Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 8 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Organizuan protestë të paligjshme, procedohen penalisht 7 persona, ndërmjet tyre edhe 3 organizatorët e tubimit. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në sheshin “Skënderbej”, proceduan penalisht në gjendje të lirë 7 shtetas. Procedimi ndaj tyre nisi pasi në datë 7 maj 2020, rreth orës 11:30, te sheshi “Skënderbej” kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet. Shtetasit Z. I., K. B. dhe S. G., në rolin e organizatorëve të protestës, më herët kanë bërë thirrje në rrjete sociale për protesta e tubime. Në vijim të veprimeve janë siguruar pamjet filmike dhe fotografike, si dhe është bërë  këqyrja e rrjeteve sociale, pasi nga  këta shtetas (organizatorët) bëhen thirrje për protesta dhe tubime. Nga ana e shërbimeve të Policisë janë vendosur masa administrative/gjoba, pasi asnjëri prej tyre nuk ka pasur autorizim për të dalë, bazuar në nenin 3 të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020. Po punohet për masat plotësuese sipas Aktit Normativ, si dhe për shoqërimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në protestë, pasi janë fotografuar dhe identifikuar nga ana e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të organizatorëve, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime të paligjshme”. Policia e Shtetit apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Tiranë – Vihen në pranga për shkelje të rregullave në punë, inxhinieri i firmës ndërtuese dhe inxhinieri për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik të një pallati në ndërtim, ku ditën e djeshme humbi jetën një 63-vjeçar, gjatë kohës që po punonte në këtë objekt. Shërbimet e Komisariatit Nr. 2 dhe grupi hetimor, menjëherë pas njoftimit të marrë se një shtetas kishte rënë aksidentalisht nga lartësia e një pallati dhe për pasojë humbi jetën, menjëherë kanë kryer gjithë veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë dhe në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit arrestuan në flagrancë shtetasit B. Ç., 42 vjeç, banues në Tiranë, inxhinieri i firmës dhe K. K., 26 vjeç, banues në Tiranë, ndihmësinxhinier për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi më datë 07.05.2020, rreth orës 12:30, ka rënë nga lartësia e  pallatit në ndërtim dhe si pasojë ka humbur jetën punëtori i këtij objekti, shtetasi M. P., 63 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Durrës – Bien në prangat e policisë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Kundërshtuan punonjësit e Policisë dhe prishën rendin e qetësinë publike, arrestohen në flagrancë  3 shtetas. Drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe në kundërshtim me Aktin Normativ, arrestohet në flagrancë 49-vjeçari. Arrestohet dhe një 44-vjeçar, për veprën penale “Vjedhja e mbetur në tentativë”. Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh Durrës, pas njoftimit të marrë se disa persona po prishnin qetësinë publike kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Në momentin që punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë ndërhyrë për t’i shoqëruar në ambientet e Policisë, pasi kishin prishur rendin e qetësinë dhe kishin dëmtuar disa sende, tre shtetas kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë. Me ndërhyrjen dhe të disa shërbimeve të tjera janë shoqëruar në Polici dhe në përfundim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Prishja e qetësisë publike”, shtetasit A. A., 24 vjeç, F. Sh., 21 vjeç dhe E. K., 25 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore Durrës të Policisë Durrës, në zbatim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, gjatë kontrollit për autorizimin përkatës të lëvizjes me mjet, arrestuan në flagrancë shtetasin L. D., 49 vjeç, banues në Krujë, pasi konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin tip “Benz” në gjendje të dehur në masën 0.59 mg/litër  dhe në kundërshtim me Aktin Normativ. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhja e mbetur në tentativë”, shtetasin K. A., 44 vjeç, pasi u kap nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 3, Durrës, duke tentuar të vjedhë në banesën e shtetasit N. B. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2 Tiranë, operacioni policor i koduar “Prita”. Kapet dhe ndalohet një 34-vjeçar i shpallur në kërkim, me precedent të theksuar kriminal, i dënuar për disa vepra penale. 34-vjeçari, i dyshuar edhe si autor i disa vjedhjeve të ndodhura më parë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë marrë informacione se një shtetas i kërkuar po lëvizte në rrugën “Besim Alla”. Bazuar në informacionet e marra, shërbimet e Policisë organizuan punën duke zhvilluar operacionin policor të koduar “Prita”, në kuadër të të cilit u bë rrethimi i zonës ku dyshohej se fshihej dhe mund të lëvizte ky shtetas. Pas disa orësh mbajtjeje nën kontroll të zonës, rreth orës 01:15 të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në rrugën “Besim Alla”, shtetasin e dyshuar i cili po tentonte të vidhte një motomjet me qëllim që të largohej. Si rezultat i rrethimit të zonës, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Edison Canaj, 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vjedhja me dhunë”, “Plagosja e lehte me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”.  Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 6, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Gjithashtu dyshohet se ky shtetas është autor edhe i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë dhe vijon puna për dokumentimin e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Finalizohet një tjetër operacion antidrogë, i koduar “Transportuesit”. Kapen në flagrancë 3 shtetas duke transportuar lëndë narkotike. Sekuestrohen 24.5 kg cannabis sativa dhe një sasi parash të përfituara nga aktiviteti kriminal. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve pranë DVP Vlorë, pas informacioneve të marra në rrugë operative për dy automjete të dyshuara se mund të transportonin lëndë narkotike, menjëherë organizuan punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e personave përgjegjës. Si rezultat, në bashkëpunim me strukturat e tjera mbështetëse pranë DVP Vlorë, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Transportuesit”, në aksin rrugor pranë fshatit Karbunar, Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetet e sekuestruara “Toyota Yaris” dhe “Fiat Punto”, Policia ka gjetur dhe sekuestruar gjithashtu 24.5 kg lëndë narkotike të llojit cannabis sativa, 2600 euro që dyshohen se mund të jenë përfituar nga ky aktivitet kriminal, si dhe 3 aparate celular. Në vijim të veprimeve procedurale, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit: S. D., 25 vjeç, banues në Vlorë, D. D., 22 vjeç, banues në Kras, Tepelenë dhe T. B., 34 vjeç, banues në Vlorë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës, në ngarkim të këtyre shtetasve, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Tiranë – Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga në pranga 11 shtetas, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim. Janë proceduar penalisht edhe 2 shtetas të tjerë. Sekuestrohen lëndë narkotike, një armë e ftohtë dhe sende të tjera. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasin Xh. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij Policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të vogël lënde narkotike të llojit kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës” , i shtetasit S. V., 48 vjeç, banues në Tiranë, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes në prani të fëmijëve të mitur, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje”, i shtetasit E. M.,3 5 vjeç, pasi në banesë, në prani të fëmijëve të mitur, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme. Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje” i shtetasit E. C., 46 vjeç, pasi në rrugën “3 Vëllezërit Kondi”, në prani të dy fëmijëve të mitur, ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 3  u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”  dhe “Veprime ne kundërshtim me vendimin e gjykatës”  i shtetasit  B. T., 29 vjeç, pasi në banesë, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, duke  shkelur urdhrin e mbrojtjes, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, si dhe ka kanosur me thikë babanë e tij. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Q., 33 vjeç, sepse në rrugën “Aleksandër Moisiu”, u konstatua jashtë banese, ndërkohë që ka qenë me masë sigurie ”Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ngacmimi seksual”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 kanë bërë ndalimin në iniciativë të shtetasit B. L., 33 vjeç, sepse në Rrugën e Dibrës, me anë të mashtrimit, i ka shitur 2 varëse floriri të cilat dyshohen të jenë false, për shumën 2500 lekë, shtetasit S. G. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 varëse, të cilat dyshohen se janë false. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin G. L., 33 vjeç, pasi në rrugën “Ferit Xhajko” u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.61 mg/l. Gjithashtu nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale ”Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, i shtetasve F. P., 30 vjeç dhe R. M., 26 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë është kapur dhe ndaluar shtetasi D. A., 22 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja” . Është paraqitur në ambientet e Komisariatit Nr. 3 shtetasi me iniciale C. V., 58 vjeç dhe ka bërë kallëzim se në rrugën “Dritan Hoxha”, një person i paidentifikuar ka goditur me gur mjetin me të cilin ky shtetas po qarkullonte dhe është larguar me vrap. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin, kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin A. I., 59 vjeç, banues në Tiranë, sepse në rrugën “Miftar Gërbolli”, ka kanosur me thikë fqinjën e tij, shtetasen H. M. Thika është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.  Gjithashtu janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin E. B, 37 vjeç, banues në Tiranë, sepse në rrugën “Aleksandër Moisiu”, për shkak të detyrës, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit për të ndaluar. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 23 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 73 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë; 3 raste të Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me dy autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 5 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 7 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Durrës, 1 në Dibër dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar 6 drejtues mjetesh që drejtonin mjete pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Vlorë dhe 2 në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.