune të mirë-organizuar, kanë finalizuar me sukses operacion “MOTOÇIKLETA”, në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi: R.P., 16 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi në lagjen ” 28 Nëntori” Elbasan, ka tentuar të vidhte një motoçikletë të parkuar në rrugë, por është pikasur nga shërbimet e Policisë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autorë dhe i 3 vjedhjeve të tjera, pasi në kohë dhe vende të ndryshme realizonte vjedhje të motoçikletave në qytetin e Elbasanit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale : një motoçikletë dhe pjesë të ndryshme të motoçikletave. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Shkodër/Rifillon prodhimin e pijeve freskuese në punishten e cila ishte në sekuestro preventive   prej dy vitesh, arrestohet në flagrancë pronari i punishtes i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari të kundraligjshme. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh.K., 55 vjeç, banues në lagjen “Ajasëm” Shkodër, i arrestuar dhe më parë për të njëjtat vepra penale. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në punishten e tij e cila është e bllokuar që nga viti 2017 ku është bërë sekuestro preventive , janë gjetur të prodhuara në mënyrë të kundraligjshme pije të ndryshme të cilat kishin etiketa të falsifikuara si dhe shirita etiketash të ndryshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale ”Punësim i paligjshëm” , “Shkelje e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Prodhim dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”.

Tiranë/Finalizohet një tjetër operacion antidrogë i koduar “Proporcione”. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Arrestohen në flagrancë dy shtetas, si dhe procedohen penalisht edhe dy shtetas të tjerë(njëri prej tyre shtetas italian). Sekuestrohen 974 gramë të ndara në proporcione gati për shpërndarje. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në vijim të punës për parandalimin e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, kanë zhvilluar dhe finalizuar një tjetër operacion të koduar “Proporcione”, ku nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Policisë të Komisariatit nr 3, kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve: S. K., 34 vjeç banues në Tiranë dhe I. K., 24 vjeçe, banuese në Tiranë. Si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasi P. Z., 23 vjeç lindur dhe banues në Itali dhe shtetasi L. Z., 27 vjeç banues në Tiranë. Në rrugën “Muhamet Gjollesha”, gjatë kontrollit të ushtruar shtetasve S.K dhe I.K, policia ju gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 974 gramë lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa, ndërsa shtetasit P.Z dhe L.Z, kanë ndihmuar shtetasit e arrestuar për shpërndarjen e lëndës narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar në flagrancë, 5 janë ndaluar dhe 68 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim: 2 në qarqet Durrës dhe Elbasan për veprën penale “Vjedhja”; 1 në qarkun Korçë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”; 1 në qarkun Fier për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe 1 në qarkun Lezhë për veprën penale “Dhuna në familje”.

Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, në qarkun Vlorë me 1 autor, i cili u procedua në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 4 raste të veprës penale “Kanosja”, 2 në qarkun Vlorë dhe 2 në qarkun Gjirokastër; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë; 2 raste të veprës “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht 1 në qarkun Durrës, 1 në qarkun Vlorë dhe 1 në qarkun Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 2 raste në qarkun Durrës, me 2 autorë të ndaluar, 1 rast në qarkun Vlorë me 1 autorë arrestuar në flagrancë dhe 1 rast në qarkun Korçë më 1 autor i cili u procedua në gjendje të lirë, si edhe 5 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 5 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, konkretisht 1 në Tiranë me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në qarkun Korçë ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Janë evidentuar 7 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën dhe 2 të lënduar në gjendje të rëndë shëndetësore.

Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në qarkun Elbasan të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në qarkun Fier i cili u ndalua dhe 1 në qarkun Tiranë i cili u arrestua në flagrancë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.